TIRANË- Nafta, benzina dhe gazi, do të kushtojnë më shumë në pikat e karburantit duke filluar nga dita e sotme. Në çmimet e publikuara sot nga Bordi i Transparencës, vihet re një rritje të lehtë, me vetëm 1 lekë/litri për benzinën dhe gazit, e më konkretisht, benzina ishte 208 lekë dhe tani do të jetë 209 lekë, e ndërsa gazi ishte 114 lekë dhe tani do të shitet me 115.

Një rritje më të madhe ka pësuar nafta, ku nga 226 lekë që ishte nga sot do të shitet me 233 lekë litri. Në njoftim specifikohet që çmimi i gazit për familjarët duhet të jetë më i lirë, pasi nuk përfshin akcizën.

"Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 5 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare. Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, vendosi:
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 05.04.2022 deri në datë 12.04.2022, si më poshtë: 221 Lekë/litri për gazoilin; 197 Lekë/litri për benzinën; 103 Lekë/litri për benzinën. 
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 05.04.2022 deri në 12.04.2022, si më poshtë: 233 Lekë/litri për gazoilin; 209 Lekë/litri për benzinën; 115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën)", thuhet në njoftim. 

Me këto çmime të përcaktuara nga Bordi i Transparencës marzhi i fitimit nga kompanitë e pakicës është 12 lekë litri. Pasi sipas të dhënave nafta me shumicë do tregtohet me 221 lekë litri, benzina me 197 lekë litri dhe gazi me 103 lekë, ndërsa kompanitë e shumicës marzhin e fitimit e kanë 3 lekë/litri.

Këto çmime do që jenë në fuqi deri më 12 prill, ku dhe do të mblidhet sërish Bordi i administrimit të Karburanteve, për të parë në çmimet kanë pësuar ose jo një rritje në tregjet ndërkombëtare.

Grafiku i çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare shkurt-prill

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë, në të kundërtën do të ndëshkohet duke nisur nga gjoba nga 2 mln lekë për ato që tregojnë me pakicë deri në 10 mln lekë për shumicën, por edhe heqja license nëse shkelja është e përsëritur. 

Bordi i Administrimit të Karburanteve u ngrit pikërisht për të bërë transparent lëvizjen e çmimit të naftës në bursë e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe shmangien e abuzimeve brenda tregut tonë me karburantet.

Nafta
Ishte 226 lekë litri
U bë 233 lekë litri
Benzina
Ishte 208 lekë litri
U bë 209 lekë litri
Gazi
Ishte 114 lekë litri
U bë 115 lekë litri

Anëtarët e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburanteve 
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj
Drejtori i drejtorisë së Tatimeve, Ceno Klosi
Drejtori i drejtorisë së Doganave, Gent Gazheli
5 përfaqësues nga shoqërite e hidrokarbureve të cilat kanë xhiron vjetore më të lartë në vitin paraardhës