Për momentin Sali Berisha duket se ka vendosur të bëjë paqe me SPAK, ndërsa përshëndeti zgjedhjen e kryeprokurorit të ri Klodian Brahos, duke thënë se ishte një proces i rregullt që u bazua në zbatimin e Kushtetutës.

“Nuk po ndalem te zgjedhja e kreu të SKAP-it, angazhimi i lartë i trupit diplomatik në sallën e zgjedhjes, lë shumë të dyshohet se ajo u bë me qëllimin e vetëm për të neutralizuar dorën e zezë të Ramës dhe presionet ndaj anëtarëve të KLP-së. S’kisha parë ndonjëherë qëndrim të tillë, donin të jepnin mesazh që Rama të mos mund të merrte edhe kandidatin që ai kishte përzgjedhur, apo donte në këtë proces. U zbatua Kushtetuta, Në dallim të madh nga pararendësi i tij që s’ka as kushtetutë as ligj”, tha Berisha.

Prezencën e ndërkombëtarëve në sallën e KLP-së, ku u votua me 7 vota për Brahon, Berisha e sheh si një sinjal që kryeministri Edi Rama të mos vendoste në krye të SPAK kandidatin që dëshironte.

“Ajo prani aq e fuqishme ndërkombëtare ka patur vetëm një qëllim, që Rama të mos e kapë SKAP-in”, tha Berisha.

Ndonëse Rama ishte i pari që uroi Brahon për detyrën me premtimin se SPAK do ketë mbështetjen e tij të palëkundur, Berisha e ka lexuar si një thirrje për mëshirë.

I pari që uroi ishte Rama?

Berisha: Mëshirë, mëshirë, mëshirë kaq ishte.

Por me largimin e ‘armikut’ të tij Altin Dumani, a do e quajë më Sali Berisha SPAK-un, organizatë kriminale dhe a do e sulmojë Brahon? Kreu i PD dha një përgjigje që do t’i mundësonte diversionet në çdo rast.

“Cilido që mendon se deklaratën për organizatë kriminale e kam politike, i kërkoj vetëm një gjë, të lexojë dosjen Toyota Yaris. Ka shumë dosje të tjera, por unë po them vetëm këtë, dhe do bindet nëse ka në Skap një grup të strukturuar kriminal apo një organizatë kriminale.

Unë mund të numëroj këtu brenda Skapit të paktën pesë emra aty. Atëherë? Në qoftë se ti i ke të gjitha këtu, dhe ti nuk merr asnjë masë, brenda Skapit, si mund të besoj unë? Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’u kërkoj atyre që kanë objeksion për këtë cilësim tim, lexoni atë dosje dhe më thoni kush e ka gabim. Dhe nesër po t’i gjej një dosje këtij, absolutisht do e them. Unë jam opozitë, do mbroj interesin publik pavarësisht nga çdo çmim”, tha Berisha.

Ironizoi edhe takimin e Ervin Salianjit në Gjirokastër, ndërsa vetë Berisha po festonte dje në seli 35-vjetorin e themelimit të PD.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:56
Salianji takim në Gjirokastër me demokratët në 35-vjetorin e PD, Berisha: Nuk e ka ndjerë të jetë aty

 

Sali Berisha, në konferencën e sotme para gazetarëve ka komentuar mungesën e Ervin Salianjit në festën e 35-vjetorit të themelimit të PD.

Berisha tha se për të qenë në përvjetor, duhet ta ndjesh.

“Nuk e ka ndjerë, për të qenë aty duhet ta ndjesh përvjetorin”, tha Berisha.

Ditën e djeshme Salianji ishte në një takim me demokratët dhe qytetarë në Gjirokastër, shkak për të cilin nuk ishte i pranishëm në festën e demokratëve në Tiranë.