BRUKSEL- Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Evropian Catherine Ashton takon në Bruksel kryeministrin kosovar Hashim Thaçi dhe atë serb Ivica Daçiç. Përmes një komunikimi zyrtar zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijançiç thotë se bisedimet do të mbahen në kuadër të lehtësimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. “Qëllimi i takimeve është që të diskutohet rruga përpara në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha ajo.

Burimet nga Brukseli nuk e kanë mohuar dhe as pohuar mundësinë e takimit mes Thaçit dhe Daçiçit ndërsa takimet me Ashton zyrtarisht janë parashikuar të jenë të ndara. Gazeta "Koha Ditore" citon në numrin e sotëm burime diplomatike në BE që vlerësojnë se nëse do të realizohet takimi Thaçi-Daçiç kjo do të shënonte një hap të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve.

Një ditë më parë Kuvendi i Kosovës e miratoi një rezolutë që synonte pikërisht shprehjen e vullnetit për normalizim marrëdhëniesh. Në Raportin e fundit të Progresit për Serbinë është bërë e qartë se pa një përparim të dukshëm në raportet me Kosovën, Serbia nuk mund të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE.
(dm/sg/shqiptarja.com)