Drejtori ekzekutiv i Juventusit, Damien Comolli deklaroi se pa kualifikimin në Champions League, bardhezinjtë do të detyrohet të shesin më shumë lojtarë nga sa ishte planifikuar. Mes emrave të përfolur është edhe Gleison Bremer, pjesë e klubit që nga viti 2022 dhe me kontratë deri në vitin 2029 me “Zonjën e Vjetër”.

Mbrojtësi i qendrës ka treg në Evropë dhe mund të sjellë një fitim të konsiderueshëm, deri në 50 milionë euro nëse nis një garë ofertash. Trajneri Luciano Spalletti e konsideron një element shumë të rëndësishëm, por nuk ka ndërmend të bllokojë largimin e tij nëse mbërrin oferta e duhur. Pra, me çmimin e duhur, Bremer mund të largohet.

Vetë braziliani, që pritet të jetë protagonist në Kupën e Botës 2026, do ta shihte me sy të mirë një transferim në Premier League, një mundësi ideale për të fituar trofe dhe për të rritur ndjeshëm pagën e tij, aktualisht rreth 5 milionë euro në sezon. Në gjurmët e ish-lojtarit të Torinos janë Liverpool dhe Manchester United.

Jashtë Anglisë, interes konkret po shfaq edhe Bayern Munich. Klubi bavarez mund të tentojë një ofensivë në javët e ardhshme, ndoshta duke sakrifikuar Kim Min-jae, i cili pëlqehet shumë nga Spalletti.

Ndërkohë, një qëndrim në Itali duket i vështirë për Bremer. Interi është në kërkim të një mbrojtësi cilësor, por kostoja e kartonit të 29-vjeçarit konsiderohet jashtë parametrave financiarë të kampionëve të Italisë.