TIRANË- Menjëherë pas ngritjes së Bordit të Transparencës, ekipet  monitoruese do të zbresin në terren për të monitoruar tregun dhe për të mos lejuar abuzimin me çmimet. Kjo është bërë me dije nga ministrja e financave Delina Ibrahimaj në një intervistë për gazetaren Anduela Ndreu në emisionin ‘Pa Protokoll’ në Report TV.

Ibrahimaj tha se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të kujdesen që tregtarët të kenë marzhe fitimi të ulët, si edhe që produktet e shportës të shiten me kosto reale në mënyrë që të mos rëndohen xhepat e konsumatorëve.  

“Do ta mbajmë në monitorim. Gjithë ekipet tona administrativeve, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut, AKU do jenë në terren që çmimi të transferohet tek konsumatori me marzhe minimale fitimi dhe që çmimi për disa produkte të përcaktuara të shportës që janë bazike të pasqyrojë koston reale dhe të mos ketë abuzime”, tha Ibrahimaj në Report Tv.

Ibrahimaj shpjegoi në Report TV se Bordi i Transparencës përbëhet nga qeveria dhe përfaqësues të bizneseve me qëllim që të monitorojë përcjelljen e çmimit tek qytetarët. Ibrahimaj solli në vëmendje edhe Paketën e Rezistencës Sociale për shtresat me të prekura, që do të përfitojnë 3 mijë lekë në muaj për produktet e shportës pas rritjes që ato kanë pësuar.

“Kemi vendosur krijimin e këtij bordi që do ketë përfaqësim nga biznesi dhe qeveria me qëllim monitorimin dhe transparencën e çmimeve. Në Shqipëri çmimet janë transferuar më vonë, në shkurt e kishim inflacionin 3.9% në total, ndërsa ai ushqimeve 6.9%. Çmimet janë rritur shumë më shpejt. Këto çmimeve vijnë si pasojë e rritjes së çmimeve të bursës për miellin grurin, importin, karburanteve që kanë ndikuar në kostot e transportit. Qëllimi i bordit është të monitorojë përcjelljen e çmimit, çmimi importit të përcillet me marzhe sa më të ulët fitimi për produkte bazike. Nuk kemi bërë vetëm këtë. Ne kemi krijuar një paketë masash e cila sigurisht është bërë publike prej disa ditësh tashmë që merr përsipër të mbulojë nga rritja e çmimeve kategoritë më në nevojë”, u shpreh ministrja.

Pas një mbledhje maratonë me përfaqësues e të tregtareve të shumicës dhe pakicës të ushqimeve të shportës, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj dhe ministrja e Bujqësisë Frida Krifca në një deklaratë për mediat bënë me dije se qeveria nuk mund të vendosë një çmim për ushqimet bazë për shkak se operohet në një treg të lirë, por u ra dakord me kompanitë që të mos kenë marzh fitimi. Ibrahimaj tha se qeveria ka vendosur një garanci monetare për tregtarët, në mënyrë që familjet shqiptare të mos paguajnë asnjë qindarkë më shumë seç duhet.