Dalia Grybauskaite
BRUKSEL, 30 gusht /ATSH-AFP/ - Rusia është praktikisht në luftë kundër Evropës, theksoi sot presidentja lituaneze, Dalia Grybauskaite duke i kërkuar evropianëve të dërgojnë materiale ushtarake në Ukrainë.
"Rusia është në gjendje lufte me Ukrainën, një vend që kërkon të bëhet pjesë e Evropës, gjë që nënkupton se Moska është praktikisht në luftë kundër Evropës", deklaroi Grybauskaite pas mbërritjes në një samit evropian në Bruksel, ndërkohë që ka shumë informacione mbi hyrjen e trupave ruse në Ukrainë, informacione të përgënjeshtruara nga Moska.
"Ne duhet të ndihmojmë Ukrainën të vetëmbrohet. (...) Ne duhet t'u dërgojmë atyre materiale ushtarake", theksoi drejtuesja lituaneze, që shprehet në mbështetje të një qëndrimi më të vendosur të BE-së kundër Rusisë.
Ajo kritikoi sanksionet e marra nga evropianët kundër Moskës, gjykuar si shumë të përgjithshme dhe aspak të ashpra./
/ec/