Borxhet e parlamentit

Borxhet e parlamentit
Për herë të parë që nga 1997 parlamenti është thirrur në një seancë të jashtëzakonshme. Nuk do vendoset shtetrrethim, por do të votohen “ligjet e integrimit”. Bëhet fjalë për rregulloren e parlamentit (që shpërndahet), ligjin e administratës publike (që po mbush me urdhër sheshet e mitingjeve) dhe ligjin mbi Gjykatën e Lartë (që u blindua me të deleguar politikë). Na ishte thënë se nga këto tre ligje varej fati ynë integrues, miliona euro investime, e ardhmja e fëmijëve, se kushti për to lidhej me shtetin ligjor, ligjshmërinë e qarkut Fier, etj, etj. Tani që orët po numërohen deri në votim të gjithë e dimë se asnjëra prej këtyre pritjeve nuk është e vërtetë. Miratimi i tyre është lajm i morë, por i pamjaftueshëm për të qenë progres.

Sepse ndodh vonë, shumë vonë, me shumë kosto dhe energji të humbura, pa sens praktik dhe në kushtet e rënies së dukshme të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Vendi sot përballet me sfida të tjera: janë zgjedhjet dhe kriza në KQZ është simbol për të treguar se nuk jemi në rrugën e duhur; përdorimi i shtetit në fushatë është sinjal tjetër se kostoja zgjedhore do jetë e shumëfishtë; raportet e Tiranës politike me SHBA dhe BE janë në pikën e tyre më të ulët politike që prej vitit 2005.
Fushata me tri ligjet e dha efektin e vet dhe palët morën gjithçka prej saj. Të djathtët rikthyen retorikën kundër opozitës antiperëndimore, të majtët nuk e lejuan qeverinë të tundë në fshatra flamurin e integrimit siç bëri me flamurin e NATO-s më 2009. Tani asnjëra palë nuk ka më çfarë të fitojë ose humbë, ndaj janë pranë konsensusit dhe çështja e ligjeve është temë e tejkaluar.

Praktikisht sondazhet tregojnë se 90% e shqiptarëve janë më shumë të shqetësuar për papunësinë (45%) korrupsionin e lartë (27%), shëndetësinë (10%) dhe koston e lartë të jetesës (9%) sesa për kalimin e 3 ligjeve apo retorikën sezonale të integrimit. Ata e deshën dhe e duan integrimin kur kjo përkthehet më standarde demokracie, zhvillim e mirëqenie, jo thjesht si slogan që qeveritë dhe pushtet përdorin si alibi për dështimet e tyre të brendshme.

Ata e deshën NATO-n, por kur panë se anëtarësimi në NATO nuk mjaftoi, përkundrazi; - ushtria u bë më e politizuar, paratë e saj përdoren për reklama elektorale dhe jo teknologji ushtarake, se gjeneralët e Gërdecit u zëvendësuan me gjeneralët që përdorin ushtrinë si roje private të bizneseve familjare, - me siguri kanë sot një perceptim tjetër për fushatën politike të “miracle of freedom”. E njëjta logjikë vlen edhe për raportet me BE. Shqipëria nuk ka asnjë zyrtar të lartë të ndaluar apo dënuar për korrupsion edhe pse kryeson listën e vendeve me nivelin më të lartë të korrupsionit, raportet monitoruese flasin se administrata jonë është ndër më partiaket, institucionet ndër më të politizuarat, gjykatat ndër më të korruptuarat dhe kështu, çdo ligj formal për to në një sistem të sëmurë politik nuk përbën zgjidhje dhe as jep sinjale shprese.

Parlamenti ka lajmëruar se në seancë do diskutohet edhe një amnisti fiskale, tipike për regjimet që duan të sakrifikojnë gjithçka shtetërore në këmbim të ndonjë vote elektorale. Ja p.sh, le të bëjmë amnisti për të gjithë e për gjithçka. Çfarë ndodh me financat e shtetit, me parimin e barazisë kushtetuese të qytetarëve, me tregun dhe me shoqërinë? Logjika e tokës së djegur është mallkimi i ri, i njëjtë në pasoja si më 1991 apo 1997. Gjithsesi edhe kjo nismë bazohet në logjikën e votës elektorale: nuk ka rëndësi nëse miratohet, rëndësi ka që qytetarëve e biznesit u thuhet se qeveria deshi tu falë të gjitha borxhet, por nuk e la opozita armiqësore! Siç ka thënë në çdo rast e për çdo gjë! Një logjikë që fatkeqësisht vjen edhe nga opozita e Rilindjes, e cila në mënyrën më absurde deklaron se do falë pas 23 qershorit të gjitha gjobat e vendosura nga organet tatimore dhe ligjore!

Seanca e të enjtes do ketë edhe një funksion tjetër themelor: palët do zhvendosen nga mitingu në shesh në mitingun në parlament, me fjalime e sulme politike, me sharje dhe akuza, me incidente dhe provokime. Për ta (keq)përdorur parlamentin maksimalisht edhe në ditën e fundit (të jashtëzakonshme) të mbledhjes së tij, - një mesazh i kundërt me pritshmërinë mbi domethënien e tri ligjeve, integrimit dhe këshillave ndërkombëtare për Shqipërinë.

Në një vend normal, kohë normale dhe me politikanë normale parlamenti do të duhej tu përgjigjej edhe katër çështjeve pezull: çfarë do ndodhë me komisionin hetimor mbi grushtin e shtetit, mbi komisionin hetimor të masakrës së Tivarit, mbi komisionin hetimor të “veshit” apo mbi KQZ-në? Ky parlament pati kurajën të krijonte komisione të tilla absurde, militante dhe antikushtetuese. Janë harxhuar miliona lekë shpenzime për mbledhjen dhe funksionimin e tyre, për dieta, udhëtime, përkthime, studime, ekspertiza, etj. Çfarë ndodh me to? Asgjë. Si përherë, harrohen, injorohen me shpresën se çudia vetëm 3 ditë zgjat!

Po publiku? Po detyrimi kushtetues për transparencë? Po premtimet e të njëjtëve politikanë në fushata se kërkojnë mandat për qeverisje të ndershme dhe evropiane të Shqipërisë? Po sloganet e ecjes përpara apo të rilindjes? Ato nuk kanë rëndësi. Rëndësi ka që zonja do ulet në krye të parlamentit, partia do mbledhë parlamentin, secili do flasë si të dojë dhe çfarë të dojë, kurse publiku...duhet t’i votojë, pa fjalë, pa shanse reagimi, pa pasur mundësinë të votojë nominalisht deputetët, pa garanci se vota e tyre do numërohet dhe pa shpresë se 23 qershori do të jetë një ditë e re ndryshimi pozitiv në jetën e tyre.

Ky parlament nisi me situatë të jashtëzakonshme (bojkoti i opozitës, koalicioni Meta – Berisha) dhe po përfundon me përfundon me sesion e tipare të jashtëzakonshme (qeveria që mbetet në post për shkak të blerjes së katër deputetëve të majtë, seancës për tri ligjet dhe llogaria hapur me komisionet hetimore). Koha është që dikush të kërkojë ndjesë, gjë që nuk pritet. Këtë të enjte do shohim përsëri sesi miliardat e harxhuara për këtë parlament janë lekë të harxhuara, se kjo klasë politike është e pa reformueshme dhe se vendi është e ndodhet në krizë të thellë të identitetit politik, institucional e shtetëror. E thënë në 100 vjetorin e shtetit kjo merr vlera të dyfishta negative. E thënë në prag të zgjedhjeve ku cilësia e parlamentit pasues pritet të jetë edhe më dobët, më pak përfaqësuese, - ky cilësim realist shkakton zhgënjim, mosbesim të thellë, ngjall revoltë dhe protestë të fortë qytetarie.

Paralajmërimi vjen i qartë: parlamentarizmi në Shqipëri ndodhet i rrezikuar, ai nuk prodhon më politikë dhe oferta zhvillimi, ky model nuk ofron garanci dhe as besueshmëri, nuk përfaqëson në cilësi e sasi qytetarët dhe nuk vepron në përputhje me interesat madhore publike e shtetërore. Një cilësi, e cila pavarësisht ndonjë ligji e rregulloreje të votuar, edhe më tej na lë jashtë Evropës, larg vlerave, parimeve, standardeve dhe projekteve të saj, pra jashtë projeksionit tonë publik e kombëtar. Një borxh i madh moral, kushtetues, moral dhe politik që na vjen si “meritë” e këtij parlamenti, këtyre drejtuesve, kësaj klase politike dhe kënetës që ato kanë krijuar për të mbijetuar shteti, qytetarët dhe shoqëria.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës