BRUKSEL, 8 maj /ATSH-AFP/ - Referendumi për mbajtjen ose daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian është bërë sot një çështje e rëndësishme pas fitores në zgjedhje të David Cameron, dhe evropianët, që refuzojnë të paguajnë çmim të lartë për t'i ruajtur, po përgatiten për dy vite të vështira negociatash.
Kryeministri konservator kishte premtuar të organizonte para vitit 2017 një referendum për të vendosur për të ardhmen e Britanisë së Madhe në Evropë, nëse do të rizgjidhej. Ai konfirmoi qëllimin e tij sot pasi u ngarkua për të formuar një qeveri të re.
Komisioni Evropian hartoi menjëherë një linjë të kuqe. "Katër liritë themelore, përkatësisht qarkullimi i lirë i personave, të ardhurat, kapitalet dhe shërbimet, nuk janë të negociueshme, sepse ato janë thelbi i Bashkimit Evropian", theksoi zëdhënësi, Margaritis Schinas.
Presidenti i ekzekutivit të Brukselit, Jean-Claude Juncker, i hapi rrugën modifikimeve të vogla të traktateve në një intervistë të dhënë për BBC-në, i vetmi qëndrim i tij gjatë fushatës zgjedhore në Britaninë e Madhe.
"Brexit" që do të thotë një dalje e Britanisë nga BE, nuk është fituar dhe drejtuesit e tjerë evropianë do të bëjnë gjithçka për të lehtësuar fitoren për "po"-në, përsa i përket mbajtjes së Britanisë së Madhe në BE.
"Pres që qeveria e re britanike të shprehet në mbështetje të qëndrimit të Britanisë së Madhe në BE", deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk në një mesazh përshëndetës për David Cameron./
/ec/








