Shqipëria do të jetë në listën e vendeve që do të jenë pjesëmarrëse në Bordin e Paqes për Gazën pas ftesës që presidenti i SHBA Donald Trump i bëri kryeministrit Edi Rama, ndërsa ky bord do të veprojë si qeveri tranzitore në Rripin e Gazës pas përfundimit të konfliktit.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në emisionin 'Repolitix' në Report Tv tha se ftesa e bërë për Shqipërinë është për qeverinë, por edhe një ftesë personale për kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, kjo ftesë është një sinjal i qartë i marrëdhënieve të mira që ka vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
‘Bordi është për t’u bërë protagonist për zgjidhjen e problemeve në rrafshin global, mund të quhet edhe një lloj konkurrimi ndaj OKB dhe është marrë situata në Gaza pas marrëveshjes për armëpushim dhe për të angazhuar energji politike, ushtarake dhe financiare të shteteve të ndryshme. Në rastin e është ftesë për politikën shqiptare, por edhe personale për zotin Rama. Mund t’ja bënte presidentit të vendit. Nëse do të kishte një problematik të rëndë me SHBA siç ka pretenduar opozita, me siguri Trump do ta çonte ftesën diku tjetër, sepse natyrisht nuk mund t’i shkonte ftesa opozitës. Sapo u bë ftesa u ngritën hipoteza e që e kontestonin, sepse u tha se do të ketë pagesë dhe se ishte një ftesë me kushte dhe këto të gjitha u rrëzuan’, tha ai.
Ish- deputet i PD Ethem Aga tha se ftesa e bërë për Shqipërinë për t'u bërë pjesë e atij bordi është një ftesë që duhet marrë seriozisht dhe se vendi duhet që të bëhet pjesë e tij. Sipas Agës, Franca e mbështet nismën në parim, por ka zgjedhur të mos jetë pjesë e bordit.
‘Franca nuk është dakord që të jenë pjesë e bordit, jo se nuk janë dakord me nismën, ata nismën e mbështesin, por nuk duan që të jenë pjesë e bordit. Kjo është ftesë që i bëhet Shqipërisë, duhet që të jetë pjesë e bordit për mendim tim sepse ftesa erdhi nga SHBA që është partneri ynë kryesor, duhet që të jetë pjesë e bordit’, tha ai.
Analisti Indrit Vokshi, u shpreh se përfshirja në Bordin e Paqes përbën një detyrim shtetëror. Sipas Vokshit, Bordi i Paqes është një instrument i presidentit amerikan Donald Trump për të vënë në zbatim politikën e tij të jashtme.
‘Qeveria e ka detyrim shtetëror, është një rutinë shtetërore, nuk është se po provokon opozitën edhe pse këtë gjë e ka bërë gjatë këtyre viteve. Bordi i paqes është instrument i presidentit Trump që politikën e tij të jashtme ta bëjë realitet dhe ta ekzekutojë. Me mbarimin e mandatit të Trump nuk do të jetë më me shumë gjasa ky bord. A duhet që të bëhet pjesë Shqipëria? Nuk ka pse të mos bëhet pjesë. Shqipëria i është bashkëngjitur secilës iniciativë të SHBA dhe s’ka pse të mos i bashkohet edhe kësaj nisme dhe nuk ka asgjë që mund të cenojë interesat e shtetit shqiptar, është në interes të Shqipërisë’, tha ai.
Analisti Endri Tafani tha se Bordi i Paqes është një organizatë që po përpiqet të zëvendësojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara në zgjidhjen e konflikteve që, sipas tij, OKB-ja nuk ka arritur t’i zgjidhë.
Ai tha se qëllimi i vetëm i Trump me ngritjen e këtij bordi është pushtimi i Groenlandës.
‘Bordi i paqes është një organizatë që po përpiqet që të zvendësojë OKB që të zgjidhin ato konflikte në botë që nuk i ka zgjidhur OKB. Për Bordin e Paqes nuk do të firmosin vendet e BE por do të firmosin ato vende si Bjellorusia, Katari etj. Nëse edhe Shqipëria shkon me këto vende Trump thotë një vatër e nxehtë është Groenlanda që duhet ta zgjidhim dhe ti pozicionosh në këtë bord me Trump kundër pjesës tjetër të BE. Ky bord tenton që të marr ato pushtete që i ka OKB, pra për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Trump është ai që vendos agjendën dhe nëse ai thotë do të diskutojmë për Groenlandën, do të diskutohet për atë, për ta zgjidhur si problem dhe mund do të ketë kurs përplasje me BE’, tha ai.
Ish- deputeti i PS Petro Koçi komentoi edhe polemikat Këshilli i Lartë Gjyqësor-Prokurori për gjyqtaren Irena Gjokën, e cila rezulton e dënuar në Greqi për falsifikim vize.
Koçi theksoi se dënimi në Greqi nuk lidhet me vendimet që ajo ka marrë si gjyqtare.
‘Kjo s’do të thotë asgjë lidhur me vendimet që ajo ka marrë si gjyqtare për rastet në fjalë, sepse po të ishte çështje sekrete që ta dijë dikush si rasti i bashkëpuntorëve të sigurimti kjo mund të ishte një arsye që gjykimi të mos ishte objektiv nga ana e saj. Por nëse rezulton si thuhet që është dënuar atje atëherë do të ketë pasoja. Po kjo e KLGJ është lojë, nesër do të thonë na erdhi dhe e ka fajin postieri’, tha ai.
Analisti Indrit Vokshi tha se Greqia duhet që të kishte treguar lidhur me dënimin e saj.
‘Është interesante që ata që e kanë ditur dënimin dhe nuk ja kanë dhënë vetingut para disa vitesh, pra them për ata zotërinjt në Greqi, duhet ta kishin paraqitur pranë institucioneve të vetingut. Dhe fakti që se kanë bërë tregon se kanë dashur që ta mbajnë nën shantazh me dosje sekrete’, tha ai.
Komente








