Braçe: Prishim 5 koncensione të
Berishës, energjia jo mbi 10 lekë

TIRANE - Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë Erion Braçe  deklaroi se qeveria do t’i shkojë deri në fund rishikimit të 5 koncesionëve, të cilët sipas tij kanë rritur barrën fiskale mbi sipërmarrjen dhe qytetarët. Bëhet fjalë për koncesionin e pullave fiskale, koncesionin e ngjyrosjes dhe markimit të karburanteve, atë të kasave fiskale, kontrollit të shërbimit të automjeteve dhe çka është më e rëndësishmja, koncesioni për skanimin e kontenierëve. Braçe tha se i ka kërkuar Ministrisë së Financave çuarjen deri ne fund të punës me to, kur ai thotë se kostoja e barrës fiskale për qeverinë në harkun e 3 viteve është 80 milionë dollarë, arkëtime këto të cilat kanë shkuar në xhepat e klientëve të ish-kryeministrit Berisha.

“Kemi kërkuar liberalizim të qartë të tregut dhe kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar se ato sot operojnë në kushte monopoli dhe me tarifa shumë më të shtrenjta përkundrejt sipërmarrjes dhe qytetarëve. Insistoj fortë në çuarjen deri në fund të punës me koncesionet. Nëqoftëse opozita e sotme apo ish-qeveria e djeshme po bërtet sot për 160 mln dollar taksa të reja dua t'u them që 80 mln dollar ose gjysma e gjysma e vlerës së tyre është kostoja e këtyre koncesioneve në harkun e një viti, drejt për drejt te sipërmarrja. Duhet ta çlirojmë sipërmarrjen dhe qytetarët nga kjo barë fiskale e pa nevojshme që nuk sjell asnjë qindarkë të ardhur në buxhetin e shtetit dhe që arkëtohet drejtpërdrejt në xhepat, po ja u them unë, të ish-klientëve të qeverisë së shkuar dhe të ish pushtetarëve të këtij vendi”, tha Braçe.

Braçe insiston për të rishikuar këto koncesione, specifikisht kontratën e ish- qeverisë Berisha me kompaninë e kontenierëve Rapiscan. Kjo e fundit kërkon zhdëmtimin në arbitrazhin ndërkombëtar të Vjenës për prishjen e kontratës së koncesionit nga qeveria shqiptare në shumën e 359 milionë dollarëve.
 
“Vazhdoj të inkurajoj shumë fortë, Autoritetin e Konkurrencës për të hetuar apo për ta shtrirë deri në fund hetimin, në tregun e karburanteve, për ta çliruar atë treg nga përqendrimi shumë i lartë që kontrollon edhe çmimet gjithnjë në rritje”, tha deputeti Braçe.

Sa i takon vendimit që Enti Rregullator i Energjisë pritet të japë në Dhjetor për kërkesat për rritje të çmimit të energjisë elektrike që i janë parashtruar nga KESH, ERE, dhe OST, Braçe tha se i mbetet këtij institucioni të vendosë, por theksoi se ndryshe nga akuzat e Berishës, nuk do të ketë çmim mbi 10 lekë.

Braçe: Berisha gënjen, çmimi i energjisë nuk do jetë mbi 10 lekë 
Akuzat e opozitës, e veçanërisht të ish-liderit demokrat Sali Berisha, se çmimi i energjisë elektrike do të rritet në 12.5 lekë për kilovat në orë, janë vlerësuar gënjeshtra nga kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe. Në një konferencë për shtyp ku prezantoi përmirësimet që i janë bërë në komisionet parlamentare projektbuxhetit të vitit 2015, deputeti socialist tha se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë nga qeveria.

Braçe tha se ndryshe nga koha e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili sipas tij vendoste vetë çmimin, ky vendim tashmë do t’i lihet institucionit përgjegjës, ERE-s.
 
Braçe: Berisha gënjen haptazi se çmimi i energjisë do të rritet në 12.5 lekë për kilovat në orë. Nuk do të ketë rritje çmimi për qytetarët as mbi 10 lekë.
Gazetarja: Sa do të jetë?
Braçe: Pyerni ERE-n, unë nuk jam Berisha të vendos çmimin.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë tha se vendimet e marra nga qeveria Berisha, si privatizimi i HEC-eve që solli blerjen e energjisë me cmim më të lartë,  sollën kosto të jashtëzakonshme. “KESH sipas një vendimi Berisdhës duhet të shiste energji me 2.2 lekë për kilovat. Janë këto vendime të Berishës që jo vetëm kanë përkeqësuar bilancin financiar të këtij sektori, por kanë sjellë një barrë të madhe për qytetarët. Është e vërtetë se nuk e rriti çmimin e energjisë në 2012-2013, por e ka mbartur si kosto të drejtëpërdrejtë kur e rëndoi mbi KESH, nuk ja mori drejtëpërdrejtë në faturë qytetarëve, ja mori përmes taksimit të përgjthshëm në buxhetin e këtij çmimi”, tha Braçe. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati