Brizida Gjikondi: Katër vjet nëpër Kalabri në gjurmët e yllit të Rilindjes Kombëtare Vincenzo Dorsa!

Në Frashineto të Kalabrisë, një nga fshatrat ky hodhën rrënjë shqiptarët pas vdekjes së Skënderbeut, lindi në vitin 1823 Vincenzo Dorsa.  Ai ishte i biri i Franceskos, patriot e avokat i njohur në rrethinat e Frashinetos dhe nënë kishte mbesën e shqiptarit të madh Domeniko Belushi. I përkundur në djep të iluminizmit, reformimit dhe përhapjes së kulturës moderne napolitane, si pararendëse e rilindjes italiane e të bashkimit kombëtar italian, Vincenzo Dorsa atje larg në Kalabri, që në moshën e rinisë do të ndriste fort si një yll i parëlindur i rilindjes kombëtare. 

Brizida Gjikondi, e cila ka rendur katër vjet me radhë nëpër Kalabri, gjurmëve të shndritshme të Vincenzo Dorsës, në një intervistë ekskluzivisht për Report TV, rrëfen zbulimet më të fundit
Gjurmë pas gjurme, e ndër rrëfime zemrash të arbëreshëve të Italisë, Brizida Gjikondi gjeti atje shpirtin e Vincenzo Dorsës, certifikatën e lindjes së tij, shkollën ku dha mësim, librin madhor për vlerat historike e etno-kulturore të shkruara, që në vitin 1847 “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime”, Ishte vetëm 24 vjeç kur arriti të ndërtonte këtë vepër monumentale dedikuar kombit të tij, Albania.  Duke kërkuar nëpër arkiva e të tjera burime ndër arbëreshët e Italisë, Brizida Gjikondi ka rendur mbas dritëzës së historisë, duke flakur tej mantelin e rëndë e të pluhurosur të heshtjes akademike,  për të ndërtuar një libër të madh për arkitektin e shquar të rilindjes kombëtare, që për pak ditë del në dritën e botimit. 

Brizida, ajo që na sjell këtu është një bisedë shumë më herët për punën që ke ndërmarrë për të zbuluar gjurmët e Vincenzo Dorsa-s, një nga personalitet arbëreshë, që është pak ose aspak i njohur në albanologjinë shqiptare dhe në shkolla. Ne dinin që ekzistonte një De Rada, por nuk dinim që ekzistonte Dorsa, kur e morët këtë nismë?

-Përpara rreth katër vjetësh, duke dashur që të përktheja diçka nga Dora D’Istria, duke qenë që veprat më të mëdha ajo i ka në frëngjisht dhe në italisht, pak gjë është përkthyer në shqip, që është për të ardhur keq, lexoj ndër rreshtat e saj për ditën e vdekjes së Skënderbeut, një poezi shumë të bukur arbëreshe, sesi e qanin arbëreshët vdekjen e Skënderbeut edhe pas katër shekujsh duke përmendur se këtë poezi e kishte marrë nga librat e një arbëreshi të madh Vincenzo Dorsa (Vinçenso Dorsa). Mbasi kalova rreth 23 faqe, sikur më thirri ky emër dhe kthehem mbrapsht tek Vincenzo Dorsa. Hyj të kërkoj për të. Mësova se ishte nga një fshat, Frascineto, që në shqip është Frashër i Kalabrisë, që veprën e tij e mbante dhe e kishte kultivuar një prift i madh që quhet Antonio Belusci. Më tërhoqi kjo gjë. Kontaktoj direkt zotin Belusci me telefon. I thashë interesin e madh për Vineczo Dorsa-n, dhe i thashë se gjurmët më çuan në bibliotekën e tij. Më ftoi, dhe unë nisem drejt Kalabrisë me traget.  Shkoj në Kalabri, takohem me zotin Belusci edhe me vëllanë e tij Tomasin, që ishte avokat dhe më vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin që kishin të Dorsës. Shkoj në vendin ku prehej Dorsa, shkoj në shtëpinë e tij, që thashë një pjesë e madhe e saj është e rrënuar, e cila ka qenë edhe shkollë shqipe të Rilindjes Italiane, ku vetë Dorsa kishte dhënë mësim. Gjeta  një shqiptar shumë të madh, një bashkëkohës i De Radës e shumë arbëreshëve të tjerë, pavarësisht se De Rada është një figurë e madhe me kontribute të çmuara për Shqipërinë, një kultivues dhe grumbullues i folklorit shqiptar  dhe i shumë veprave të tjera që ne tashmë na kanë mbledhur shumë përpara botës së ë përparuar. Ai nuk ishte i vetëm në atë lëndë, ai ka qenë bashkë me shqiptarë të tjerë që na kanë lënë pas një lëndë shuam të çmuar, që ne të jemi një nga vendet më të ndriçuara të Ballkanit, sepse në qoftë se do të shohim shtetet të Ballkanit nuk pasur kaq shumë rilindës, sa kemi pasur ne, dhe nuk po flas këtu për Naimin, Sami Frashërin, etj, por flas për shqiptarët e ‘800-s. 

Lidhjet mes arbëreshëve nuk na kamë munguar edhe gjatë diktaturës komuniste, përse një nga figurat Jeronim De Rada ishte i studiuar, i ardhur me veprat, me kulturën, me jetesën dhe kush kishte qenë, ndërsa Dorsa nuk përmendej fare, pse ka lindur kjo dukuri, çfarë lidhje kishin këto dy personalitete?

-Përveç dy figurave si Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati, të cilët kanë hedhur vëmendje  tyre drejt Vincenzo Dorsa-s, kanë cekur diçka nga ai, shumë figura të tjera kanë përtuar të merren me figura të tjetra të Rilindjes italiane, por që ishin arbëreshe. Është për të ardhur keq, saqë Belusci e thotë ndonjëherë edhe me si me shaka se “aq shumë janë marrë me De Radën, saqë tani nuk u ngelet gjë tjetër, por duket si i njëjti solucion, që merret nga një shishe dhe hidhet në një tjetër.” Domethënë asnjëherë nuk punojnë me një gjë të re. Ka shumë figura shqiptare, arbëreshe të mëdha që janë të pastudiuara në Shqipëri.  
Në rast se do më lini të them vetëm tre gjëra që Dorsa është nga shkruesit e parë të Historisë së Shqipërisë, po flas për 1847-n, me librin e tij “Mbi shqiptarët”, të cilin unë e përfundoj tani në shkurt. Dedikimin ia ka bërë kombit të tij dhe shprehja e tij e famshme e shkruar në të, është “Këtë libër ia dedikoj kombit tim, të ndarë dhe të shpërndarë për një”.  Është një studim shkencor, një studim i  bazuar tek Plutarku, tek lëvizjet e Herodotit, tek Pukëvili, tek të gjithë historianët e të gjitha kohërave, që kanë shkelur në Shqipëri, në trojet shqiptare dhe kanë analizuar historinë e Shqipërisë.  Dhe në 20 kapituj të këtij libri, Dorsa përpiqet që t’i tregojë të gjithë botës, se shqiptarët dhe Shqipëria me shqiptarët janë një komb i vjetër dhe me vlera, por të panjohur. Dhe aty bënë studime gjeografike, studime historike,  merret me traditën, merret me zakonet, dhe çdo gjë në mënyrë shkencore. 
Biles, ai ka aty një kapitull që flet me De Radën, flet për të gjitha figurat e tjera të shquara arbëreshe të periudhës që ia ka jetuar. Ka një kapitull shumë interesant për Skënderbeun, për gjëra që ne nuk i dinim. Ky për të tregon sesi familjarët e Skënderbeut kur u rikthyen në Itali, gjëra që unë nuk i dija në fakt, mori të gjitha fshatrat që mbreti i Napolit i kishte dhënë Skënderbeut, që shtrihen në Pulja, në Kalabri dhe në jugun e thellë të Italisë, ai ua mbajti premtimin, edhe pse kishte vdekur Skënderbeu, dhe gruan e tij Donikën e mori në oborrin mbretëror, e të gjithë fshatrat e tjerë u banuan nga arbëreshët dhe nga prijësit shqiptarë. Bile edhe analiza që bën Dorsa, thotë që elita e Shqipërisë atëherë, mbas mësymjes turke, për t’i shpëtuar hakmarrjes së tyre, të cilët nuk do t’ua falnin 25 vjet rezistencë, shkuan në Itali dhe aty morën me vete gjithçka kishin të çmuar nga mëmëdheu, duke ruajtur me fanatizëm zakonet e tyre i morën me vete atje. 
Dorsa kishte qenë një nga prefektët e qytetit të Kozencës, kishte qenë një profesor i shquar i gjimnazit të Kozencës. Kishte qenë një nga shkruesit kryesor të gazetës “Kalabrezi”. Është një nga studiuesit parë të Dante Alighierit.

Është studiuesi i parë shqiptar që ka studiuar Dante Alighierin. Është studiuesi i parë që ka studiuar  një nga filozofët më të mëdhenj italianë, që quhet Viko. Është nja nga studiuesit e parë që ka studiuar me shkrim Atonio Serra-n, që është ekonomisti parë i shoqërisë së njerëzimit që ka zbuluar ekonominë politike.
Dhe Dorsa është i pari që ka bërë një analizë mbi Antonio Serra-n. E para, ai ka bërë kaq shumë, sa jeta nuk të mjafton për ta zbuluar, dhe është e patolerueshme, se është një kulturën shqiptare, por edhe italianët. 

Ju na dhatë të qartë mesazhin si një kontribuues i madh, jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe për kulturën italiane. Por tashmë po bëhemi kurioz, cila ishte jeta personale e Dorsa-s, çfarë ke zbuluar ti në rrëfimet, udhëtimet, në fshatrat arbëreshe, sepse një pjesë të tyre do të t’i shohim në librin tënd apo jo?

-Dorsa ishte nipi i Domenico Belusci-t, një nga shqiptarët më të mëdhenj që ka qenë një nga krijuesit e Kolegjit të Shën Adrianit, në Itali. Ky ka qenë një kolegj ku janë shkolluar kapacitete të mëdha si Mihal Grameno, Luigj Gurakuqi, Jeronim de Rada, domethënë elita më e madhe e shqiptarëve rilindës me personalitete të spikatura intelektuale janë shkolluar atje. Dhe Vincenzo Dorsa ishte djali i dy intelektualëve. Domenico Beluscin ai e kishte dajë dhe babai i tij quhej Francesco, dhe ishte një nga avokatët më të shquar të zonës së Napolit. Dhe ishte një familje elitare. Madje kur unë kam parë librat që referohet Dorsa në punimet e tij un jam befasuar sepse Dorsa kishte në dispozicion çfarëdolloj libri që botohej në vendet e përparuara të Europës. Unë kam zbuluar se Dorsa dinte frëngjisht, anglisht dhe ai i referohet atyre në gjuhën origjinale dhe jo të përkthyera. Dorsa ishte më të gjithë kuptimin e fjalës një erudit. Atë e çon shkolla për të bërë studimet fetare në Romë, që quhet “Lettere romane”, edhe pse ishte vetëm 24 vjeç. Ai edhe pse u zgjodh si një nga më të zgjuarit e zonës dhe e çuan atje, ai nuk u shkëput dot nga rrënjët. Kthehet ai pastaj, filloi të merrej me kohë të plotë me të gjitha studimet, ai është i pari që bashkë me Antonio Mashin ka bërë Studimet Etimologjike të Gjuhës Shqipe, ai dhe Françesko Krispi. Dhe vepra e tij që unë po punoj “Mbi shqiptarët” që ai e ka bërë 25 vjeç, është një vepër që e simbolizon atë, por nuk është vepra kryesore e tij. Veprat e tij që ka shkruar më pas, shkrimet e tij që ka bërë nëpër gazeta, kontributet e tij kundër burdonëve dhe në krah të Garibaldit janë shumë domethënëse. Mund t’ju them një kuriozitet. Kur shkoj në Arkivin e Shtetit Shqiptar, shikoj që Dorsa kishte një dosje të madhe me korrespodenca me figura të shquara, ende të pastudiuara këtu në Shqipëri.  Shikoj diçka, që në një letër që i çonte Sami Frashëri De Radës, Sami Frashëri i shkruante në ligjëratë të drejtë De Radës. “Dhe ne i vlerësuam të gjitha alfabetet, por alfabeti që na pëlqeu më shumë është i Francesco Dorsës.”  Këtë e kam të fotografuar, të skanuar. 

Kjo është fantastike. Nga kjo që më thoni, të jep një lloj optimizmi, se të duket sikur kjo bota e kulturës arbëreshe ka qenë zemra e të gjithë rajonit në një farë mënyre?

-Jo në një farë mënyre, ka qenë vërtetë. Në rast se në Greqi të gjitha fshatrat arvanitase, që kanë qenë me qindra, u asimiluan, sepse shteti grek pati një politikë agresive, ndaj ndryshimit të merave, të të gjitha zakoneve, të traditave, edhe pse kishin të njëjtën fe ortodokse, në Itali për hir të së vërtetës, që ishte Italia e lashtë e Romës, e traditave, nuk pati një agresivitet të tillë. Përgjatë kohës që unë jam marrë me Dorsën, kam zbuluar gjëra shumë të çmuara. 

Qeveria e parë e Garibaldit ka pasur 6 ministra, nga të cilët tre ishin shqiptarë. Ishte Krispi, Ministri Gjura, që ishte Ministri i Transporteve dhe është një nga inxhinierët më të mëdhenj të ndërtimeve të rrugëve dhe urave, ishte dhe ministri Skura. Madje, ministri Skura që ishte dhe Ministri i Drejtësisë, ishte hartuesi i parë që shpërndau peticionin për bashkimin e të gjithë Italisë. Pra nga gjashtë Ministra gjysma kanë qenë arbëreshë nga ata që kanë bërë Italinë e Bashkuar dhe këta nuk njihen nga ne shqiptarët dhe nuk janë promovuar. 

Po kështu edhe Margarita Sarroki ka shkruan poemën e nga një poete grua që quhet poema “Skënderbeu”. Dhe kjo ndodhet në Bibliotekën e Shkodrës, mendoj se duhet të jetë tek librat e konfiskuar të komunizmit. Ka shumë studime historike që lidhen me toponimet sesi Mali i Çikës, ka qenë ndarje natyrale dhe historike e Epirit me Ilirinë, ka studime të mirëfillta shkencore, etj. 

Pra, Dorsa, është një plotës i asaj kulture që ka humbur në trojet tona? 

-Kjo është vërtetë një thesar që ka ruajtur që ka ruajtur Dorsa për kulturën shqiptare. Pavarësisht se ata po asimilohen, kanë pesë shekuj që po na presin. Unë mendoj se jemi akoma në kohë për të kapur fundin e fillit. 
Unë në librin tim kam shkruar sesi Dorsa ka shumë kontribute të çmuara për kombin shqiptar, për mendimin e kombit shqiptar. 

Në muajin nëntor unë bëra një udhëtim të gjatë në Kalabri, sepse Dorsën që unë quajta produkt shpirtëror timin, unë doja të shkelja ku ka qenë ai. Shkova në gjimnazin “Telesio” të Kozencës dhe mësova se trupi i tij ku vdiq atje u shoqërua me tren nga të gjithë studentët e gjimnazit, po flasim në 1885-n, kur gjimnazi ishte universitet. Dhe Dorsa ka lindur në një ditë me mamanë time më 26 shkurt dhe unë do të doja që më 26 shkurt ditën e ditëlindjes së tij të promovohet libri më i madh dhe më i rëndësishëm mbi shqiptarët “Kërkime dhe mendime për shqiptarët” me dedikimin “Kombit tim të ndarë e të shpërndarë për një”.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë