Bordi i Paqes për Gazën, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur rindërtimin e territorit palestinez, po përgatit kontratën e tij të parë të ndërtimit. Sipas The Guardian, projekti parashikon ngritjen e një baze të vogël ushtarake me kapacitet për rreth 150 trupa marokene.
Duke cituar një burim të njohur me çështjen, gazeta britanike shkruan se kontrata pritet t'i jepet kompanisë amerikane Arkel International, me seli në Luiziana, e cila ka kryer më parë projekte për qeverinë amerikane, përfshirë në Irak. Megjithatë, kontrata nuk është finalizuar ende.
Në një reagim për The Guardian, një zyrtar i Bordit të Paqes konfirmoi se institucioni dhe Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës, i përbërë nga teknokratë palestinezë, ndodhen në fazën përfundimtare të përgatitjes së disa kontratave, por theksoi se asnjëra prej tyre nuk është miratuar përfundimisht.
Sipas zyrtarit, një nga kontratat lidhet me ndërtimin e objekteve që do të mbështesin Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila parashikohet të ndihmojë në zbatimin e planit për sigurinë dhe administrimin e Gazës.
Burimi i cituar nga The Guardian thotë se baza e planifikuar do të ketë përmasa rreth 100 me 120 metra dhe do të ndërtohet në zonën e Gazës që kontrollohet nga ushtria izraelite. Ajo do të shërbejë për strehimin e një kontingjenti trupash marokene, të cilat do të zëvendësohen me rotacion nga një bazë në Izrael.
Sipas dokumenteve të mëparshme të parë nga gazeta, kjo bazë do të ishte faza e parë e një projekti më të madh për ndërtimin e një baze ushtarake me kapacitet deri në 5 mijë trupa të forcës ndërkombëtare. Në fazën fillestare, objekti do të përbëhej nga tenda, shtretër fushorë, tualete kimike dhe pika për larjen e duarve.
Lajmi vjen pak ditë pasi Trump deklaroi se Hamasi kishte pranuar të çarmatosej, ndërsa Izraeli ka shprehur kundërshtime ndaj planit dhe ka intensifikuar sulmet ajrore në Gaza.
Në janar, gjatë mbledhjes së parë të Bordit të Paqes, Jared Kushner prezantoi një plan ambicioz për ndërtimin e një "Gaze të Re", me qytete bregdetare dhe ndërtesa moderne. Megjithatë, sipas The Guardian, plani fillestar është reduktuar ndjeshëm dhe tashmë fokusohet në projekte pilot në jug të Gazës.









Komente
Komento