BRUKSEL, 3 mars /ATSH-AFP/ - Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të ndërmarrë një program investimesh në Greqi duke iu përgjigjur një kërkese të autoriteteve të vendit për t'i ndihmuar në rritjen ekonomike, njoftoi ajo sot.
Aksionerët e këtij institucioni që ndodhet në Londër dhe me seli në 64 vende dhe dy organizata ndërqeveritare, kanë votuar sot në mbështetje të këtij programi investimesh që do të vazhdojë deri në vitin 2020.
"Ajo qe ne do të provojmë të bëjmë, është përdorimi i ekspertizës së bankës për të zhvilluar sektorin privat dhe për të mbështetur rritjen ekonomike në Greqi", deklaroi në një konferencë shtypi në Bruksel presidenti i BERZH, Suma Chakrabarti.
Ai nuk dha detaje për shumën e kësaj ndihme dhe refuzoi të konfirmonte vlerën prej një miliardë eurosh të përmendur nga shtypi.
"Shuma do të jetë domethënëse", theksoi Chakrabarti duke shtuar se ajo varej nga projektet e zgjedhura.
"Ekspertët e bankës do të shkojnë tashmë në vend për të biseduar për prioritetet me autoritetet greke. Ne do të bëjmë një vlerësim të plotë të asaj që ne mund të bëjmë", shtoi Chakrabarti.
Programi i investimeve do të përfshijë kushte dhe do të varet gjithashtu nga politika e ndërmarrë nga qeveria e Aleksis Ciprasit./
/ec/