Ndërhyrja amerikane në Venezuelë ndihej sa i përket qëllimeve, por nuk pritej sa i përket formës. Kjo ndërhyrje shokuese e grisi ambalazhin e vjetër të botës, rendin e pas luftës së dytë botërore.  Edhe në atë rend qëllimet dhe interesat e fuqive ishin prezente, por të veshura me një mantel moral. Ky mantel ishte i domosdoshëm, pasi, të tmerruar nga dy luftra botërore në më pak se 30 vjetë, popujt perëndimor donin paqe me çdo çmim.

Dobësia e frikës nga luftrat u shndërua nga shoqëritë perëndimore në etikën e paqes. Kjo u materializua në mekanizma ndërkombëtar që, mbi këtë moral, normuan rendin botëror. Liria, demokracia dhe prosperiteti duheshin siguruar jo me luftë, po me paqe. Perëndimi u tkurr teritorialisht, por jo ekonomikisht. Kontrolli mbi tregjet ishte mekanizëm për të shmangur luftërat dhe njëherësh mbrojtur interesat. Pra, konukrenca e interesave thjeshtë u fsheh. U fsheh nëpërmjet tregëtisë së lirë dhe normativat mbi mallrat.

Kemi mbërritur në fund të kësaj epoke. Tregëtia e lirë, transferimi i punës, i kapitaleve dhe mallrave, si çdo rregullim i mëparshëm botëror, siguruan, edhe pse në mënyrë jo proporcionale, përfitime për të dy palët, si për të fuqishmit, ashtu edhe për të dobtit. Jo vetëm fuqitë e mëdha, por edhe vendet e varfëra u pasuruan falë këtij sistemi. Ekonomi të reja u bënë konkuruese dhe e shfrytëzuan sistemi po aq sa ata që e dizenjuan.

Ky sistem, me institucione bazuar në normime dhe ligje ndërkombëtare me frymëzim etik dhe moral dhe me synim parandalimin, ose të paktën. kufizimin, e përdorimit të forcës, ky sistem, i bazuar në tregërinë e lirë, ndërvarësinë ekonomike dhe globalizmin, nuk është më. Trump është njeriu simbol i ndryshimit që kishte ardhur, por askush nuk donte ta pranonte.

Kjo do të ndodhte edhe po të mos kishte fituar Trump, por aksioni dhe sjellja e tij politike i dhanë nxitimin e domosdoshëm ndryshimit. Bota, edhe pse nuk ka ende një sistem të ri rregullash të reja, po ecën me shpejtësi dhe vendosmëri drejt ndryshimit ende të panjohur.

Ky tranzicion drejt një rregullimi apo një ekuilibri të ri mund të shoqërohet me përplasje, mund të mbetet i kufizuar në rivalitete me tension, por në çdo rast përfundimi do të jetë një rend me filozofi, me qasje dhe me praktikë krejt tjetër sa i përket çështjeve të sigurisë, të energjisë, të teknologjisë, të financave dhe tregjeve. Ky ndryshim do të sjellë pozicionim të ri për fuqitë e mëdha, SHBA, Kinën, Rusinë, BE-në, Indinë, Japoninë, etj. Sigurisht ky ndryshim i sistemit global do ketë edhe ndikim në sistemet politike të shteteve, në sjelljen e qeverive dhe raporteve me qytetarët e tyre.

Thënë të gjitha këto, bëhet e qartë se rasti i Venezuelës nuk është një ngjarje e shkëputur, as një çështje energjie, droge, sigurie, etj si këto. Nuk është as thjeshtë linjëzim i njërës hemisferë, asaj perëndimore. Është zilja e zgjimit për një botë të së nesërmes rregullat dhe zakonet e të cilës ende ne nuk i dimë. Fatkeqësisht për popujt e vegjël këto ndryshime tektonike janë fatalitete.

Ndodh që marrin për mirë, e ndodh që marrin për keq. Ne shqiptarët nuk kemi as rol, por as kapacitet të ecim paralel apo në krahë të ndryshimit. Por, na duhet të zgjohemi. Na duhet të vëzhgojmë me alarm atë që ndodh. Nuk duhet të sillemi siç kemi bërë deri më sot. Nuk duhet të sillemi si tifozë dhe si bastexhinj të ndeshjeve të botërorit. Nuk ka asnjë kuptim të sherrosemi dhe të rrezikojmë interesat tona, kur as nuk jemi në lojë. Si popull i uritur për tu bërë pjesë e qytetërimit perëndimor, duhet të shohim me alarm çdo krisje, apo rivalitet mes Europës dhe SHBA-së, jo të zgjedhin për konsum të brendshëm njërën skuadër kundër tjetrës. Lëvizjet e deri sotme tregojnë se SHBA nuk janë më garantues të sigurisë për Evropën.

Evropa duhet ta përballojë vetë sigurinë e saj, duke iu rikthyer industrisë së armatimeve, teknologjisë së lartë, forcimit të kapaciteteve ushtarake. Kjo do të thotë më pak para për shërbime dhe mbulim social. Po ashtu, SHBA nuk është më garant i zhvillimit ekonomik evropian. Balancimi i tarifave, dikur të favorshme për Evropën dhe të pafavorshme për amerikën i siguruan ekonomive evropiane tregje për prodhimet e tyre, në dëm të atyre amerikane, çfarë SHBA e kompensonte me mjete financiare dhe burime energjitike që kontrollonte.

Tashmë Evropa do duhet të jetë kompetitive, në teknologji, burime energjie, në fuqi punëtore dhe dinamizëm financiar. Të dy këto komponentë paralajmërojnë një të ardhme të afërt plot pasigurt ekonomike për BE-në. Pos këtyre dy aspekteve, që mund të shihen shumë të drejta jo vetëm nga këndvështrim amerikan, ka dhe zhvillime të natyrës politike. Qasja e re, e mbrojtjes dhe avancimit të interesave kombëtare nëpërmjet projektimit apo aplikimit të forcës është shoqëruar edhe me retorikë nacionaliste. Në dokumentin strategjik të SHBA inkurajohen qartazi partitë evropiane me filozofi nacionaliste. Për shumëkënd ky qendrim mund të duket se lidhet me orientimin politik dhe dallimet mes të majtës dhe të djathtës, apo mes establishmentit dhe forcave anti sistem. Jo. Në thelb ato inkurajojnë tharmin e një fryme që ve në pikëpyetje vetë ekzistencën e BE-së.

Asgjë më shumë se nacionalizmi nuk e shkatëron projektin e BE-së. Me shtrëngim ekonomik dhe me përhapje të ideologjive nacionaliste, mbi BE-në fryjnë re të zeza. E sigurt që BE do të reagojë. Dikush duke iu rikthyer me dashuri ideologjike Manifestit të Ventotenes, për një Evropë socialiste, dikush si Gjermania, duke riprojektuar forcën si fuqi e dikurshme Europiane, dikush duke ndjekur rrjedhat me qasje pragmatike, dikush duke synuar shkëputjen dhe rikthimin tek sferat e influencës rajonale. Nuk marr përsipër as të analizoj dhe as të parashikoj se çdo të ndodhë dhe si do e përballojë BE këtë krizë. Nuk marr përsipër as të them se çfarë është më e mira të ndodhë. Por, di që ne jemi duke nxituar të kalojmë pragun e një BE-je që nuk është dhe nuk do të jetë ajo shtëpia e përbashkët që mendonim dhe njihmim. Mbase kur të vijë momenti që porta  e BE-së të hapet, mund të mos ketë më BE fare.

Ky fërkim mes perëndimorëve dhe kjo paqartësi për zhvillimin e BE-së janë çështjet që duhet të na shqetësojnë. Janë çështje që duhet të na bëjmë të mendojmë pa pasion, pa ngurtësim politik dhe ideologjik. Pa inerci të verbër gjithashtu. Na duhet të jemi kreativ dhe elastik për tu përshtatur me ndryshimet dhe të shtrojmë që sot rrugët e aleancave të qendrushmë përball çdo skenari të mundshëm.

Por, perëndimi, SHBA dhe BE nuk kanë qenë vetëm aleatë. Ato kanë qenë dhe modeli i qeverisjes, sistemi politik që jemi përpjekur ta kopjojmë. Ndryshimet e tyre do të reflektohen edhe tek ne. Ndaj shoqëria e angazhuar, politika dhe partitë politike nuk mund të qendrojnë me kokën zhytur në rërë si struci. Aq më keq të presin që fërkimi i perëndimorëve do ti ngrohë me zjarr të pashuar pushteti. Ne do duhet të bëjnë diçka që kurrë më parë nuk e kemi bërë. Të mendojmë dhe të projektojnë modelin dhe sistemin politik që ne si shoqëri do duam të zhvillojmë.

Urdhërimi i kohës për mendimin politik është: të ndërtojmë aleancat e qendrueshme dhe pragmatike për interesat tona kombëtare dhe njëherësh të përshtasim sistemin politik më efektiv për kapacitetet tona.