Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha të dielën se shtetet anëtare të “Bordit të Paqes” kanë premtuar më shumë se 5 miliardë dollarë për rindërtimin dhe përpjekjet humanitare në Gaza.

Shqipëria do të jetë e pranishme në takimin e 19 shkurt në Uashington, e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama. Nuk dihet nëse vendi ynë ka kontribuar me ndonjë shumë dhe as shifra lidhur me vendet e tjera, pasi do të jetë vetë Trump që do t’i shpallë, sipas postimit të tij në Truth Social.

Ngjarja pritet të tërheqë delegacione nga më shumë se 20 vende, përfshirë krerë shtetesh.

Rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë 70 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian, pas më shumë se dy vitesh lufte.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA më 10 tetor parashikon një forcë të armatosur ndërkombëtare për të garantuar sigurinë dhe për të çarmatosur Hamasin, por pak vende kanë shprehur interes.

Trump shkroi se shtetet anëtare të bordit janë angazhuar të kontribuojnë me mijëra pjesëtarë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit dhe policisë, të autorizuar nga OKB-ja, në enklavën palestineze, duke e quajtur bordin “organin më efektiv në historinë ndërkombëtare”. Ai nuk përmendi se cilat vende planifikojnë të kontribuojnë.

“Bordi i Paqes ka potencial të pakufizuar. Tetorin e kaluar, unë publikova një plan për përfundimin e përhershëm të konfliktit në Gaza, dhe vizioni ynë u miratua unanimisht nga Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Menjëherë pas kësaj, ne lehtësuam ndihmën humanitare me shpejtësi rekord dhe siguruam lirimin e çdo pengu, të gjallë dhe të vdekur. Vetëm muajin e kaluar, dy duzina anëtarësh themeluesish të shquar u bashkuan me mua në Davos, Zvicër, për të festuar formimin e tij zyrtar dhe për të paraqitur një vizion të guximshëm për popullin e Hazës, dhe më pas, përfundimisht, shumë përtej Gazës – paqen në botë! Më 19 shkurt 2026, unë do të bashkohem sërish me anëtarët e Bordit të Paqes në Institutin e Paqes Donald J. Trump Institute of Peace në Uashington, D.C., ku do të njoftojmë se shtetet anëtare kanë premtuar më shumë se 5 miliardë dollarë për përpjekjet humanitare dhe rindërtimit në Gaza, dhe janë angazhuar me mijëra personel në forcën ndërkombëtare të stabilizimit dhe policinë lokale për të ruajtur sigurinë dhe paqen për banorët e Gazës”, shkruan Trump.

Megjithatë, ushtria e Indonezisë konfirmoi të dielën se pret që deri në 8,000 trupa të jenë gati deri në fund të qershorit për një mision të mundshëm paqeje dhe humanitar, angazhimi i parë konkret për forcën e propozuar.

Trump po ashtu po i bën thirrje Hamasit të ecë përpara me çarmatosjen e plotë sipas planit të tij pasluftës për Gazën.

“Shumë e rëndësishme, Hamasi duhet të respektojë angazhimin e tij për demilitarizim të plotë dhe të menjëhershëm”, shkroi ai në postimin e tij në Truth Social.

Çarmatosja është një pjesë e rëndësishme e fazës së dytë të planit të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA, i cili u ra dakord në tetor mes Izraelit dhe Hamasit. Ky plan synon t’i japë fund konfliktit që filloi pasi Hamasi sulmoi Izraelin në tetor 2023.

Faza e dytë parashikon që forcat izraelite të tërhiqen gradualisht nga Gaza dhe që Hamasi të çarmatoset. Një forcë ndërkombëtare stabilizimi do të vendoset për të garantuar sigurinë.

Megjithëse Hamasi ka sinjalizuar se mund të shqyrtojë dorëzimin e armëve te një autoritet i ardhshëm qeverisës palestinez, ai ka deklaruar vazhdimisht se çarmatimi është një vijë e kuqe.

Të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën çdo ditë për shkelje të armëpushimit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, trupat izraelite kanë vrarë më shumë se 590 palestinezë në territor që nga fillimi i armëpushimit. Gjatë së njëjtës periudhë, Izraeli raportoi se katër ushtarë të tij janë vrarë nga militantë palestinezë.