Bordellot e Durrësit në vitet ’30,
kënga për prostitutën shqiptare

Bordellot e Durrësit në vitet ’30,<br />kënga për prostitutën shqiptare<br>
Profesor Xhevdet Beja rrëfen Durrësin e asaj kohe. Në vitet '30- të të shekullit të kaluar, qyteti i Durrësit shënoi një zhvillim ekonomik të shpejtë. Në qytetin bregdetar u hapën një rrjet i gjerë hotelesh, restorantesh, tavernash e pensionesh. Por ajo që të habit është funksionimi i një rrjeti shtëpish publike legale por edhe ilegale. Në atë kohë, kanë funksionuar shtatë bordello prej të cilave tri legale dhe katër ilegale. Profesor Xhevdet Beja ose Xhoda sot 85 vjec, durrsak i hershëm, rrëfen me hollësi Durrësin e atyre e viteve, kur qyteti pësoi ndryshime të mëdha ekonomike por edhe sociale.

Sipas tij, në ato vite edhe mentaliteti i durrsakëve u europianizua dhe kjo falë shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore me vendet e huaja kryesisht me Italinë. " Në Durrës funkiononin gjshtë kinema ku shfaqeshin filma të Hollivudit apo filma italianë dhe emrat e aktorëve Alida Vali, Rudolfo Valentino, Greta Garbo e Geri Kuper, Amadeo Nazzaro, Johnny Weissmuller etj.,të cilët ndikonin në mënyrën e veshjeve të krehjes e të sjelljes së rinisë të asaj kohe.

 

Me dhjetëra të rinj e të reja të qytetit bregdetar të Durrësit u regjistruan në universitetet italiane, ndërsa të tjerë me anije kalonin në bregun matanë për të kaluar pushimet apo për të bërë pazare ose për të bërë “shopping” sic i thonë sot", thotë Beja. Ndërkohë, ai pohon se edhe industria e mishit të bardhë njohu zhvillime të paimagjinueshme në ato vite. Mësohet se në këtë qytet morën licencat tri shtëpi publike, ndërsa disa të tjera funksiononin në mënyrë ilegale për të shmangur pagesën e taksave duke bërë evazion fiskal.

Reklamë e kohë
Reklamë e kohës

Xhevdet Beja tregon se "vajzat që shërbenin" u sollën nga jashtë shtetit me përjashtim të njërës që ishte më e bukura dhe që në Durrës i patën kënduar edhe një këngë që interpretohet edhe sot e kësaj dite nëpër dasma.Të rinjtë cmendeshin pas saj. Atë e quanin Lefteri dhe për ta parë atë por edhe për frekuentuar shtëpinë publike ku ajo punonte,vinin djem të rinj edhe nga Tirana. Ajo ishte edhe më e shtrenjta, sqaron profesori.

Shtëpitë publike patën njohur frekuentim të madh jo vetëm nga banorët e qytetit të Durrësit, por edhe nga italianët e të huajt e tjerë që ndodheshin me punë dhe shërbime në qytet.Por vinin edhe nga qytete te tjera kryesisht nga Tirana apo nga Kavaja.

Xhevdet Beja
Xhevdet Beja

Si e mbani mend Durrësin e atyre viteve?
Durrësin e viteve’30 e kujtoj me shumë nostalgji pasi kanë qenë vitet e një zhvillimi të madh, ku pa dyshim ndikimi i Italisë ka qenë tepër i ndjeshëm. Unë në atë kohë kam qenë fare i ri, djalë 15 apo 16 vjeç, por i ruaj të freskëta kujtimet e kohës së Italisë që solli një zhvillim të madh ekonomik ,social dhe kulturor. Shkoja pothuajse çdo pas dite në kinema dhe shikoja me shokët e mij jo vetëm yjet e kinematografisë italiane, por edhe ato të Hollivudit. 

Emrat e Alida Valit, Greta Garbos, Geri Kuperit, Anna Magnanit e të tjerë, na u bënë shumë të dashur. Të rinjtë e Durrësit nisën të visheshin e të kriheshin sipas modës së asaj kohe. Me kostume dopio pet me shami ne xhep dhe me borsalino në kokë.Të tjerë nisën të mbanin mustaqe spic dhe të lyenin flokët me brilantinë që sot rinia e quan xhel.

Kinema në Durrës
Kinema në Durrës

Ndërkohë edhe ekonomia nisi të lulëzojë në atë kohë. Përveç biznesit të vogël që përfaqësohej nga zejtarë të llojeve të ndryshme, në atë kohë lulëzoi veçanërisht sektori i shërbimeve. U ngrit një rrjet i dendur hotelesh, restorantesh, pensionesh, tavernash, baresh dhe kafenesh sipas modeleve perëndimore, kryesisht atyre italiane. Madje këtij rrjeti ju shtuan edhe shtëpitë publike.Kjo tregonte padyshim një civilizim të madh për kohën. Imagjinoni ndryshimin, nga gratë me perce te shtëpitë publike që kishin një frekuentim të madh.

Sa shtëpi publike funksiononin në atë kohë në Durrës?
Një rrjet i tërë. Ligji i Zogut i lejonte shtëpitë publike. U ngritën tri bordello apo shtëpi publike me dokumenta të rregullta, pronarët e të cilave paguanin detyrimet tatimore dhe respektonin të gjitha rregullat higjenosanitare ku padyshim më i rëndësishëm ishte vizita mjekësore e vajzave që shërbenin në këtë sektor. Ndërkohë në Durrës funksiononin edhe katër shtëpi të tjera ilegale. Pronarët e tyre kishin marrë licencat për hotele dhe restorante dhe fshehtazi kishin punësuar edhe vajza.

Flora Samuel

Njëra prej shtëpive publike u krijua nga Flora Samuel, një zonjë që erdhi në Durrës nga jashtë vendit. Atë e kujtoj si një zonjë hijerëndë e cila në vitin 1934 hapi një pension- tavernë e që pas pak vitesh mori edhe licencë për shtëpi publike.

Flora Samuel kishte në dispozicion të shtëpisë publike pesë vajza me kombësi italiane dhe greke. Kishte edhe një shqipare që ishte më e bukura .Atë e quanin Lefteri.Ajo kur ecte rrugës ishte e veshur shumë bukur dhe përdridhej dhe bëntë naze. Djemtë e rinj cmendeshin pas saj. I patën bërë edhe një këngë që edhe sot interpretohet nëpër dasma,kryesisht në Shqipërinë e Mesme. Disa vargje të kësaj kënge më kujtohen fare mirë:

Lefteri moj Lefteri

na more më qafë cunat e ri

c’na more në qafë cunat e ri

tu pi verë tu pi raki

....

jallah jallah porsi rika

Lefteri të raftë pika...etj

Lefteria kishte edhe cmimin më të lartë ndër të gjitha vajzat. Për të vinin nga Tirana dhe Kavaja pasi bukuria e saj kishte marrë nam. Gjithashtu në Durrës funksiononte shtëpia publike”Flora”.Ajo ishte një ndërtesë 2 katëshe që ndodhej në krahun e djathtë të rrugës që të shpie në Spitallë. Kjo shtëpi publike ishte në pronësi të Dik Cërloit, qytetar durrsak.Shtëpinë e mbaj mend si një vend të qetë, pa zhurmë dhe pa muzikë. Ajo frekuentohej kryesisht pas dite.

Tjetër shtëpi publike ishte ajo në që ndodhej në Rrugën “ Monun”. Ajo ishte në pronësi të italianit Augusto Canova. Menaxhere e kësaj shtëpie ishte malazezja Zoica. Ajo kishte një trup të madh dhe ishte tepër e rreptë. Vajzat që ushtronin profesionin në këto shtëpi kontrolloheshin në mënyrë sistematike nga mjekët.

Hotel
Hotel

Ndërkohë ishin edhe katër hotele me restorante të cilët kishin të punësuara vajza por që për të shmangur taksat dhe tatimet nuk i kishin deklaruar ato. Ndërkohë biznesmenë të tjerë,ndërtuan hotele dhe restorante në zonën e plazhit dhe morën masa dhe futën në punë edhe vajzat. Plazhi nisi të frekuentohej shumë në ato vite.

Shtëpitë publike njohën frekuentim të madh në atë kohë. Ishin kryesisht djem të rinj, jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga Tirana,Kavaja etj.qytete si dhe shtetas të huaj me punë në vendin tonë,ata që frekuentonin shtëpitë publike.

Nuk kishte paragjykime për frekuentimin e tyre?
Në fillim po. Prindërit mundoheshin që të pengonin djemtë e tyre që të mos i frekuentonin shtëpitë publike se ky ishte turp. Ndërsa gratë që kishin burra sarhoshë apo qeflinj, që pinin raki,luanin bixhoz dhe ju pëlqente një jetë e tillë, përpiqeshin që ti bindnin ata që të mos hynin në gjynah e të shkonin me ato zuskat.

Por kjo zgjati për pak kohë pasi shtëpitë publike funksionuan jo vetëm në vitet ’30 por edhe gjatë luftës. Frekuentimi ishte i padiskutueshëm.Vetëm pas përfundimit të luftës dhe pushtetin e morën komunistët,shtëpitë publike pushuan së ekzistuari pasi nuk përputheshin gjoja me moralin e tyre.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë