Booking: Nga 1 Nëntori, ata që japin apartamente me qira duhet të deklarojnë NIPT-in, ndryshe do paguajnë 20% TVSH mbi komisionin

Pas zbulimit të informalitetit të lartë në turizëm, ku me qindra apartamente, dhoma, vila apo shtëpi jepeshin me qira në Booking apo AirBnB, qeveria po merr masa për të formalizuar sektorin.

Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, Booking ka njoftuar përmes një email-i të gjitha subjektet që përdorin këtë platformë për të dhënë pronën e tyre me qira, që duhet të regjistrohen dhe të vendosin në dispozicion të Booking NIPT-in e tyre brenda 31 tetorit, si dhe të regjistrohen si subjekte të TVSH-së.

Në të kundërt prej datës 1 nëntor do tu mbahet 20% TVSH, mbi komisionin që ata paguajnë për pronën që japin me qira.

“Ju lutem vini në dispozicion numrin tuaj NIPT brenda 31 Tetorit 2023. Gjithashtu konfirmoni regjistrimin tuaj për taksën e TVSH-së, datën e regjistrimit dhe deklaratën e regjistrimit të TVSH-së brenda 31 Tetor 2023. Nga 1 Nëntori 2023, nëse nuk keni dorëzuar regjistrimin e TVSH-së, konfirmimin që jeni i regjistruar në TVSH, datën dhe një kopje të vërtetimit tuaj të regjistrimit do të aplikojmë 20% TVSh në faturën e komisionit që ju dërgojmë”, thuhet në njoftimin e Booking. 

Burime nga strukturat akomoduese që përdorin këto platforma thonë që komisioni që ju mban booking për apartamentin apo dhomën që japin me qira varion, nga 12% deri 18% por në shumicën e rasteve aplikohet tarifa 17% dhe 18%. Mbi këtë komision që paguajnë do tu mbahet edhe TVSH-ja 20%.

Tashmë këto subjekte ose do të detyrohen të pajisen me NIPT dhe më pas të marrin kategorizimin për strukturën akomoduese dhe të përfitojnë TVSH 6%, ose do të vazhdojnë si tani ku Booking ju merr TVSH mbi komisionin si dhe do të paguajnë tatimin mbi të ardhurat e tyre 15%.

Por edhe përmes kësaj skeme nuk do të arrihet formalizimi i plotë i sektorit pasi, shumë subjekte japin shtëpi apo apartamente me qira nëpërmjet rrjeteve sociale si Facebook dhe Instagram.

Regjistrimi i këtyre strukturave sipas ekspertëve është e domosdoshme pasi, ata qarkullojnë shumë të ardhura në informalitet dhe nuk kontribuojnë në buxhet.

“Çdo njësi në ekonominë shqiptare, në çfarëdo lloj forme që një biznes gjeneron të ardhura duhet të jetë i deklaruar, këtu futen edhe njësitë akomoduese ku futen vilat e vogla, dhomat etj,, që nuk ekzistojnë në sistemin fiskal në Shqipëri po janë në ekonominë gri apo edhe jashtë sistemit fare duke u regjistruar në Booking apo AirBnb dhe të gjitha fitimet kalojnë tek pronari pa bërë asnjë deklarim dhe pa sjellë asnjë benefit në buxhet, qoftë për TVSH-në, për tatim fitim apo taksa lokale. Duke mos qenë të deklaruara humbet edhe rrjedha për të mbledhur informacion të saktë nga INSTAT, mbi turistët që vijnë në vend”, shprehet në intervistë për Report TV eksperti i turizmit  Ferjolt Ozuni.

Deri në shtator ishin rreth 28 mijë struktura akomoduese të pa certifikuara që kanë lëshuar prona me qira, kryesisht në sezonin veror. Kjo për shkak se shumë subjekte familjare apo biznese, gjatë verës dhe jo vetëm japin me qira përmes aplikacioneve AirBNB, Booking dhe rrjetet sociale dhoma, apartamente, vila etj, pavarësisht se nuk janë të licencuar.

E gjithë kjo situatë ka rritur evazionin fiskal dhe humbja në buxhet është e konsiderueshme. Për këtë arsye po ndryshohet edhe ligji për turizmin që synon të ulë informalitetit, të rrisë të ardhurat në buxhet dhe të zhvillohet sektori.

 

S.G/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë