Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja tavan për karburantet në vend, të cilat do të hyjnë në fuqi më 2 qershor, në orën 15:00.

Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën e standardit SSH EN 590 është përcaktuar 191 lekë për litër, ose 6 lekë më shumë se në vendimin e mëparshëm. Për tregtimin me shumicë, çmimi tavan është vendosur në 179 lekë për litër.

Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 175 lekësh për litër në pakicë dhe 164 lekësh për litër në shumicë. Bordi ka përcaktuar gjithashtu çmimin e gazoilit për peshkim në 96 lekë për litër.

Autoritetet bëjnë me dije se çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e tregut. Operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë janë të detyruar të zbatojnë vendimin, ndërsa për shkelësit parashikohen masa deri në pezullimin e aktivitetit.

Në njoftim sqarohet se niveli i akcizës do të zbatohet sërish i plotë, në masën 100%, pasi çmimet aktuale mbeten nën pragjet e përcaktuara nga Akti Normativ i 3 prillit 2026, që parashikon lehtësim vetëm në rast se nafta kalon 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë për litër.

Qeveria riktheu Bordin e Transparencës në fund të marsit, me argumentin e stabilizimit të tregut të karburanteve dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga luhatjet e forta të çmimeve si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme

Njoftimi i plotë për shtyp 

"Bordi i Transparencës në datë 2 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi: 

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 191 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 179 lekë/litër. 

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë jo më shumë se 176 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 164 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 2 ora 15.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

 Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë  janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim - çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.  Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 96 lekë."