Braktisin komisionet? Jo
më shpërblime për deputetët

Braktisin komisionet? Jo<br />më shpërblime për deputetët
TIRANE- Deputetët që largohen nga komisionet parlamentare pa përfunduar mbledhja sipas rendit të ditës, rrezikojnë të mos marrin shpërblimet dhe pagat. Kjo çështje është ngritur si shqetësim në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve, e cila është mbajtur në datën 16 janar.

Ka qenë kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, i cili i ka kërkuar kreut të Kuvendit që të vendoset rregull në lëvizjet që bëjnë deputetët nëpër komisione, ku në shumicën e rasteve thjesht firmosin dhe largohen. Kjo sipas tij, ka dhe dëme financiare për institucionin ligjvënës.Kam një problem që lidhet drejtpërdrejtë me punën në komision. Me numrin e anëtarëve që ka Komisioni i Ekonomisë dhe Financave dhe me kushtet që ka në një sallë 34 metra katror, me vëmendjen që ka nga media, shkojnë 40 apo 50 veta në sallë.

Në të njëjtat kushte janë dhe këshilltarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, të cilët nuk kanë edhe zyrë. Ajo që më shqetëson më shumë është pamundësia për të bërë mbledhje me 23 veta, dhe është e pamundur të funksionojë më komisioni me deputetë që vijnë tre minuta, firmosin dhe shkojnë tek komisioni tjetër. E njëjta gjë ndodh dhe në Komisionin e Ligjeve, ja ku e keni dhe z.Xhafaj. Është e pamundur dhe e pakuptimtë fare që një kryetar i një komisioni të vijë dhe të jetë anëtar i një komisioni tjetër, një vjen këtej, një shkon andej. Por është edhe jo efiçente qoftë për punën e komisionit, qoftë dhe për financat e Kuvendit”, ka thënë Braçe.

Në përgjigje të shqetësimit të Braçes, kreu i Kuvendit ka theksuar se “deputetët nuk mund të marrin shpërblime nëse venë sa për të firmosur dhe nuk janë aty nga fillimi deri në fund,apo dhe nuk marrin pjesë në procesin e votimit”. “Kjo është fiktive. Cili është dallimi mes një deputeti i cili është aktiv që lexon, studion, që përpiqet dhe një tjetri që shkon sa për të marrë shpërblimin. S’ka kuptim kjo”, ka thënë Meta.

Debatet për Reformën Territoriale
Janë zbardhur të plota edhe debatet që janë bërë në këtë mbledhje mes palëve, në lidhje me propozimin e kreut të grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi në lidhje me ngritjen e një komisioni të përbashkët me opozitën për Reformën-Territoriale. “Ne propozojmë bërjen e një reforme administrative – territoriale, gjë për të cilën ju jeni dakord. Ne gjykojmë që s’është problemi i ynë, por është problem i përbashkët juaji dhe yni. Duam ta bëjmë bashkë. Projektvendimi është sipas precedentëve parlamentarë të 22 viteve, sa herë janë krijuar komisione bipartizane. Objekti është i qartë, jeni dakord, përbërja e barabartë, drejtimi i barabartë, veto e pakicës është, kështu që se kuptoj se çfarë duhet”, ka thënë Ruçi.

Ndërkohë që në reagimin e tij, kreu i Komisionit të Medias, Genc Pollo ka kërkuar konsensus për këtë refotmë, ashtu siç ka ndodhur kur Fatos Nano ka qenë kryeministër. “Jo gjithmonë ndahen me thikë përmbajtja nga procedura. Ajo që unë tentova të them është që ka disa gjëra të cilat lipsen të bëhen me konsensus, që janë të një natyre të tillë, që kërkojnë të zgjasin në afate të gjata. Më konkretisht shembull është reforma zgjedhore prej 12 vitesh, z. Ruçi e mban mend se ka qenë në po atë pozicion në kohën kur Fatos Nano ka qenë kryeministër edhe kryetar i partisë së tij. U arrit një marrëveshje, e cila ka mbajtur deri tani”, ka thënë Pollo.
 

Shkrimi u publikua sot (25.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS