TIRANË - Bashkia e Tiranës ka reaguar, përmes nënkryetarit të saj Enno Bozdo për ndryshimet në ligjin për transportet rrugore, ku fondet për kompensimin e tarifës së transportit qytetas të personave në nevojë do përballohen nga institucionet përgjegjëse.

Sipas Bozdos “Bashkia e Tiranës ka ngritur shqetësimin për neglizhencën e qeverisë, lidhur me përcaktimin e masave, kritereve dhe procedurave për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi.”- tha ai duke shtuar se “Deri më sot, nuk ka asnjë buxhet të alokuar nga këto institucione shtetërore, në mbështetje të shtresave në nevojë. Përcaktimi i kritereve përkatëse, sipas kërkesave të vetë ligjit, bëhet me VKM. Nga ana e  qeverisë, nuk ka asnjë vendim për këtë çështje.”

Në mungesë të vendimmarrjes, sipas Bozdos kategoritë që përfitojnë transport falas dhe me tarifë të reduktuar rrezikojnë të mos e përfitojnë këtë privilegj.
 
“Bashkia e Tiranës u kërkon institucioneve përgjegjëse dhe në këtë rast ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe asaj të Arsimit të përmbushin detyrimet ligjore që parashikon ligji për këto kategori, në mënyrë që atyre të mos u vështirësohet edhe më shumë jeta. Bashkia e Tiranës u kërkon operatorëve, të vazhdojnë të plotësojnë detyrimet kontraktuale. Në të kundërt, Bashkia do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të parashikuara në ligj dhe në kontratat me operatorët.”- tha Bozdo.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)