"Brazil 2014" - Ndërsa kanë përfunduar edhe ndeshjet e dyta të fazës në grupe, 7 ekipe kanë siguruar matematikisht kualifikimin për në 1/8. Ekipet e tjera do të bëjnë edhe një sforco të fundit për të kaluar në fazën tjetër.

Skuadrat e kualifikuara janë Holanda dhe Kili që do të përballen me njëra-tjetrën për vendin e parë në grupin B. Ndërsa për Kolumbinë, Kosta Rikën dhe Belgjikën ndeshja e tretë do jetë një seancë stërvitore pasi kanë siguruar edhe vendin e parë në grupet e tyre.

Franca e cila ka siguruar kualifikimin në Grupin E do të përballet me Ekuadorin  që i duhen 3 pikë për t’u kualifikuar.

Më e qetë është Argjentina në grupin F pasi luan përballë Nigerisë që siguron kualifikimin qoftë edhe me një barazim.

Ndërkohë që ka ende shpresë për ekipet e tjera për t’u bërë pjesë e 16-çes që kalojnë fazën e Grupeve, ndeshjet më kulminante në ndeshjet e treta janë përballjet nga të cilat varet direkt kualifikimi.

Në Grupin A, Kroaci-Meksikë, kësaj të fundit i nevojitet edhe 1 pikë për t’u kualifikuar ndërsa Kroacisë  i nevojitet me çdo kusht fitorja për të kaluar në fazën tjetër. E njëjta situatë është edhe në grupin C, në ndeshjen Greqi-Bregu i Fildishtë, ku fqinjët tanë do luajnë gjithçka për të fituar.

Po ashtu edhe në Grupin D ku me interes të madh pritet përfundimi i ndeshjes Itali-Uruguaj. Ekipi i Prandelit mund të kualifikohet edhe me një barazim kjo për shkak se ka pësuar një gol më pak se Uruguaji në 2 ndeshjet e para.

Në Grupin E Zvicra luan për fitore dhe me shpresën që Ekuadori të mos marrë më tepër se një pikë përballë Francës. Në një situatë më të vështirë është Irani me 1 pikë që luan përballë Bosnjës pa pretendime, por i duhet edhe fitorja e Argjentinës përballë Nigerisë me 3 pikë.

Në Grupin G, do të përballet Gjermania me SHBA-në, barazimi do i conte të dyja skuadrat në 1/8 pasi iu nevojitet nga një pikë për t’u kualifikuar të dyja, por fitorja e njërit prej ekipeve do i komplikonte gjërat pasi fut në lojë dy ekipet e tjera Ganën dhe Portugalinë që luajnë përballë njëra-tjetrës.

Ndërsa në Grupin H, Algjeria ka hyrë fuqishëm si pretendente e vendit të dytë për t’u kualifikuar në fazën tjetër pas asaj fitoreje spektakolare  me rezultatin 4-2 përballë Koresë së Jugut shpresat e së cilës për një kualifikim të mundshëm janë venitur pas kësaj ndeshjeje. Vendi i dytë në Grupin H do të ndahet tashmë mes Algjerisë dhe Rusisë që do të përballen në ndeshjen e fundit të grupeve. Algjerisë i nevojitet edhe 1 pikë për t’u kualifikuar ndërsa Rusisë i nevojitet me çdo kusht fitorja për të kaluar në fazën tjetër.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)