SARANDË - Ish-deputeti i PS-së, Auron Tare, ka ngritur shqetësimin e autobusave turistikë të palicensuar si një faktor që tremb dhe largon tuistët e huaj nga Shqipëria. Tare është nisur nga një fakt i publikuar po prej tij: një autobus i rrëzuar në mes të rrugës së Borshit, që bllokoi trafikun për gati dy orë.
 
Ai shkruan në faqen e tij në Fb:  “Një autobuz  i rrëzuar në mesin e xhadesë së Borshit bllokoi trafikun për gati 2 orë. Mes makinave të bllokuara ishte edhe një autobuz me turistë gjermanë,  të cilët, të lemerisur pyesnin shoqëruesit e tyre nëse autobuzi që ata udhëtonin ishte i licensuar nga Ministria e Turizmit apo jo.
 
Autobuzi i rrëzuar, që për fat nuk pati viktima, mund të kishte qënë çdo autobuz me turistë që udhëton nëpër Shqipëri,”- shprehet Tare.
 
“Problemi i madh,”- sipas tij, - “qëndron në faktin se askush nuk i kontrollon këta autobuzë, askush nuk i pajis me licensë të posaçme për turistët, askush nuk mban përgjegjësi nëse ndodh diçka.”  
 
Për këto arsye, Tare e sheh të nevojshëm dhe urgjent, “sistemin e licensimit të çdo transporti që përdoret për turizmin, pasi mund të kemi pasoja të pariparueshme në tregun e turizmit nëse, larg qoftë, ndonjë autobuz me turistë përfundon kështu i shtrirë në xhade.”

autobusi i rrezuar ne borsh
 (Autobuzi i rrëzuar në rrugën e Borshit, publikuar nga Tare)

Redaksia online
(Armanda Shtëmbari/shqiptarja.com)