Ligji i ri i Rishi Sunak për të ndaluar azilin, e kaloi pengesën e tij të parë në Dhomën e Komunave mbrëmë - por kryeministri është paralajmëruar për një rebelim konservator. Ish-kryeministrja Theresa May udhëhoqi një revoltë kundër Projektligjit të Migracionit të Paligjshëm duke shprehur një sërë shqetësimesh për pasojat e tij. May paralajmëroi se viktimat e skllavërisë moderne do të jenë 'dëm kolateral' si rezultat i goditjes së re të krizës së emigrantëve.

 “Sa herë që mbyllni një rrugë, migrantët dhe kontrabandistët e njerëzve gjejnë një rrugë tjetër. Kushdo që mendon se ky projektligj do të trajtojë njëherë e përgjithmonë çështjen e migracionit të paligjshëm e ka gabim”.

I pyetur për komentet e ish-kryeministres May, Sunak tha:

"Unë jam i bindur se ligji ynë përfaqëson mënyrën më të mirë për të zgjidhur këtë problem, edhe pse nuk do të jetë e lehtë.

May, ish-sekretare e Brendshme, iu bashkua një numri deputetësh të tjerë konservatorë në refuzimin e mbështetjes së projektligjit që u miratua me 312 vota pro dhe 250 kundër në leximin e tij të dytë. Ministri i Sigurisë Tom Tugendhat këtë mëngjes mbrojti projektligjin pas sulmeve të Theresa May dhe theksoi se qëllimi i tij ishte t'i jepte fund trafikimit të njerëzve nga bandat. Sipas projektligjit, kushdo që arrin në Britani duke kaluar Kanalin me një varkë të vogël – ose me ndonjë mjet tjetër të paautorizuar nuk do të jetë më në gjendje kurrë të hyjë në Britaninë e Madhe. Në vend të kësaj, ata do të kenë të drejtë për azil vetëm në një vend të tretë si Ruanda. Një projektligj i tillë prek më së shumti shqiptarët, shumë prej të cilëve ikin në mënyrë ilegale drejt Britanisë.