Në ditën e Evropës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti në zyrën e tij, një grup nxënësish të dalluar të shkollave 9-vjeçare nga e gjithë Shqipëria, në një bashkëbisedim për Bashkimin Evropian dhe rrugëtimin e vendit drejt familjes evropiane.

Gjatë ceremonisë së mirëseardhjes ku merrnin pjesë ambasadori i BE Silvio Gonzato dhe ambasadorë të vendeve anëtare, Ministri deklaroi se ky brez i ri është shpresa më e madhe jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e Evropës që duam të ndërtojmë.

"E ardhmja jonë evropiane nuk do të ndërtohet vetëm në Bruksel apo në kryeqytetet e mëdha. Ajo do të ndërtohet së pari këtu, nga fëmijë dhe të rinj si ju, në Tiranë, në Shkodër, në Korçë, në Vlorë dhe kudo ku mendjet e reja ëndërrojnë një të nesërme më të mirë", tha mes të tjerash Hoxha.

"E ardhmja e Shqipërisë në Evropë nuk është vetëm një projekt politik. Është projekti i brezit të ri. I fëmijëve që ëndërrojnë më shumë, dinë më shumë dhe nuk njohin kufij për talentin, dijen dhe ambicien e tyre. Sepse Shqipëria evropiane fillon me ata. Fillon këtu", theksoi më tej ministri.

Fjala e plotë e Ministrit Hoxha:

Mirëdita të gjithëve,
I dashur Silvio, Ambasadorë, Të dashur miq,Faleminderit që na u bashkuat për të shënuar këtë ditë kaq të veçantë.

Në mënyrë të vecantë një mirëseardhje të përzemërt për fëmijët dhe të rinjtë nga e gjithë Shqipëria dhe prindërit e tyre.  

Sot është Dita e Evropës. Dhe si e tillë, është edhe dita e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, sepse është dita e shpresës dhe e gëzimit, dita e bashkëpunimit dhe e përparimit, dita e paqes dhe sigurisë, dita e solidaritetit dhe e besimit tek e ardhmja.

Sepse Evropa nuk është vetëm institucione, traktate, rezoluta apo flamuj. Evropa janë së pari njerëzit.
Janë idetë dhe ëndrrat.
Është liria.
Është dinjiteti njerëzor.
Është begatia që ndërtohet përmes solidaritetit dhe bashkëpunimit.

Dhe mbi të gjitha, Evropa është e ardhmja që ju përket juve.

Të dashur të rinj,

Ju jeni brezi që do të jetojë në një Evropë më të lidhur, më të hapur dhe, shpresojmë gjithmonë, më paqësore.

Bashkimi Evropian u ndërtua pas kohësh të vështira nga njerëz që kuptuan diçka shumë të rëndësishme: se bashkëpunimi është gjithmonë më i fortë se ndarja dhe se shpresa është gjithmonë më e fortë se frika.

Jean Monnet, një nga etërit themelues të Evropës së bashkuar, thoshte: “Ne nuk po bashkojmë shtete, por po bashkojmë njerëz.”

Dhe ky është, në fund të fundit, kuptimi më i bukur i Evropës.

Ndërsa Nënë Tereza na kujtonte se: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

Edhe Evropa ndërtohet kështu: me mirëkuptim, me solidaritet, me respekt për njëri-tjetrin dhe me besimin se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.

Dhe ky është mesazhi që kam për ju sot:

Besoni tek vetja juaj.
Jini kureshtarë dhe bëni pyetje.
Lexoni dhe studioni. Udhëtoni.
Mësoni gjuhë të huaja.
Krijoni miqësi me njerëz nga vende dhe kultura të ndryshme.

Por, kudo që jeta t’ju çojë, mbajeni Shqipërinë në zemër me dinjitet, krenari dhe mirësi.

Sepse e ardhmja jonë evropiane nuk do të ndërtohet vetëm në Bruksel apo në kryeqytetet e mëdha. Ajo do të ndërtohet së pari këtu, nga fëmijë dhe të rinj si ju, në Tiranë, në Shkodër, në Korçë, në Vlorë dhe kudo ku mendjet e reja ëndërrojnë një të nesërme më të mirë.

Ismail Qemali thoshte se: “E ardhmja e një kombi varet nga dituria dhe rinia e tij.”

Prandaj ju jeni shpresa më e madhe jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e Evropës që duam të ndërtojmë.

Dhe mos reshtni kurrë së ëndërruari për gjëra të mëdha, për veten tuaj, për Shqipërinë dhe për Evropën.

Gëzuar Ditën e Evropës që është edhe dita e Shqipërisë!