27 ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, po zhvillojnë sot një takim të përbashkët në Bruksel me homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu dhe ministrin e Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Takimi kryesohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas ndërsa diskutimet pritet të përqendrohen në marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, lufta Rusi-Ukrainë dhe ajo në Lindjen e Mesme si dhe për kërcënimet e vazhdueshme që po përballet sot BE.

Pjesë e bisedimeve do të jenë dhe vijimi i negociatave të Shqipërisë dhe Malit të Zi, dy vendet pararojë të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në familjen evropiane.

Komisionerja për Zgjerim Marta Kos, tha se Bashkimi Evropian do të ofrojë 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi në zbatim të Planit të Rritjes. Ndër të tjera, Kos tha se sot në takimin, do të diskutohet dhe për Samitin e radhës BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Podgoricë.

"Në zbatimin e Planit të Rritjes gjithçka po ecën mirë dhe në ditët në vijim do të disbursojmë afro 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Gjithashtu po sjellim rezultate konkrete sa i përket integrimit gradual, pasi, siç e dini, javën e kaluar Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në SEPA.

Ndërkohë po përgatisim Samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Podgoricë më 5 qershor, dhe pres një angazhim shumë të fortë nga të gjithë kandidatët e Ballkanit Perëndimor për të qëndruar të palëkundur në rrugën evropiane", tha ndër të tjera Kos.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:54
Suedia rikonfirmon mbështetjen e qëndrueshme për Shqipërinë, Hoxha diskuton për zgjerimin me homologen suedeze në Bruksel

Ministrat Ferit Hoxha dhe  Maria Stenergard

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me homologen suedeze, Maria Stenergard, në kuadër të takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel. Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë bisedës u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Suedisë, përfshirë edhe bashkëpunimin si vende aleate në NATO.

Sipas tij, palët shkëmbyen mendime mbi zgjerimin e Bashkimit Europian, sigurinë rajonale, bashkëpunimin euroatlantik dhe mënyrat për forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes dy vendeve. Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj rrugës europiane të Shqipërisë, si edhe për ndihmën përmes SIDA-s në mbështetje të reformave, shtetit të së drejtës dhe forcimit të institucioneve demokratike.

Në takim u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin në përballimin e sfidave të përbashkëta, forcimin e qëndrueshmërisë dhe promovimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Dy ministrat rikonfirmuan edhe mbështetjen për Ukrainën, në prag të takimit ministror të NATO-s që do të mbahet më 21-22 maj në Helsingborg.

Postimi i plotë i Hoxhës në X

“Ishte kënaqësi të takoja homologen time suedeze, Maria Stenergard, në kuadër të takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme (FAC).

Rikonfirmuam edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Suedisë, përfshirë edhe si aleatë në NATO, si dhe shkëmbyem mendime mbi prioritetet e përbashkëta, përfshirë zgjerimin e BE-së, sigurinë rajonale, bashkëpunimin euroatlantik dhe mënyrat për të forcuar e thelluar më tej partneritetin tonë dypalësh.

Shpreha mirënjohjen e thellë të Shqipërisë për mbështetjen afatgjatë të Suedisë, përfshirë përmes SIDA-s, si edhe për mbështetjen e saj të qëndrueshme dhe parimore ndaj rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Suedia mbetet një partner shumë i vlerësuar në mbështetje të axhendës sonë të reformave, shtetit të së drejtës, konsolidimit demokratik dhe të ardhmes europiane.

Diskutuam gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit më të ngushtë për përballimin e sfidave të përbashkëta, forcimin e qëndrueshmërisë, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa i afrohemi takimit ministror të NATO-s që do të zhvillohet më 21-22 maj në Helsingborg, rikonfirmuam rëndësinë e ruajtjes së mbështetjes sonë të palëkundur për Ukrainën dhe kauzën e saj të drejtë, ndërsa vazhdojmë të punojmë së bashku për një Europë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar.”

Ora 13:51
Shqipëria dhe Rumania drejt forcimit të bashkëpunimit, Hoxha takon homologen rumune në Bruksel

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Bruksel një takim me homologen rumune, Oana-Silvia Țoiu.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Rumanisë, si dhe vullneti për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Rumanisë për integrimin europian të Shqipërisë dhe theksoi angazhimin për bashkëpunim në funksion të stabilitetit rajonal dhe të ardhmes europiane të Ballkanit Perëndimor.

Postimi i plotë i Hoxhës në X

“Rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dhe afatgjata mes Shqipërisë dhe Rumanisë, duke nënvizuar vendosmërinë tonë të përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh në fusha me interes të përbashkët dhe në dobi të qytetarëve tanë.

Shpreha mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vyer të Rumanisë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ritheksova angazhimin tonë për të intensifikuar bashkëpunimin në mbështetje të stabilitetit rajonal, forcimit të ndërlidhjes dhe të ardhmes europiane të Ballkanit Perëndimor.

Diskutimi ynë vuri gjithashtu në pah rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në arsim, shkëmbimeve mes njerëzve, si edhe bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, me qëllim shfrytëzimin e plotë të potencialit të madh të partneritetit tonë dypalësh.

Në këtë drejtim, ramë dakord të forcojmë më tej bashkëpunimin kulturor si një mënyrë domethënëse për të thelluar miqësinë dhe partneritetin afatgjatë mes vendeve tona, si një investim i rëndësishëm për të ardhmen tonë të përbashkët europiane dhe lidhjet mes popujve tanë.”

Ora 11:54
Ministri Hoxha takim me homologun Berendsen: Holanda mbështet procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Ministrat Ferit Hoxha dhe Tom Berendsen

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot në Bruksel një takim me ministrin e Jashtëm të Holandës, Tom Berendsen, në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së (FAC).Në një postim në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi takimin “mjaft produktiv”, ndërsa theksoi se gjatë bisedës u vlerësua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Holandës. Sipas tij, të dy ministrat rikonfirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike, të sigurisë dhe çështjeve evropiane.

“Vlerësuam nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve bilaterale Shqipëri–Holandë dhe rikonfirmuam angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike, të sigurisë dhe çështjeve Evropiane. Shpreha mirënjohjen e Shqipërisë për rolin konstruktiv dhe parimor të Holandës në mbështetje të procesit tonë të anëtarësimit në BE, si edhe për angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e stabilitetit, shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërisë demokratike në Ballkanin Perëndimor. Ritheksova vendosmërinë e palëkundur të Shqipërisë për të avancuar negociatat me ritëm ambicioz, përmes zbatimit të reformave konkrete dhe përmbushjes së të gjitha standardeve të kërkuara në një proces të besueshëm dhe të bazuar në meritë., shkroi Hoxha.

Ministri shqiptar nënvizoi gjithashtu angazhimin e vendit për të avancuar negociatat përmes reformave konkrete dhe përmbushjes së standardeve të kërkuara nga BE.

“Për Shqipërinë, fjalët kyçe mbeten të qarta: reformat dhe zbatimi efektiv i tyre”, theksoi ai.

Mes të tjerash, Hoxha shtoi se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e BE-së për “një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar”.

Postimi i plotë i Hoxhës në X

"Një takim mjaft produktiv sot, në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme (FAC), me Ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen. Vlerësuam nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve bilaterale Shqipëri–Holandë dhe rikonfirmuam angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike, të sigurisë dhe çështjeve Evropiane. Shpreha mirënjohjen e Shqipërisë për rolin konstruktiv dhe parimor të Holandës në mbështetje të procesit tonë të anëtarësimit në BE, si edhe për angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e stabilitetit, shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërisë demokratike në Ballkanin Perëndimor. Ritheksova vendosmërinë e palëkundur të Shqipërisë për të avancuar negociatat me ritëm ambicioz, përmes zbatimit të reformave konkrete dhe përmbushjes së të gjitha standardeve të kërkuara në një proces të besueshëm dhe të bazuar në meritë. Për Shqipërinë, fjalët kyçe mbeten të qarta: reformat dhe zbatimi efektiv i tyre. ?? Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës së saj të anëtarësimit në BE dhe ndaj bashkëpunimit të ngushtë e të pandërprerë me të gjithë partnerët evropianë për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar"

Ora 10:35
Konjufca: Kërkojmë trajtim të barabartë e të drejtë nga BE-ja, të nisin negociatat për anëtarësim

Foto: Glauk Konjufca

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova kërkon trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se vendi është i gatshëm të ecë përpara brenda një procesi meritokratik.

Sipas tij, ky proces nënkupton që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE.

“Gjithashtu, ne duam të kemi një trajtim të barabartë dhe të drejtë nga BE-ja, ne si Kosovë jemi gati të lëvizim dhe të avancojmë brenda këtij kuadri të procesit bazuar në merita. Në të njëjtën kohë, ajo që mendojmë është se çfarë do të thotë në të vërtetë ky proces bazuar në merita është që Kosova të ketë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE”, tha Konjufca para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor të hënën në Bruksel.

Konjufca shtoi se hapi i parë drejt këtij qëllimi është pyetësori i BE-së.

Ai gjithashtu ritheksoi ndikimin e Rusisë në minimin e sigurisë jo vetëm të Ballkanit, por edhe të Evropës.

“Ajo që në të vërtetë po minon arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë Evropës, është ndikimi i keq i Rusisë në rajonin tonë, dhe prandaj mendoj se një Bashkim Evropian i bashkuar dhe i zgjeruar duhet të shihet gjithmonë nga perspektiva e nevojës strategjike”, nënvizoi ai.

Për dialogun me Serbinë, Konjufca theksoi se duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë konstruktive në dialog, por dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Le të fillojmë duke pasur pyetësorin, ky është hapi i parë. Pres me shumë optimizëm rezultate konkrete”, është shprehur ai.

Ora 10:32
Ministri Hoxha në Bruksel: Zgjerimi i BE jetik për Shqipërinë, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, jo një slogan bosh

Me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin informal mes Ministrave të Jashtëm të vendeve të BE dhe homologëve nga Ballkani Perëndimor.

Në fjalën e tij, Ministri Hoxha theksoi se për Shqipërinë, zgjerimi i BE-së është një zgjedhje strategjike, si garancia më e fortë për paqe afatgjatë, stabilitet dhe transformim demokratik. Ministri i Jashtëm shtoi se "Shqipëria ka investuar vazhdimisht dhe do të vazhdojë të investojë në bashkëpunimin rajonal, sepse mbetemi të bindur se nuk ekziston alternativë tjetër e qëndrueshme."

Postimi i Ministrit Ferit Hoxha

Bruksel: Kënaqësi që marr pjesë sot, për herë të parë në cilësinë time të re, në takimin joformal të Ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian me homologët e tyre nga #BallkaniPerëndimor.

Pikat kryesore që ndava me kolegët evropianë dhe rajonalë:

Bota, ashtu siç e njihnim dikur, është tronditur thellësisht. Rregullat dhe siguritë që për një kohë të gjatë i konsideronim garanci të stabilitetit, sot duken gjithnjë e më të brishta. Krizat e mbivendosura, fragmentimi gjeopolitik dhe intensifikimi i konkurrencës strategjike kanë kaluar në plan të parë. Në një kontekst të tillë, uniteti i qëllimit dhe uniteti në veprim nuk janë më zgjedhje, ato janë domosdoshmëri.

Për Shqipërinë, uniteti nënkupton bashkimin në çdo format të mundshëm për të ndërtuar kohezion më të fortë, qëndrueshmëri më të madhe dhe një vizion më të qartë gjeopolitik. Por, në fund të fundit, shprehja më e qartë e këtij vizioni mbetet zgjerimi dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Për Shqipërinë, Zgjerimi i BE-së është jetik, një zgjedhje strategjike, një spirancë e qytetërimit dhe garancia më e fortë par paqe afatgjatë, stabilitet dhe transformim demokratik. Besojmë gjithashtu se zgjerimi është po aq i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Evropian, siç është dëshmuar nga shtatë ciklet e mëparshme të zgjerimit. Ky proces duhet të mbetet i bazuar në meritë, sigurisht, por edhe i besueshëm, i prekshëm dhe i ndjekur aktivisht. Sa herë që procesi bllokohet, krijohen hapësira për cenueshmëri dhe zgjerohen ndikimet armiqësore.

 Pikërisht për këtë arsye duhet të thellojmë bashkëpunimin në politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, duke forcuar njëkohësisht kohezionin dhe mendësinë strategjike të përbashkët në mbarë #Evropën. Për Shqipërinë, përafrimi me Bashkimin Evropian nuk është një menu nga e cila mund të zgjedhim sipas dëshirës. Ai është një standard dhe një angazhim që duhet respektuar plotësisht. Në këtë drejtim, ne i lejojmë vetes vetëm një përqindje: 100%.

Forcimi i bashkëpunimit rajonal do të thotë gjithashtu të adresojmë me ndershmëri cenueshmëritë dhe të zgjidhim me vendosmëri çështjet e hapura. Ballkani Perëndimor ka ndryshuar pa dyshim për mirë, por mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Ballkani i së kaluarës mund t’i përkasë historisë, por rajoni ende duhet të bëjë më shumë për të merituar plotësisht kuptimin politik dhe demokratik të termit “Perëndimor”, dhe jo vetëm përkufizimin e tij gjeografik.

Shqipëria ka investuar vazhdimisht dhe do të vazhdojë të investojë në bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin, sepse mbetemi të bindur se nuk ekziston alternativë tjetër e qëndrueshme. Në veçanti, Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një slogan bosh apo në një objektiv të shtyrë pafundësisht. Njëzet e shtatë vjet pas ngjarjeve tragjike të vitit 1999, rajoni meriton një të ardhme të përcaktuar nga stabiliteti, njohja reciproke, bashkëpunimi dhe integrimi evropian.

Asnjë vend nuk është imun ndaj #KërcënimeveKibernetike apo #KërcënimeveHibride. Përvoja e Shqipërisë ka qenë e dhimbshme dhe me kosto, por edhe udhëzuese. Ne ishim objektiv i sulmeve serioze, por mësuam, u përshtatëm dhe forcuam qëndrueshmërinë tonë. Nuk ushqejmë iluzione: sa më shumë t’i afrohemi Bashkimit Evropian, aq më të sofistikuara dhe agresive do të bëhen këto kërcënime, përfshirë manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në informacion (#FIMI). Pikërisht për këtë arsye, bashkëpunimi më i ngushtë dhe qëndrueshmëria më e fortë janë thelbësore.

Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë në mënyrë aktive dhe të palëkundur objektivin e saj më të lartë kombëtar: anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne mbetemi të vendosur të bëjmë gjithçka të nevojshme për të qëndruar në pararojë të këtij procesi historik dhe për ta kthyer atë në një sukses të përbashkët, për Shqipërinë, për rajonin dhe për Evropën. Ishte inkurajuese të shihje se këto bindje gjetën jehonë të fortë rreth tryezës #Evropiane sot.

Ora 10:16
Kallas: Zgjedhjet në Kosovë vonojnë dialogun Prishtinë-Beograd

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, konfirmoi se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore përse, prej kohësh, nuk ka pasur një raund të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në nivel liderësh.

Ajo u tha gazetarëve se ka gatishmëri si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për një takim në kuadër të dialogut, por se shpallja e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë e ka shtyrë sërish procesin.

“Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës - dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve - nga Kosova dhe nga Serbia - por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha Kallas.

“Unë, megjithatë, po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, shtoi ajo.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit 2023. Kallas e mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së në dhjetor të vitit 2024 dhe deri më tani nuk ka pasur rast të jetë nikoqire e ndonjë rundi bisedimesh. Sot, ajo mirëpret një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.

Ora 10:05
Komisionerja Kos: Do të disbursojmë 200 mln euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi, diskutime për samitin e radhës BE-Ballkani Perëndimor (VIDEO)

Komisionerja për Zgjerim Marta Kos, tha se zgjerimi i BE-së është prioritet dhe se Bashkimi Evropian do të ofrojë 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi në zbatim të Planit të Rritjes. Ndër të tjera, Kos tha se sot në takimin, do të diskutohet dhe për Samitin e radhës BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Podgoricë.

"Kam një mesazh shumë të qartë. Ka vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Zgjerimi është prioritet për BE-në dhe nëse vendet kandidate bëjnë detyrat e tyre, atëherë duhet të bëjmë edhe ne tonat. Dhe ne po i bëjmë.

Në zbatimin e Planit të Rritjes gjithçka po ecën mirë dhe në ditët në vijim do të disbursojmë afro 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Gjithashtu po sjellim rezultate konkrete sa i përket integrimit gradual, pasi, siç e dini, javën e kaluar Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në SEPA.

Ndërkohë po përgatisim Samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Podgoricë më 5 qershor, dhe pres një angazhim shumë të fortë nga të gjithë kandidatët e Ballkanit Perëndimor për të qëndruar të palëkundur në rrugën evropiane", tha ndër të tjera Kos.