TIRANE - Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherësh Kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, ka vijuar edhe sot akuzat ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, dhe bordti drejtues të Këshillit Mbikqyrës, sa i përket skandalit të vjedhjes së 7 milionë dollarëve.

Në postimin e tij të radhës në Facebook, Braçe, krahas kërkesës për largimin e Fullanit, Këshillit Mbikqyrës, dhe Inspetorit të Përgjithshëm, ka kërkuar edhe rishikimin e ligjit të BSH nga ana e Parlamentit.

Po ashtu Braçe apelon që të nisë edhe një audit ndërkombëtar për BSH, që sipas tij ka pasur abuzime të tjera ndër vite.

“Unë nuk shpresoj fare se ata do të shkarkojnë Guvernatorin apo të dorëhiqen. Pra, unë nuk shpresoj fare që ata të bëjnë detyrë. A e lexuat se ç’thonë: Do bjerë në ngërç Banka!!! Asfare! Banka është kapur nga e keqja dhe largimi i Guvernatorit, Këshillit, Inspektorit vetëm e çlirojnë Bankën. Këta nuk e çlirojnë dot! Duhet ta bëjme ne. Me ligj! Dua të ndaj me ju, detyrën për rishikimin e ligjit për Bankën e Shqiperisë me qëllim çlirimin Bankës së Shqipërisë nga interesat partiake, politike, interesat e korrupsionit, e nepotizmit, klientelizmit, për ta pavarësuar realisht, rikthyer fuqinë e eficencën në krye të sistemit financiar shqiptar, transparencën, garantuar kontrollin e Brendshëm e të Jashtëm, përgjegjshmërinë për t’u ndarë e ndëshkuar ashpër çdo rast të ngjashëm korrupsioni apo thjesht abuzimi me detyrën; detyrën për të bindur autoritetet më të larta të Kuvendit e Qeverisë për nevojën ulëritëse të një auditi ndërkombëtar në Bankën e Shqipërisë, prej vitesh e abuzuar dhe keqperdorur dhe natyrisht, kryerjen sa më parë të këtij auditi.” shkruan Braçe në Facebook.

Më poshtë postimi i plotë i deputetit socialist Erjon Braçe:

Tre javë nga vjedhja në Bankën e Shqipërisë po ndodh që Guvernatori absolut rri në krye të Bankës, edhe pse ka humbur gjithçka: Moralin, besimin, autoritetin, fuqinë.
Rri thjesht për shkak të mandatit. Këshilli Mbikqyrës, me fuqi të qarta ligjore, rri nën Guvernatorin për ta mbrojtur atë edhe pse secili prej tyre ka humbur, moralin, besimin, autoritetin, fuqinë.

Rrinë thjesht për shkak të mandatit. Ligji për Bankën e Shqipërisë ngarkon Guvernatorin dhe Këshillin me përgjegjësi të plota. Ligji për Bankën e Shqipërisë ka zhveshur Këshillin nga çdo kufizim në shkarkimin e anëtarëve të Këshillit dhe Guvernatorit.

Ligji e thotë qartë se Këshilli mund të shkarkojë, në kushtet kur Guvernatori dhe anëtari i Këshillit cenojnë rëndë interesat e Bankës. Përse Këshilli nuk e shkarkon Guvernatorin? Është provuar qartësisht se Guvernatori, njëherësh anëtar e kryetar i Këshillit Mbikqyrës, ka cenuar rëndë interesat e Bankës.
Këshilli nuk bën detyrën që i ka ngarkuar ligji në këtë rast? Të mos përmbushësh detyrën është faj, faji i rradhës në një mori fajesh të tjera të rënda, që fajësojne direkt edhe Këshillin.

Guvernatori, që është edhe anëtar Këshilli, që është edhe Kryetar Këshilli, që është edhe drejtor ekzekutiv i Bankës, ka përgjegjësi të drejtpëdrejtë morale, administrative dhe penale në kufijtë e mospërmbushjes së detyrës, me pasojë cenimin e rëndë të interesave të Bankës, përtej përgjegjësive të drejtpërdrejta në vjedhjen historike të Bankës, po zhytet deri në fund duke mbrojtur Guvernatorin dhe restaurua të keqen në krye të sistemit financiar shqiptar.

Një marrëdhënie e turpshme që lindi nga politika nën varësinë e së cilës Banka është, vijoi e u zhvillua me konfliktin e rëndë të interesave mes Këshillit dhe Guvernatorit, nje degradim i plotë ku të gjithë mbrohen dhe mbrojnë Guvernatorin.

Mjafton kaq që këta njerëz të mos marrin e të mos lejohen më kurrë të ushtrojnë funksione publike, duhet të largohen. Unë nuk shpresoj fare se ata do të shkarkojnë Guvernatorin apo të dorëhiqen. Pra, unë nuk shpresoj fare që ata të bëjnë detyrë.

A e lexuat se ç’thonë: Do bjerë në ngërç Banka!!! Asfare! Banka është kapur nga e keqja dhe largimi i Guvernatorit, Këshillit, Inspektorit vetëm e çlirojnë Bankën. Këta nuk e çlirojnë dot! Duhet ta bëjme ne. Me ligj! Dua të ndaj me ju, detyrën për rishikimin e ligjit për Bankën e Shqiperisë me qëllim çlirimin Bankës së Shqipërisë nga interesat partiake, politike, interesat e korrupsionit, e nepotizmit, klientelizmit, për ta pavarësuar realisht, rikthyer fuqinë e eficencën në krye të sistemit financiar shqiptar, transparencën, garantuar kontrollin e Brendshëm e të Jashtëm, përgjegjshmërinë për t’u ndarë e ndëshkuar ashpër çdo rast të ngjashëm korrupsioni apo thjesht abuzimi me detyrën; detyrën për të bindur autoritetet më të larta të Kuvendit e Qeverisë për nevojën ulëritëse të një auditi ndërkombëtar në Bankën e Shqipërisë, prej vitesh e abuzuar dhe keqperdorur dhe natyrisht, kryerjen sa më parë të këtij auditi.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)