Pas ringritjes së Bordit të Transparencës, me vendim qeverie më 16 shtator, këtë të shtunë, u caktuan çmimet e karburanteve.
Bordi i Transparencës vendosi që nafta të tregtohet jo më shumë se 219 lekë/litri.
Ndërsa, çmimi i benzinës u vendos të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri.
Në këtë vendim të parë pas ringritjes, është aktivizuar edhe ulja e akcizës dhe po ashtu e TVSH-së me 9.5 lekë për litër, pasi prej më shumë se 1 jave çmimi i naftës kishte kaluar 220 lekë dhe i benzinë mbi 200 lekë. Akciza ulet me 20% sa herë që çmimi i naftës me pakicë do të kalojë 220 lekë për litër, dhe i benzinës mbi 200 lekë.
Çmimet e caktuara nga Bordi hyjnë në fuqi sot në orën 16:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Njoftimi i plotë i Bordit të Transparencës
Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e parë.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 19 Shtator 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 219 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 207 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 19 ora 16.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.







Komente
Komento