Në Mbretërine e Bashkuar, vitin e fundit sipas shifrave qeveritare shqiptarët përbënin 2 përqind të rasteve të azilkërkuesve, rreth 2200 të tilla. Sipas shifrave të vetë qeverisë britanike, rastet nga shqipëria nuk qëndrojnë më as në 5 kombësitë kryesore që kërkojnë azil atje. Madje faqet qeveritare e paraqesin si një shembulli suksesi në këtë aspekt, pas marrëveshjes midis dy qeverive.

Hotelet që mbushen me azilkërkues në Britani janë prej kohësh një temë e nxehtë politike. Qeveria e Keir Starmer është zotuar ti boshatisë ato dhe e ka deklaruar atë si një sfidë me veten në sytë e publikut.

Të martën Ministrja e Brendshme Shabana Mahmood, prezantoi në parlament reformën, e cila parashikon ndërhyrje të ashpra për të frenuar fenomenin e migracionit të paligjshëm. Reforma, synon të prekë ligjet dhe procedurat që përcaktojnë azilkërkimin, duke shpallur synimin se hotelet për azilantët do të mbyllen në fund të mandatit aktual të parlamentit në 2029.

Mahmood veçoi rastin e 700 familjeve shqiptare të cilat sic tha do të dëbohen nga vendi.

'Në ato raste ku është e mundur ne do të shtyjmë për një kthim vullnetar, por nëse do të jetë I nevojshëm një kthim me forcë, kjo është ajo që do të bëjmë. Nëse barriera për një kthim nuk është individuale, as nga qeveria britanike por nga vendi pritës(origjinës) ne do të veprojmë' tha Mahmood. 

Por çfarë përbëjnë shqiptarët në numra sipas të dhënave të vetë qeverisë britanike? Kërkesat për azil nga shqiptarët, nuk janë më as në 5shen kryesore të kombësive që u përkasin azilkërkuesve në britani. Madje deri diku vendi ynë në këtë aspekt paraqitet si një rast suksesi. “Shqipëria është prezantuar gjithashtu për të treguar se kishte një numër të madh kërkesash për azil gjatë viteve të fundit, por nuk është më një nga pesë kombësitë kryesore”, thuhet në faqen e qeverisë britanike.

Ulja e kërkesave për azil nga shqiptarët ka ardhur si efekt i zbatimit të marrëveshjes së dhjetorit 2022 midis dy vendev. 

Gjithsej, vitin e fundit në britani kanë kërkuar azil rreth 111 mijë persona, ndërsa qeveria britanike në të dhënat e saj thotë se vetëm 2 përqind janë shqiptarë, pra rreth 2200 raste.

Deri në miratimin e kësaj reforme do të duhet të kalojnë ende disa javë. Ajo parashikon që statusi I refugjatit të skanohet ccdo 2 vite e gjysmë nga 5 që është aktualisht dhe ai mund të hiqet në momentin që vendi I origjinës shpallet I sigurtë.

Reforma e prezantuar nga laburistja Shabana Mahmood, shihet si një ndërhyrje gati drastike aq sa sipas BBC, ka dyshime nëse do të votohet ose jo, edhe nga lideri i Reform UK, Nigel Farage, i cili e ka përdorur temën e emigracionit për politikën e përditshme, duke u përplasur në distancë në disa raste edhe me kryeministrin e shqipërisë.