Kompleksi sportiv ‘Feti Borova’ po bëhet gati.
“Skena që në kemi improvizuar, skena që po organizohet është një skenë që nuk është organizuar asnjëherë në Shqipëri. Po përdor atë shprehjen që s’keni parë gjë akoma,”-u shpreh Sahit Prizreni, president i Federatës Shqiptare të Mundjes.
Duke nisur nga 21 tetori, për 11 ditë me rradhë në Tirana do organizohet kampionati Botëror U-23 dhe Botërori i të rriturve për peshat jo olimpike në mundje.
“Janë rreth 2300 pjesmarrës dhe rreth 1500 sportistë nga e gjithë bota. Nisim me datë 21 dhe përfundojmë me 31 tetor. Me datë 28 nisi Botërori i të rriturve që e bënë më interesante sepse janë sportistët më elitarë,”-tha Sahit Prizreni, president i Federatës Shqiptare të Mundjes.
Pas medaljeve historike në Olimpiadë dhe 7 të tjerave në kampionatin Ballkanik Federata e Mundjes ka pretendime edhe në Botërorin që do zhvillohet në shtëpi.
“Marrim pjesë me të gjithë peshat tek të rriturit. Mendoj se janë 8 pesha tek dy stilet. Do përmend dy emra për të mos ngatërruar pjesën tjetër. Shpresat më të mëdha i kemi te Kevin Kupi, është Sina, por edhe vajza jonë Albina, e cila vetëm 1 muaj më parë u shpall nënkampione ballkani në Kroaci. Besoj do jetë surpriza e këtij Botërori,”-deklaroi Sahit Prizreni, president i Federatës Shqiptare të Mundjes.
Kampionati Botëror U-23 dhe ai për të rritur në Feti Borova do jenë falas për publikun.
“Është taksative që të vendoset një biletë, por dua ta shmang këtë pjesë sepse dua që salla të jetë plot. Mendoj se salla do jetë e tejmbushur,”-u shpreh Sahit Prizreni, president i Federatës Shqiptare të Mundjes.
Organizimet e federatës shqiptare të mundjes nuk mbyllen me kaq, pasi më 27 tetor do mbahet në Shijak edhe Kongresi Botëror i Mundjes.