Gjysma e parë e vitit është mbyllur me ecuri pozitive sa i përket uljes së borxhit publik. Referuar raportit të fundit të Ministrisë së Financave, në fund të muajit qershor borxhi u ndal në 49.02%, ose afro 3.9% më pak se në fund të vitit të kaluar.
Përllogaritja e borxhit në përqindje bëhet mbi një Prodhim Kombëtar prej 29.8 miliardë euro, në rritje krahasuar me vjet, çka ul direkt edhe përqindjen e borxhit në raport me PBB-në. Ndërsa përkthyer në vlerë, borxhi i Shqipërisë përllogaritet në 1.3 trilionë lekë ose afro 14.6 miliardë euro me kursin aktual dhe është tkurrur me afro 360 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.
Ndryshe nga periudhat e kaluara, kur zhvlerësimi i valutave jepte kontributin kryesor në uljen e borxhit, në këtë gjashtëmujor të parë të vitit 2026, ndikimi më i madh është regjistruar tek borxhi i brendshëm. Konkretisht borxhi i brendshëm është ulur nga 31.4% në 29.1%, ndërsa borxhi i jashtëm u ul me 1.59%, dhe aktualisht ka zbritur në 19.92%.
Zhvlerësimi i valutave dhe kryesisht i euros e ka bërë më të lirë borxhin e huaj, për shkak se këstet e shlyerjes së tij kanë qenë më të ulëta. Referuar raportit, borxhi publik i Shqipërisë është i përqendruar kryesisht për mbështetje buxhetore, për sektorin e energjisë dhe atë të transportit.
Ministri i Financave, Petrit Malaj thotë se brenda 5 vitesh borxhi publik është ulur me 21.1%, si rezultat i menaxhimit të kujdesshëm të financave publike dhe i borxhit publik.
“Është ulur pesha e borxhit afatshkurtër, është rritur jetëgjatësia mesatare e borxhit të brendshëm dhe është reduktuar pesha e borxhit që maturohet brenda një viti, duke forcuar qëndrueshmërinë e financave publike”, thotë Malaj.
Komente








