Një sërë materialesh audiovizuale mbi epikën shqiptare dhe kulturën arbëreshe, fryt i bashkëpunimit shumëvjeçar midis studiuesit dhe etnomuzikologut italian Nicola Scaldaferri dhe rapsodit të njohur Isa Elezi, u prezantuan para publikut shqiptar mbrëmjen e kësaj të hëne. Të pranishmit në librari “Valentini” patën mundësinë të shohin edhe dokumentarin “4 breza”, pjesë e një projekti më të gjerë mbi jetën dhe traditat e katër brezave të grave arbëreshe, i cili është shfaqur premierë botërore për publikun shqiptar.
Një pjesë e rëndësishme e materialeve prezantojnë jetën bashkëkohore arbëreshe. Shumë prej vajzave që veshin kostume tradicionale në festat e fshatrave nuk jetojnë më aty. Ato rikthehen vetëm në raste të veçanta, duke sjellë me vete një lidhje emocionale me rrënjët, por jo me një përditshmëri kulturore.
“Shohim disa nga vajzat e sotme arbëreshe të veshura me kostume. Asnjë nga ato vajza nuk jeton në të vërtetë në këtë zonë. Ato kthehen vetëm për raste festive me një lidhje të thellë. Ato këndojnë këngë tradicionale dhe veshin kostumet e gjysheve të tyre, ndonjëherë të ribëra nga e para, por janë njerëz që nuk e kanë jetën e tyre të përditshme në këto fshatra, dhe kjo është diçka që duhet ta mbajmë mend. Përndryshe, unë e quaj veten të bllokuar brenda një vizioni disi nostalgjik që nuk përputhet me botën e sotme.”, thotë studiuesi Nicola Scaldaferri.
Për studiuesin Scaldaferri, autor i librit “Etnografi tingujsh: ese mbi oralitetin, arbëreshët dhe këngën epike” botuar nga "Berk", muzika nuk është vetëm objekt studimi, por një dritare drejt kuptimit të proceseve të krijimit kulturor. Ai shpjegon se kërkimi i tij shpesh ka nisur nga muzika, por kjo e fundit ka shërbyer vetëm si portë hyrëse drejt një bote shumë më të gjerë kulturore.
Në një diskutim me përkthyesen e studiuesen Mikaela Minga ai foli mes të tjerash se si arkivat e tingullit e kanë udhëhequr drejt peizazheve kulturore arbëreshe, si dhe për metodat e kërkimit në terren dhe dimensionet intime e krijuese të këngës epike.
Studiuesit folën edhe rreth ruajtjes, transformimit dhe humbjeve që shoqërojnë kalimin e traditave gojore në formë të shkruar. Qasja tradicionale ndaj kulturës arbëreshe në Shqipëri sipas Scaldaferrit ka qenë shpesh e kufizuar në gjuhësi dhe letërsi.
“Ekziston kjo traditë e rëndësishme letrare që është themelore. Koncepti i kombit shqiptar ndoshta u zhvillua fillimisht midis arbëreshëve, edhe para se të ekzistonte këtu në Shqipëri, kur një shtet shqiptar nuk ekzistonte ende. Pra, është absolutisht e drejtë, dhe do të thoja se ndoshta është edhe e nevojshme të fillojmë nga këto elementë. Megjithatë, është e vërtetë që ka më shumë. Veçanërisht sot, në vitin 2025, kur flasim për Arbëreshët, po flasim për një realitet që është i pakapshëm dhe i vështirë për t'u përcaktuar.”, vijoi Scaldaferri.
Sot, shumë fshatra arbëreshe po përjetojnë zbrazje të thellë demografike. Brezat e rinj jetojnë larg vendlindjes dhe kthehen vetëm në raste festash, ndërsa identiteti arbëresh sot është një realitet i shpërndarë në diasporë dhe vazhdimisht në ndryshim.
Për këtë arsye, studiuesit theksojnë nevojën për një qasje kritike dhe etnografike, të aftë të kapë kompleksitetin e jetës bashkëkohore arbëreshe, larg nostalgjisë sipërfaqësore. Në botimin e Scaldaferrit, që vjen në shqip nga Mikaela Minga, përfshihet edhe një intervistë e rrallë me etnomuzikologun shqiptar Ramadan Sokoli, një nga figurat më të rëndësishme të studimeve mbi muzikën popullore.
Komente






