LONDËR, 11 tetor /ATSH-AFP/ - Shërbimet britanike të sigurisë kanë mbikëqyrur mijëra persona në Londër dhe kanë vlerësuar se të paktën një e treta e rreth 500 xhihadistëve britanikë të nisur në Siri ose Irak janë me origjinë nga Londra, deklaroi sot kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Boris Johnson.
"Çdo ditë, shërbimet e sigurisë janë angazhuar në mijëra operacione. Bëhet fjalë për disa mijëra persona që ne po mbikëqyrim në Londër", deklaroi kryetari i Bashkisë për të përditshmen "Daily Telegraph"."Në Londër, jemi shumë vigjilent dhe të shqetësuar", shtoi ai.
Autoritetet e vlerësojnë në 500 numrin e britanikëve të nisur për të luftuar në Siri apo Irak dhe shqetësohen për faktin se ndonjëri prej tyre mund të kthehet në Britaninë e Madhe dhe të kryejë ndonjë atentat.
"Mendojmë se një e treta, (...) ndoshta dhe gjysma prej tyre vijnë nga rajoni i Londrës", shtoi Boris Johnson.
Britania e Madhe njoftoi në fund të muajit gusht rritjen e nivelit të alarmit për sigurinë nga "thelbësor" në të "rëndë" duke e justifikuar këtë mobilizim nga kërcënimi terrorist që përbëjnë qindra britanikë që luftojnë në Irak dhe në Siri./
/ec/