I ftuar për të komentuar raportin e sotshëm të Bankës Botërore dhe tri sugjerimet e këtij institucioni për qeverinë shqiptare, duke nisur nga i pari, mbajtja në punë e administratës së kualifikuar, Braçe pyeti: “ Për cilën pjesë të kualifikuar të administratës flet Banka Botërore, atë që ka shkërrmoqur financat e shtetit shqiptar?! Që ka shkërrmoqur sektorë jetikë si energjia, nafta, gazi?! Për cilën administratë bëhet fjalë?! Shqiptarët nuk kanë votuar me votë që të ikë vetëm Berisha, por gjithë drejtimi politik, që u ndëshkuar për shkak të keqqeverisjes dhe keqadministrimit.
Natyrisht që vëmendja jonë do të jetë e përqëndruar për të mbajtur atë pjesë të kualifikuar që ka punuar sipas ligjit, por ajo pjesë e kalbur, e përfshirë politikisht në zgjedhjet e këtij viti, nuk do ketë vend në këtë administratë. Pasojat e punës së saj janë dramatike dhe shqiptarët po e vuajën dhe do të vazhdojnë ta vuajnë edhe për disa kohë.
Ne po monitorojmë vendimarrjen jo vetëm të Qeverisë por të çdo ministrie, çdo enti prokurues dhe tani më thoni çfarë duhet të bëjmë me administratën. Ja shembulli: Ka 3 vjet që bëhet një tender për portin e Vlorës prej 18 milionë eurosh. U bë një tender i monituar nga të gjithë dhe u skualifikua fituesi, një nga kompanitë më serioze. U shpall fituese një tjetër, me lidhje politike me kastën në pushtet. Tenderi më pas u anullua fare.
Në datën 20 qershor u njoftua se do bëhet tenderi sërish në 8 korrik, që rrezikon prapë të anullohet për të njejtat arsye, njerëz të lidhur me politikën që duan ta marrin si projekt.
Rreziku më i madh është se paratë mund të digjen përfundimisht; Italia vazhdon të rikonfirmojë fondet për Vlorën, por për shkak të atyre që favorizojnë klientë politikë të kësaj qeverie, ne rrezikojmë t’i humbasim ato fonde. Urdhëroni pra, çfarë mund të bëjmë ne me këtë administratë?!
Po ashtu, të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë nën 80% dhe ky është një krim me dashje dhe që po konsumohet nga dy drejtorë - emërtesë direkte e Sali Berishës, emërtesë direkte e tij, madje pa i pyetur fare drejtuesit e ministrisë së Financave.
Ata drejtojnë dy administrata: atë të Doganës dhe të Tatimeve dhe kanë lejuar në mënyrë të qëllimshme mosrealizimin e të ardhurave ; pra, ata do të mbajnë përgjegjësi për këtë krim. Gjithashtu, të gjithë ata që i janë shmangur në mënyrë të qëllimshme pagesës së tatimeve dhe doganave do t’i paguajnë qindarkë më qindarkë ato, sipas ligjeve në fuqi.
Përsa i përket marrëdhënies me FMN-në, ne fare qartë e kemi shprehur që do të vendosim një marrëdhënie të re qoftë me BB-në, qoftë me FMN-në. Dhe do të bëjmë auditimin e financave, sepse Kryeministri i ka konsumuar të dyja, qoftë manipulimin, qoftë mashtrimin e të dhënave, ndaj ne do i shkojmë deri në fund marrëveshjes me këto dy institucione.
Përsa i pëket konsolidimit fiskal dhe faturave të prapambetura, rimbursimit të vonuar, këto nuk janë probleme që dolën sot, nuk janë probleme që dolën në fund të mandatit të shefes së BB-së apo të Berishës. Që financat publike të shtetit kanë marrë rrokopujën, këtë e dinë të gjithë.
Ndaj për ne është e rëndësishme që qeveria e re të ulet me BB-në dhe FMN-në për të diskutuar problemet e krijuara gjatë viteve gjatë qeverisjes skandaloze të kryeministrit Sali Berisha,”- përfundoi Braçe.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)