Në prag të çeljes së sezonit turistik, vija bregdetare e Darëzezës po përballet me ndotje alarmante të kolektorit të Levanit, e shkaktuar sipas banorëve nga stallat e bagëtive që operojnë në zonë.
Banorët shprehen se kjo situatë vijon prej vitesh, duke sjellë dëmtime të tokave bujqësore dhe përkeqësim të situatës ne mjedis.
Sipas tyre, stallat e kafshëve pranë kolektorit shkarkojnë mbetjet organike direkt në ujërat e tij, duke e kthyer atë në një burim të vazhdueshëm ndotjeje.
Uji i ndotur I kolektorit më pas tërhiqet nga hidrovori i Darëzezës dhe derdhet në det, duke u kthyer ne vatër infeksioni për zonën bregdetare.
“Ky kanal është shumë shqetësues. Ne kemi blegtori, blegtoria këtu s’ka vend tjetër veçse të pinë në këto kanale. Është shumë i ndotur. E kemi ngritur zërin, por nuk ka dëgjon njeri. Është shumë burim infeksioni. Ky mund të përmirësohet vetëm në periudhën që lëshohet Vjosa", tha një banor.
“Ka ndotje, sidomos këtej nga fshatrat. Është gjendje e përhershme. Në det shkon kur punojnë pompat. Po e pinë këtë ujë, bagëtitë s’e kanë qumështin me cilësi. Ka qenë shumë i pastër ka qenë i kaltër më parë", tha një banor.
Peshkatarët e zonës kujtojnë me nostalgji kohën kur ujërat e kolektorit ishin të pastra, ndërsa sot thonë se situata është përkeqësuar duke zhdukur dhe peshqit.
Ndërkohë, Bashkia e Fierit ka nisur një aksion për pastrimin e rërës në plazh, por për ujin e ndotur të kolektorit banorët thonë se ende nuk është marrë asnjë masë konkrete. Institucionet përgjegjëse qe duhet te marrin masa ndaj ndotesve jane Inspektorati Kombëtar i Territorit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Komente











