Qendra e Studimeve për Arbëreshët ka nevojë urgjente për zyra të përhershme funksionale, që garantojnë kushte dinjitoze pune për studiuesit dhe administratën. Në komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, drejtuesja e kësaj qendre Diana Kastrati tha se projekti i ri i QSPA-së, Shtëpia e Arbëreshëve, do të garantonte edhe stabilitet institucional.

“Në lidhje me aspekt e zyrave të përhershme, duke i ikur përkohshmërisë, që në 2020 kemi gati një projekt të quajtur Shtëpia e arbëreshëve, që parashikon tri hapësira fizike: një bibliotekë kushtuar ekskluzivisht arbëreshëve, me autorë mbi arbëreshët dhe autorë për arbëreshët. Së dyti, Arkivi për arbëreshët, në bazë të rregulloreve të funksionimit të arkivit, duke pasur personelin përkatës dhe së treti, një hapësirë kushtuar ekspozitave.”, tha Kastrati.

Kjo kërkesë u mbështet si nga anëtarët e mazhorancës, ashtu edhe të opozitës.

“Lënia në një cep me qira pa ditur për sa kohë dhe duke punuar jo si qendër, tregon nuk i është dhënë rendësia e duhur, pavarësisht përpjekjeve tuaja maksimale. Do të bëjmë kërkesë që qendra të ketë zyrat e saj të përhershme.”, tha Ina Zhupa, deputete e PD-së dhe kryetare e komisionit.

"Mbështesim propozimin për një fond të rëndësishëm, sipas një studimi të bërë nga ju, që të shkoni në zonat kryesore të Italisë dhe vende të tjera ku kanë jetuar arbëreshë, por jo vetëm. Nuk duhet t’ia falim vetes që në këtë pikë, italianët të bëjnë më shumë studime se ne.”, tha deputetja Jozefina Topalli.

“ Është çështje interesi kombëtar, që të ketë sa më shumë publikime për arbëreshët.”, vërejti deputeti i PS-së, njëherësh zv.kryetar i komisionit, Erjon Malaj.

Sipas drejtueses së Qendrës së Studimeve për Arbëreshët, përmbushja e këtij projekti do ta shndërronte trashëgiminë arbëreshe në një pikë reference kombëtare dhe rajonale, duke forcuar lidhjet kulturore Shqipëri–Itali dhe duke i dhënë zë një komuniteti që ka ruajtur identitetin shqiptar për mbi gjashtë shekuj. Sfidë për vitin 2026 është edhe digjitalizimi i trashëgimisë dhe përfshirja e gjuhës arbëreshe në kurrikulat shkollore në komunat arbëreshe të Italisë.