Braçe: Rritja e pagave, vendim historik që vlerëson punën! Më shumë para në familjet shqiptare! Luftë evazionit dhe kapjes së tregut

 

Për deputetin socialist, Erion Braçe me vendimin që pritet të marrë sot Kuvendit do të marrë vendimin më të rëndësishëm të tij në planin ekonomiko-financiar por edhe social, të dekadës së fundit. Braçe nënvizon se kjo rritje page vlerëson fort shpërblimin e punës së gjithkujt.

“Punonjësit e shërbimeve publike, shërbyesi i shtetit dhe qytetarit me përgjegjësi për sigurinë, për të dhënë e bërë drejtësi, shërbyesi i shtetit edhe në ato punë që askush këtu nuk i bën, që më kujton edhe atë shprehjen e ndyrë që është përdorur këtu : ‘Edhe një pastruese merr më shumë sesa ne’. Rritet fort paga mesatare dhe ajo minimale, dy më të rëndësishme në tregun e punës por edhe në ekonominë kombëtare e familjare. 39 mld lekë më shumë do të jetë shpërblimi i punës vitin e ardhshëm. Qytetarë dhe familje do të kenë të ardhura më shumë”, tha Braçe.

“Paga minimale vendoset sot 40 mijë lekë dhe në 2025 do të jetë 45 mijë lekë, por e kemi gjetur vetëm 22 mijë lekë 10 vite më parë. Paga mesatare është sot rreth 71 mijë lekë, vendoset po sot të shkojë sot rreth 107 mijë lekë. E kemi gjetur vetëm 41 mijë lekë 10 vite më parë. Do të jetë vitin tjetër thuajse 40 euro në ditë, na bën shumë konkurrues në rajon. Vendimi që po marrim sot nuk është një instrument për ta mundur kundërshtarin politik në këtë sallë, të sotmin apo të djeshmin. Për t’u pasuruar ne gjithashtu jo! Por për një instrument për të qenë në betejë për punëtorët, për të zotët, për të gjithë ata që largohen nga ky vend nën efektin e pamundësisë këtu! Të gjitha në konkurrencë apo në betejë për punëtorët tanë”, vijoi deputeti socialist.

Braçe nënvizoi gjithashtu se përpara është një sfidë e madhe, që janë çmimet e larta.

“Ato janë problemi më i madh që kemi tani. Çmimet e larta që nuk ndryshojnë janë për shkak të një tregu të kapur dhe aspak konkurrues. Inflacioni i importuar po bien, çmimi jo. Duhet të bëjmë që tregjet të funksionojnë. Çmimet të shkojnë atje ku ekonomia po i çon përmes inflacionit në rënie. Kjo që po ndodh me çmimet është përtej ekonomisë sepse po të ishte ndryshe gjithçka do funksiononte në zbritje, veçanërisht të produkteve të importuara që çmimet e të cilave në tregjet ndërkombëtare po vijnë duke rënë. Konkurrueshmëria sjell çmime më të ulta. Nëse do vazhdojmë të ushqejmë ekonominë me çmime të larta, edhe politika e sotme do të dështojë. Nuk besoj se sektori privat do udhëhiqet nga ky vendim që po marrim sot për të rritur rrogat për punëtorët e tij”, tha Braçe gjatë diskutimit për projektligjin për rritjen e pagave.

Në fund Braçe paralajmëroi se ky vendim nuk do t’i rrisë automatikisht pagat në privat.

“Unë nuk besoj se sektori privat do të udhëhiqet lehtësisht nga ky vendim që ne marrim sot për të rritur rrogat për punëtorët e tij. Duhet të funksione politika fiskale dhe lufta kundër evazionit fiscal duhet të jetë prioritet. Të dyja bashkë mund ta bëjë këtë politikë të funksionojë dhe të fitojmë betejën për t’i mbajtur punonjësit këtu”, përfundoi deputeti i Partisë Socialiste.


Lajmi kryesor:

Në Kuvend miratohet rritja e pagave për administratën, deputetët dhe qeveritarët! Rama: Ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit! PD: Jemi vonë


K.T./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK