Brinjarët apo ...gomerët për shtatoren e Skënderbeut

Brinjarët apo ...gomerët për shtatoren e Skënderbeut

Shtatorja e Skëndërbeut në Horën e Arbëreshëve

Këto ditë, kudo ku hidhje sytë, një vërshim idiotësie me komente, shfryrje dufesh, sarkazma, inate prej shqiptarësh për një... skulpturë!!! Një vepër arti e derdhur në bronz, e paguar nga kontributet e fshatrave arbëreshe të Horës në Sicili, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Pse ky mllef, pse kjo idiotësi? Sepse, medemek, portreti në bronz i Skënderbeut ngjan, sipas një tyrylylyje nga ballkoni, me fytyrën e Edi Ramës, se Edi Rama qenka Skënderbeu i sotëm, se vetë shtatorja është porositur nga ai, se... se... Dhe përralla vazhdon. Dhe ia nisi kori i kuak-kuakëve gjithandej, si kori i bretkosave ne komedinë e Aristofanit. U habita kur pashë në faqet e facebook disa modifikime që sot u bëjnë portreteve me programet e fundme kompjuterike dhe një hop mbeta ndërdyshas. Cinike.

Hyra në debat edhe me nja dy-tre miq virtual për të ndarë afshet e mërive tona politike, verbërinë ku ajo na çon, nga arti që s’ka punë me to. Tepria në këtë rast e ka mpirë trurin e shumëkujt, gjykimin e tyre racional. Ajo krijon një farë zombi brenda teje, ti bëhesh vetë një zomb, pa dashur të dallosh, më së pari, se ç’është imazh, skulpturë, art dhe ç’është histori, portret i njëmendët i heroit etj. Doja të shkëputesha një grimë herë nga mendjet e tredhura prej militantësh, që kudo shohin, fillim e mbarim, vetëm fytyrën a bëmat e Edi Ramës, edhe te një vepër arti si skulptura e Gjergjit të madh në Sicili. Pikë e zezë me mendje të tilla! Mirëpo shprehja e pakënaqësisë, gjer dhe e urrejtjes për një politikan si Edi Rama, qoftë për deliret e madhështisë, qoftë për mitin që ai kërkon t’i ngre vetes sipas tyre etj., s’ka pse të katandiset kritika në shfryrje mllefesh për një vepër konkrete arti..

Dhe teksa rrekesha në zejen time për të përthithur atë çka shënjohet si “artistike” në shtatoren e skulptorit kosovar Gëzim Muriqi, imazhi, gjetja, kompozimi, portreti, shprehja nuk më lanë të ftohtë. Nuk pash inat në sytë e tij, siç komentohet. Përkundrazi, e gjithë vepra përcjell madhështi. Qëndrimi i heroit të ngjan si, ndofta, pas një beteje, fitoreje, kur ai e ka hequr përkrenaren e rëndë dhe e ka lëshuar të cek tokën, si për të shplodhur krahun që bëri luftën, ashtu si dhe shpatën po njësoj e ka lëshuar për të cekur truallin. Ose para një beteje, ç’rëndësi ka!

Ajo që ta rrëmben shikimin padyshim është fytyra. Portret jo thjesht i një kapiteni, heroi, gjenerali, strategu, por ca më shumë. Një prijës. Ka një sy që sheh diku afër, ndoshta plojën e gjakut në betejën e fundme, ndoshta pirgje kufomash nga ushtria turke e mundur, por edhe të vrarë e të plagosur nga bashkëluftëtarët e tij. Ose krejt një hordhi. Dhe kjo e bën që  zymtimin e syrit dhe fytyrës së tij ta përligj të tërën pikërisht situata e para apo pasluftës. I lodhur është kapiteni i madh i shqiptarëve pas një beteje të përgjakshme. E si mos të jetë i lodhur?! Por jo i raskapitur, ca më shumë i lëshuar. Jo! Mos vallë duhet që ai të qesh? Mos vallë duhet të ketë një portret të paqëm, “princëror” e veshje sallonesh, kur ai sapo ka dalë nga beteja, gjaku, stërlodhja?

Gjithë situatën ai e ka nën sy, në atë vështrim sa konkret, mbase dhe të zymtë, mbase edhe me atë hije inati lufte që ende nuk i është fashitur fytyrës, por gjithsesi krenar, gjithsesi i vetëpërmbajtur, gjithsesi imponues. Vërtet një lider. Një qëndrestar mbi atë truall. I mbështetur fort në tokën e tij. Një portret që sundohet nga elementet epike, që epohen drejt sublimes, të madhërishmes.

Nga shumëkush kërkohet një ngjashmëri e portretit të Skënderbeut me “markën” tashmë të stampuar, së paku nga Odhise Paskali dhe Janaq Paçua në skulpturën shqiptare. Por nuk mund të jetë gjithçka ngjashmëri tiparesh e po asaj “stampe”, që tashmë është pranuar nga ne si fytyra e heroit. Me sa di unë, ekzistojnë nja dy portrete origjinale të Skënderbeut, pikturuar nga venecianët, kur ai shkoi aty.

Por dy artistët tanë, Paskali dhe Paçua, nuk e morën për bazë, e tejkaluan dhe krijuan një tjetër portret, që vjen nga vetë përfytyrimi ynë historik, sa dhe mitik, për Skënderbeun. Dhe them se ky portret i skulptorit Gëzim Muriqi nuk i ikën imazhit epik prej prijësi dhe luftëtari, paçka se tanimë ai vjen në një situatë mirëfilli paslufte, jo në një qasje, të themi, meditimi, racionale apo soditjeje, ku mund të ravijëzohen edhe shprehitë e një largëpamësie historike. Mirëpo kjo është zgjedhja e autorit dhe ne s’mund t’i themi: “Bëje kështu, se kështu më pëlqen mua!”. E gjitha është një keqkuptim, për ta thënë butë, në mos për ta thënë troç, është injorancë, mllef, idiotësi, verbëri politike.

        ...Ja, gjëra të tilla do kisha dëshirë të shikoja në komentet e shumta për këtë vepër të re që i kushtohet heroit tonë kombëtar. Pra, vlerësime estetike. Por jo... Epshet politike ndyen me glasët e tyre prej korbash dhe orlash synxjerrëse edhe diçka të bukur, e cila duhet përshëndetur, duhet përqafuar, duhet krenuar, ka nevojë për përkrahje. Glasët e këtyre lloj specieve, si kuajt e verbër që ecin kuturu buzë greminave, shprehin mendjen e gjymtë të idhtarëve të pandreqshëm që gjithçka e konvertojnë në një qëndrim politik banal. Edi Rama mund të ketë njëqind kusure të tijat zotërinj, po ç’lidhje ka ai me përfytyrimin e një artisti?!

Artistit pse ia poshtëroni veprën duke ia pështyrë me gjetjet dhe analogjitë tuaja të budallallepsura se portreti i Skënderbeut na qenka ai i Edi Ramës? Jo, nuk duhet mbërritur në orgazma të tilla, ku nuk përgëzohet një vepër arti, një artist, kur vetë gëzimi i përurimit të saj me domethënien që pati mes arbëreshëve të Italisë, tallet. Dëshira për të bërë pis gjithçka e në çdo rast e bën të pabesueshme të “vërtetën” tuaj. Ajo e kthen atë vetiu në një bumerang, siç është kthyer dhe do të kthehet, duke jua flakëruar shuplakën tashmë vetë juve me anësinë tuaj, verbërinë tuaj, manipulimin e trurit tuaj, budallallëkun dhe idiotësinë tuaj.

        Jini vetvetja! Dhe kur s’merrni vesh nga arti, heshtni! Shani dhe dërdëllitni ndaj të tjerëve, por mos e shani dhe mos broçkullisni për një vepër arti duke gjetur gjilpërën në kashtë, pa parë traun në syrin tuaj. Hiqeni, dreqin, atë tra nga syri, sepse jua ka mpirë vështrimin, jua ka verbuar trurin, e ka bërë një tru brinjarësh, mos të themi gomarësh...

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Indiferenti: 03/09/2024 19:21

    Ha ha ha fix Skënderbeu ynë i çerek shekullit 21...I gjatë,Imponues,I fortë dhe i vendosur për të fituar zgjedhjet e vitit 2025

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës