Meksika është bërë e para kombëtare e këtij Botërori që kualifikohet nga grupet me pikë të plota, 9. Përfaqësuesja e drejtuar nga Aguirre në ndeshjen e fundit të grupit A mposhti me rezultatin 0-3 Çekinë pavarësisht se ishte kualifikuar më herët dhe pavarësisht se evropianët synonin pikët për të shpresuar.
Në stadiumin ‘Azteca’ të Mexico City-t golat erdhën në pjesën e dytë nga Garcia, Quinones dhe Fidalgo, ndërsa atë që e bëri më speciale këtë ndeshje ishte portieri Ochoa. 40-vjeçari hyri si zëvendësues, por shkruajti historinë. Ai u bë i pari portier i cili luan në 6 Botëror të ndryshëm dhe i 3 futbollist në histori me këtë arritje pas Cristiano Ronaldo-s dhe Lionel Messi-t. Për rrjedhojë ai nuk i mbajti dot lotët, ndërsa në fund të sfidës puthi të dy shtyllat e portës në stadiumin ‘Azteca’, pasi nuk do të luajë më kurrë aty. Pas Botërorit ai do të largohet nga kombëtarja.
Si vend i dytë në këtë grup u kualifikua Afrika e Jugut, që gjithashtu bëri historinë. Falë fitores 1-0 kundër Koresë së Jugut kjo kombëtare për herë të parë në histori kaloi fazën e grupit. Golin vendimtar e realizoi Maseko në minutën e 63, duke bërë që Afrika e Jugut ta mbyllë grupin me 4 pikë, 1 më shumë se Koreja e Jugut dhe 3 më shumë se Çekia që e mbylli në vendin e fundit.
Afrika u bë gjithashtu kombëtarja e parë që mëson kundërshtarin në fazën e 1/16-ve. Ajo do të luajë me vendin e dytë në grupin B, që mbahet nga Kanadaja. Kjo e fundit, në sfidën e tretë të grupit B u mposht 2-1 nga Zvicra. Edhe pse mbante vendin e parë, pas përballjes me ‘helvetët’ Kanada e humbi atë. Si vend i parë në grupin B u kualifikua Zvicra me 7 pikë, e ndjekur nga Kanada me 4 në vendin e dytë.
Shpresa të mëdha në grupin B ka edhe Bosnje-Hercegovina, që e mbylli e 3-ta me 4 pikë pasi fitoi 3-1 kundër Katarit. Për rrjedhojë ballkanikët kanë mundësi të renditen si një prej 8 vendeve të treta më të mira nga 12 që janë gjithsej.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente




