ANGLI - Një operacion franko-britanik ka bërë të mundur shkatërrimin e një rrjeti kriminal që merrej me trafikimin e emigrantëve shqiptarë nga portet franceze drejt Mbretërisë së Bashkuar.
 
Lajmi është dhënë në “Daily Mail” e cila ka përshkruar me detaje operacionin policor. Sipas shtypit britanik, ky grup trafikantësh mendohet të ketë kaluar në mënyrë të paligjshme në Angli rreth 200 emigrantë shqiptarë të cilët paguanin nga 8 mijë sterlina.
 
Rrjeti kriminal drejtohej nga një kosovar i pasur në qytetin francez të St Malo-s. Nga hetimet, rezulton se ky rrjet ka kryer rreth 14 udhëtime për në Angli, duke përdorur peshkarexhat franceze, metodë e zgjedhur për shmangien e kontrollit në pikat kufitare.
 
Operacioni nisi që vitin e kaluar, pas arrestimit të dy kapitenëve të anijeve që kishin marrë me qira jahte luksoze, duke u justifikuar se do të udhëtonin drejt Karaibeve.
 
Lidhur me këtë operacion, pritet që ditët në vazhdim të kryhen arrestime të reja në Francë dhe Britani.
 
“Daily mail” përmend në shkrim se “Shqipëria nuk është anëtare e BE-së edhe pse ajo do të donte shumë të bashkohej, në mënyrë që njerëzit e vendit të saj, të cilët janë ndër më të varfëritë në Europë, të punojnë këtu.”
Gazeta angleze flet për një shtim të numrit të  emigrantëve  shqiptarë që vijnë në Britani për të kërkuar azil apo për të punuar në të zezë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)