Norvegjia e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e saj në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Irakun me rezultat të thellë 4-1 në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve. Në qendër të vëmendjes ishte edhe një herë sulmuesi Erling Haaland, i cili realizoi dy gola dhe udhëhoqi skuadrën drejt një fitoreje bindëse.

Ylli i Manchester Cityt shënoi dy herë në pjesën e parë, duke realizuar gjithashtu golin e parë të Norvegjisë në një Kupë Bote pas plot 28 vitesh mungesë nga skena më e madhe e futbollit.

Megjithatë, ajo që bëri më shumë bujë pas ndeshjes nuk ishte vetëm paraqitja e Haaland, por edhe një fenomen i pazakontë i regjistruar nga institucionet sizmologjike të vendit.

Sipas Institutit Norvegjez të Kërkimeve Sizmologjike (NORSAR), gjatë sfidës u regjistruan sinjale sizmike të pazakonta që përkuan me momentet kur Haaland tundte rrjetën e Irakut.

“Të mërkurën në mëngjes, stacioni sizmologjik në Bergen regjistroi sinjale të qarta pranë stacionit gjatë ndeshjes së Kupës së Botës mes Norvegjisë dhe Irakut. Lëkundjet më të mëdha përkuan me golat e Erling Haaland, të cilat shkaktuan festime të fuqishme nga tifozët norvegjezë”, thuhej në deklaratën zyrtare të NORSAR.

Ekspertët sqaruan se nuk bëhej fjalë për një tërmet natyror, por për dridhje të shkaktuara nga mijëra tifozë që festuan në të njëjtën kohë, duke krijuar valë që u kapën nga pajisjet e ndjeshme të monitorimit sizmik.

“Efektet më të qarta u regjistruan gjatë golave të Norvegjisë, veçanërisht dy golave të Haaland. Sinjalet ka shumë gjasa të jenë rezultat i brohoritjeve dhe lëvizjeve të tifozëve që ndoqën ndeshjen në Bergen”, shtuan ekspertët.

Me dy golat ndaj Irakut, Haaland vazhdoi formën e tij mbresëlënëse, pasi kishte realizuar 16 gola gjatë fazës kualifikuese. Sulmuesi 25-vjeçar konsiderohet aktualisht një nga favoritët kryesorë për fitimin e “Këpucës së Artë” në Botërorin 2026.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.