Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe arrestimi i presidentit Nicolas Maduro kanë nxitur reagime të shumta nga Bashkimi Evropian, vende të Amerikës Latine, Rusia, Irani dhe liderë politikë ndërkombëtarë.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se ka zhvilluar bisedime me sekretarin amerikan të Shtetit dhe ambasadorin e BE-së në Karakas, duke theksuar se Bashkimi Evropian po e ndjek nga afër situatën dhe bën thirrje për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.
“BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se Maduros i mungon legjitimiteti dhe blloku e ka mbështetur një tranzicion paqësor. Në çdo rrethanë, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje” tha Kallas.
Ministria e Jashtme e Spanjës bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe zgjidhje paqësore të krizës.
“Spanja bën thirrje për shtensionim dhe qetësim, si dhe që çdo veprim të ndërmerret gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së OKB-së. Në këtë drejtim, Spanja është e gatshme të ofrojë shërbimet e saj të mira për të arritur një zgjidhje paqësore dhe të negociuar të krizës së tanishme”, thuhet në reagimin e Spanjës.
Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, dënoi veprimet ushtarake të SHBA-së dhe riafirmoi angazhimin ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
"Si Qeveri e Kilit, ne shprehim shqetësimin tonë dhe i dënojmë veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe bëjmë thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës së rëndë që po prek vendin. Kili riafirmon angazhimin e tij ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, si ndalimi i përdorimit të forcës, mosndërhyrja, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe integriteti territorial i shteteve”, tha Boric.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e tensioneve dhe refuzoi çdo veprim ushtarak të njëanshëm që mund të rrezikojë popullsinë civile.
“Qeveria e Republikës së Kolumbisë i sheh me shqetësim të thellë raportimet për shpërthime dhe aktivitet të pazakonta ajror në orët e fundit në Republikën Bolivariane të Venezuelës, si dhe përshkallëzimin e tensioneve në rajon. Kolumbia riafirmon angazhimin e saj të pakushtëzuar ndaj parimeve të mishëruara në Kartën e OKB-së, në veçanti respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, ndalimin e përdorimit ose kërcënimit me përdorimin e forcës dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Qeveria kolumbiane refuzon çdo veprim ushtarak të njëanshëm që mund ta përkeqësojë situatën ose ta vërë popullsinë civile në rrezik”, shkroi Petro në X.
Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ndërhyrjen amerikane si një “agresion të armatosur” dhe bëri thirrje për dialog për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, duke mbështetur thirrjet për një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Pretekstet e përdorura për të justifikuar veprime të tilla janë të pabazuara. Armiqësia ideologjike ka mbizotëruar mbi pragmatizmin e biznesit dhe gatishmërinë për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe parashikueshmëri. Në situatën aktuale, është e rëndësishme, para së gjithash, të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm dhe të përqendrohemi në gjetjen e një rrugëdaljeje nga situata përmes dialogut. Ne mbështesim deklaratën e autoriteteve venezuelase dhe të udhëheqësve të vendeve të Amerikës Latine që bëjnë thirrje për një mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ajo
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, deklaroi se popujt duhet t’i rezistojnë presionit të jashtëm dhe të mos i nënshtrohen.
“Ajo që ka rëndësi është se kur një person e kupton se armiku po përpiqet në mënyrë arrogante të imponojë diçka mbi vendin, mbi zyrtarët, mbi qeverinë dhe mbi kombin, duhet të qëndrojë fort kundër armikut dhe t’i bëjë qëndresë. Ne nuk do t’i dorëzohemi armikut. Duke u mbështetur te Zoti i Plotfuqishëm, duke i besuar Zotit dhe me besim në mbështetjen e popullit, me vullnetin e Zotit dhe me hirin hyjnor, ne do ta gjunjëzojmë armikun” tha Khamenei.
Ndërsa kreu i Reform UK në Britani, Nigel Farage, tha se veprimet amerikane janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por sipas tij mund të kenë pasoja gjeopolitike pozitive.
“Veprimet amerikane në Venezuelë gjatë natës janë jokonvencionale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare – por nëse i bëjnë Kinën dhe Rusinë të mendojnë dy herë, mund të jenë diçka e mirë. Shpresoj që populli venezuelas tani të mund të hapë një faqe të re pa Maduron” ”, tha Farage.
Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, deklaroi se siguria e qytetarëve belgë është prioritet dhe se situata po monitorohet nga afër në koordinim me partnerët evropianë.
“Siguria e qytetarëve tanë është prioriteti kryesor. Ambasada jonë në Bogota, e cila mbulon Venezuelën, dhe shërbimet tona në Bruksel janë plotësisht të angazhuara. Situata po monitorohet nga afër, në koordinim me partnerët tanë evropianë” tha ai.
Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore në orët e hershme të së shtunës në Venezuelë, duke njoftuar më pas arrestimin e presidentit Nicolás Maduro. Uashingtoni e ka akuzuar Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përgëzoi Presidentin e SHBA-së Donald Trump për operacionin në Venezuelë.
"Urime, President Trump, për udhëheqjen tuaj të guximshme dhe historike në favor të lirisë dhe drejtësisë. I shpreh respektin tim vendosmërisë suaj të palëkundur dhe veprimit të shkëlqyer të ushtarëve tuaj të guximshëm", shkroi ai në X.
"Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur prej kohësh një tranzicion të pushtetit në Venezuelë. Ne e kemi konsideruar Maduron një president të paligjshëm dhe nuk kemi derdhur lot për fundin e regjimit të tij." Kjo ishte deklarata e kryeministrit britanik Keir Starmer pas operacionit ushtarak amerikan në Karakas dhe kapjes së Nicolas Maduros.
"Këtë mëngjes përsërita mbështetjen time për të drejtën ndërkombëtare. Në ditët në vijim, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të diskutojë situatën në zhvillim me homologët tanë amerikanë, ndërsa kërkojmë një tranzicion të sigurt dhe paqësor drejt një qeverie legjitime që pasqyron vullnetin e popullit venezuelian", theksoi Starmer.

Izraeli ka përshëndetur operacionin ushtarak të SHBA-së në Venezuelë, duke e cilësuar presidentin amerikan Donald Trump si “lider të botës së lirë”.
Në një postim në X, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, e përshkroi momentin si “historik” dhe deklaroi se Izraeli është në krah të popullit venezuelian, që sipas tij ka vuajtur nën qeverisjen e Nicolás Maduro.
Saar shtoi se Izraeli mirëpret largimin e udhëheqësit venezuelian dhe shprehu shpresën për rikthimin e demokracisë në Venezuelë dhe për vendosjen e marrëdhënieve miqësore mes shteteve.
Ai theksoi gjithashtu se populli venezuelian meriton të ushtrojë të drejtat e tij demokratike.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov zhvilloi sot një bisedë telefonike me zëvendëspresidenten në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodríguez, duke konfirmuar mbështetjen e Moskës për qeverinë e Karakasit dhe angazhimin për forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Sipas njoftimit, "të dyja palët, biseduan për uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut" ndërsa Lavrov shprehu solidaritet me popullin e Venezuelës i gjendur, sipas tij, përballë një agresioni të armatosur.
Lavrov tha se Moska do të mbështesë qeverinë e Venezuelës të mbrojë interesat e veta kombëtare dhe sovranitetin e saj. Pas kësaj deklarate, Ministria e Jashtme në Moskë iu drejtua Washingtonit duke i kërkuar " të lëshojë presidentin legjitim të një vendi sovran" dhe të krijojë kushtet e duhura për zgjidhjen e problemeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës nëpërmjet dialogut.
Lajmi i kësaj deklarate vjen në një kohë kur disa media ndërkombëtare kanë raportuar se zv/presidentja e Venezuelës ndodhet fizikisht në Moskë.
Sipas gazetës spanjolle The Objective, Rodriguez e bëri nga Moska kërkesën drejtuar Washingtonit ku kërkonte shpjegime të mëtejshme mbi vendndodhjen dhe sigurinë e presidentit Maduro dhe bashkëshortes së tij të kapur nga forcat amerikane në Karakas e të transferuar drejt New York.

Kina ka deklaruar se kundërshton me forcë sulmet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe kapjen e presidentit Nicolás Maduro, duke i cilësuar si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi sot se Pekini është “thellësisht i tronditur” dhe “dënon fuqishëm” përdorimin e hapur të forcës nga SHBA-ja kundër një shteti sovran dhe veprimet e ndërmarra ndaj presidentit të Venezuela, Nicolas Maduro.
Sipas deklaratës zyrtare, Kina vlerëson se sjellja e SHBA-së përbën një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare, cenon sovranitetin e Venezuelës dhe kërcënon paqen dhe sigurinë në Amerikën Latine dhe Karaibe.
Ndërkohë Ministria e Jashtme e Kinës dhe Ambasada kineze në Venezuelë u kanë bërë thirrje shtetasve kinezë të mos udhëtojnë drejt vendit, duke përmendur një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve të sigurisë.
Rusia ka kërkuar thirrjen e një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Venezuelë, pas zhvillimeve të fundit në vend.
Lajmi është bërë i ditur nga Misioni i përhershëm i Federatës Ruse pranë Kombet e Bashkuara për agjencinë Tass.
Sipas njoftimit, kërkesa i është adresuar misionit të Somalisë, e cila aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit, për të thirrur sa më shpejt një seancë mbi situatën në Venezuelë.
Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi sot ndërhyrjen amerikane për kapjen e Nicolas Maduros si një “agresion të armatosur” dhe bëri thirrje për dialog për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, duke mbështetur thirrjet për një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian mbështet një tranzicion paqësor dhe demokratik në Venezuelë.

Në një postim në rrjetin social X, Von der Leyen shkruan se po e ndjek nga afër situatën në Venezuelë dhe se BE qëndron në krah të popullit venezuelian.
Ajo thekson se çdo zgjidhje duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara. Sipas saj, në bashkëpunim me Përfaqësuesen e Lartë, Kaja Kallas, dhe në koordinim me shtetet anëtare, BE po punon për të garantuar mbështetje të plotë për qytetarët e Bashkimit Evropian që ndodhen në Venezuelë.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar si agresion të Shteteve të Bashkuara kundër Venezuelës.
Deklarata u bë e ditur nga zëdhënësja e presidentit bjellorus, Natalya Eismont, në një prononcim për agjencinë shtetërore Belta.
Sipas saj, Lukashenko “e dënon me forcën më të madhe aktin e agresionit amerikan kundër Venezuelës”.
Eismont solli në kujtesë një intervistë të mëparshme të Lukashenkos me gazetarë amerikanë dhe ripërsëriti “Venezuela do të jetë një Vietnam i dytë për Shtetet e Bashkuara”. Sipas tij, një skenar i tillë nuk u nevojitet amerikanëve.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar nuk ka pasur asnjë rol në operacionin ushtarak të SHBA-së në Venezuelë.
I cituar nga BBC, Starmer tha se Londra nuk ka qenë e përfshirë në asnjë formë në operacionin gjatë të cilit, sipas njoftimit të Donald Trump, presidenti venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, janë kapur dhe janë transferuar jashtë vendit.
“Dua fillimisht të sqaroj faktet, të flas me presidentin Trump dhe të koordinohem me aleatët. Mund të jem absolutisht i qartë: nuk kemi pasur asnjë rol në këtë operacion”, tha Starmer, duke theksuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
Kryeministri britanik shtoi se qeveria po punon me ambasadën për të garantuar sigurinë e rreth 500 qytetarëve britanikë që ndodhen aktualisht në Venezuelë dhe për t’u ofruar asistencën e nevojshme.

Rusia ka deklaruar se është “jashtëzakonisht e alarmuar” nga njoftimet për largimin me forcë të presidentit venezuelas Nicolás Maduro nga vendi, duke kërkuar nga Washingtoni sqarime të menjëhershme mbi situatën.
Ministria e Jashtme ruse ka deklaruar se Moska është e alarmuar nga lajmet sipas të cilave presidenti i Venezuelas, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, dyshohet se janë nxjerrë me forcë jashtë vendit pas asaj që e cilëson si 'agresion të Shteteve të Bashkuara'.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme ruse thotë se nwse ajo që i ka ndodhur presidentit venezuelian, është e vërtetë "përbën një shkelje të papranueshme të sovranitetit të një shteti të pavarur".
Edhe më herët, Moska ka kritikuar Washingtonin për agresion ushtarak kundër Venezuelës dhe ka kërkuar dialog për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.
Nga ana tjetër, zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka deklaruar se autoritetet venezueliane nuk janë në dijeni të fatit të Maduro-s dhe bashkëshortes së tij, duke i kërkuar Shteteve të Bashkuara të paraqesin prova se ata janë gjallë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka shprehur shqetësim për situatën në Venezuelë, duke bërë thirrje për frenim të situatës dhe respekt të së drejtës ndërkombëtare.
Në një postim në rrjetin social X, Costa deklaroi se Bashkimi Evropian kërkon një zgjidhje të situatës në Venezuelë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Venezuelë.
Costa shtoi se BE mbështet përpjekjet e Përfaqësueses së Lartë, Kaja Kallas, në koordinim me shtetet anëtare, për të garantuar sigurinë e qytetarëve evropianë që ndodhen në vend.
I am following the situation in Venezuela with great concern. The European Union calls for de-escalation and a resolution in full respect of international law and the principles enshrined in the Charter of the United Nations.
— António Costa (@eucopresident) January 3, 2026
The European Union will continue to support a…
Prokurori i përgjithshëm i Venezuelës ka deklaruar se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të mbajë përgjegjësi për çdo gjë që mund t’i ndodhë presidentit venezuelian Nicolas Maduro, pas njoftimit për kapjen e tij.
Tarek William Saab, thotë se qeveria amerikane do të jetë përgjegjëse për fatin e Nicolas Maduro, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, janë kapur dhe janë transportuar jashtë vendit.
“Jo vetëm që kërkoj prova për ekzistencën në jetë të komandantit tonë të përgjithshëm, Nicolas Maduro, dhe të bashkëshortes së tij, Cilia Flores, por e konsideroj qeverinë e Shteteve të Bashkuara drejtpërdrejt përgjegjëse për çdo gjë që mund t’i ndodhë presidentit tonë”, ka deklaruar Saab.
Deklarata u bë gjatë një interviste telefonike për televizionin shtetëror venezuelian VTV, pas zhvillimeve të fundit të njoftuara nga autoritetet amerikane.

Hamasi dënoi agresionin e SHBA-së kundër Republikës së Venezuelës dhe kapjen e Presidentit Maduro dhe gruas së tij".
Në një deklaratë, Hamasi e quajti atë një "shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, e cila minon sovranitetin e një shteti të pavarur".
Siç raportohet nga rrjeti al-Quds, Hamasi e përcaktoi sulmin e SHBA-së si "një zgjatim të politikave dhe ndërhyrjeve të padrejta të SHBA-së, të nxitura nga ambiciet imperialiste, të cilat kanë zhytur disa vende në konflikt, duke paraqitur një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare".
Hamasi më pas i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të saj, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të marrin "masa vendimtare kundër politikave agresive të Uashingtonit dhe të ndërpresin menjëherë sulmin ushtarak në territorin e Venezuelës".
Komente











