Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka vendosur të mos jetë i pranishëm në stadium për finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës (19 korrik, 21:00), duke zgjedhur të mos ndryshojë rutinën që, sipas tij, i ka sjellë fat kombëtares gjatë gjithë turneut.
Kreu i shtetit argjentinas i ka ndjekur të shtatë ndeshjet e 'Albicelestes' nga rezidenca presidenciale në Olivos dhe ka konfirmuar se do të veprojë njësoj edhe në finalen e madhe. “Do të vazhdoj t’i shoh të gjitha ndeshjet nga Olivos”, deklaroi Milei, duke hequr dorë nga mundësia për ta ndjekur sfidën në stadium përkrah presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Milei zbuloi edhe një nga besëtytnitë e tij gjatë këtij Botërori. Ai tregoi se ka veshur të njëjtën xhaketë në çdo ndeshje të Argjentinës, pasi në momentin që e hoqi gjatë sfidës ndaj Zvicrës, kundërshtarët arritën të shënonin gol.
Besëtytnitë janë pjesë e traditës së futbollit në Argjentinë dhe njihen si “cábalas”. Tifozët, por edhe figura publike, shpesh ruajnë të njëjtat rituale gjatë gjithë turneut, me bindjen se ato ndikojnë në fatin e ekipit.
Vendimi i Mileit lidhet edhe me një precedent historik. Që prej Botërorit të vitit 1990, shumë presidentë argjentinas kanë shmangur praninë në ndeshjet vendimtare të kombëtares. Kjo traditë lindi pasi vizita e presidentit të atëhershëm Carlos Menem para humbjes ndaj Kamerunit u konsiderua nga tifozët si ogur i keq, duke i vendosur atij etiketën “mufa”, një term që në Argjentinë përdoret për personat që besohet se sjellin ters.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente






