Nëse kërkohet një provë, se krimet zgjedhore, hetohen me hapin e breshkës, një shembull tipik mund të gjendet në Prokurorinë e Fierit.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, një ditë para Krishtlindjeve, ka mbërritur një shkresë nga Prokuroria e Fierit e cila kërkon informacion mbi individët që kanë punuar për zgjedhjet e vitit 2021.

Me 4 vjet vonesë, hetuesit janë duke kryer veprime fillestare për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”.

Prokurori Skredi Sinanaj i kërkon KQZ-së t’i tregojë se kush ishin dy punonjësit e saj që në dy shkolla në Roskovec, ishin përgjegjës për pajisjet me të cilat votuesit identifikoheshin duke vendosur shenjën e gishtit dhe kartën e identitetit.

“Gjeneralitetet e plota dhe të dhënat e tjera personale identifikuese të Operatorëve të caktuar përgjegjës për pajisjen elektronike të identifikimit të zgjedhësve në Qendrën e Votimit nr. 3060 “Shkolla Izet Aga” dhe 3061 “Shkolla 5 Dëshmorët” në ZAZ 61, Bashkia Roskovec, në Zgjedhjet e datës 25 Prill 2021”, thuhet në shkresën e siguruar nga Report TV.

Prokurori, i cili rikthehet në “vendngjarje” pas 4 vjetësh, kujdeset t’i kujtojë Komisionit se informacioni duhet të mos i vonohet.

“Informacioni i disponuar pranë jush të vihet në dispozicion në një kohë të shpejtë për shkak të plotësimit të afateve për kryerjen e hetimeve paraprake”,-thuhet në dokument.

Report TV kontaktoi Prokurorinë e Fierit për të pyetur se pse në vitin 2025 po hetohej një ngjarje e zgjedhjeve 2021, dhe për tu garantuar që shkresa nuk ju referohej zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti.

Burime prapë hetuesve, konfirmuan, se po, kjo dosje është zvarritur prej më shumë se 4 vjetësh dhe tani po kryen veprimet hetimore fillestare, “për shkak se prokurorët kanë lëvizur nga sistemi, dhe e kanë transferuar çështjen nga njëri tek tjetri”.

Hetimet në kohë reale e krimeve zgjedhore janë një shqetësim jo vetëm i partive politike, por gjithashtu zënë vend edhe në raportet ndërkombëtare, si ajo e OSBE/ODIHR.

Shkresa e plotë e Prokurorisë

KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për nevoja të hetimit për procedimin penal nr. 321 të vitit 2025, për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” të parashikuar nga neni 327/a i Kodit Penal, kërkon të informohet për:

Gjeneralitetet e plota dhe të dhënat e tjera personale identifikuese të Operatorëve të caktuar përgjegjës për pajisjen elektronike të identifikimit të zgjedhësve në Qendrën e Votimit nr. 3060 “Shkolla Izet Aga” dhe 3061 “Shkolla 5 Dëshmorët” në ZAZ 61, Bashkia Roskovec, në Zgjedhjet e datës 25 Prill 2021.

Nga sa më sipër, informacioni i disponuar pranë jush të vihet në dispozicion në një kohë të shpejtë për shkak të plotësimit të afateve për kryerjen e hetimeve paraprake.

Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin!

PROKURORI I ÇËSHTJES

SKERDI SINANAJ

Datë: 22.12.2025

Shkresa e Prokurorisë së Fierit dërguar KQZ