Tre vjet pas krizës që tronditi sistemin bankar zviceran me kolapsin e Credit Suisse, Brukseli po punon për një plan të ri që synon të përgatisë Bashkimin Europian për krizën e ardhshme financiare.

Sipas një dokumenti konfidencial të siguruar nga Politico, Komisioni Europian po harton një mekanizëm që do të përdorej në rast se një bankë e madhe europiane përballet me vështirësi serioze financiare. Qëllimi nuk është vetëm shpëtimi i bankës, por sigurimi që ajo të vazhdojë të funksionojë edhe pasi të jetë shmangur falimentimi.

Në thelb, zyrtarët europianë po përpiqen t’i japin përgjigje një pyetjeje që mbetet e hapur që nga kriza globale financiare e vitit 2008: kush siguron paratë që i nevojiten një banke për të vazhduar aktivitetin pasi është shpëtuar nga kolapsi?

Edhe pse Bashkimi Europian ka miratuar ndër vite qindra faqe rregullash për menaxhimin e krizave bankare, ekziston ende një boshllëk i rëndësishëm. Rregullat aktuale përcaktojnë se humbjet duhet të mbulohen fillimisht nga aksionarët dhe kreditorët e bankës dhe jo nga taksapaguesit. Por problemi lind pasi banka është shpëtuar.

Një bankë mund të rezultojë teknikisht e qëndrueshme pas ndërhyrjes së autoriteteve, por nëse klientët fillojnë të tërheqin depozitat dhe tregjet financiare refuzojnë t’i japin hua, ajo mund të mbetet pa likuiditet brenda pak orësh.

Pikërisht këtë ekspertët e quajnë “problemi i mëngjesit të së hënës”. Një bankë mund të shpëtohet gjatë fundjavës përmes një operacioni emergjent, por kur hapen sportelet të hënën në mëngjes, ajo mund të përballet sërish me mungesë parash.

Në dokumentin e datës 1 qershor, Komisioni Europian paralajmëron se mungesa e një mekanizmi të përbashkët europian krijon pasiguri jo vetëm për sektorin financiar, por edhe për ekonominë e gjithë bllokut.

“Mungesa e një mekanizmi të përshtatshëm europian rezulton në boshllëqe të vazhdueshme në kuadrin e menaxhimit të krizave, të cilat minojnë besueshmërinë dhe besimin”, thuhet në dokument.

Sipas Komisionit, kjo pasiguri mund të krijojë rreziqe për buxhetet kombëtare, ekonominë europiane dhe financimin e prioriteteve të ardhshme të Bashkimit Europian.

Shqetësimi i Brukselit vjen në një moment kur vendet europiane përballen me sfida të shumta ekonomike. BE-ja vlerëson se i nevojiten rreth 1 trilion euro në vit për modernizimin e ekonomisë, transformimin industrial dhe forcimin e mbrojtjes. Në të njëjtën kohë, shumë vende vazhdojnë të përballen me rritje të dobët ekonomike dhe kosto të larta energjie.

Për këtë arsye, zyrtarët europianë duan të shmangin me çdo kusht një skenar ku një krizë e re bankare detyron qeveritë të hedhin miliarda euro nga buxhetet publike për të shpëtuar institucionet financiare.

Një nga arsyet kryesore pse po diskutohet kjo çështje është rasti i Credit Suisse.

Në mars të vitit 2023, autoritetet zvicerane u përballën me një krizë të papritur besimi ndaj bankës, e cila ishte një nga institucionet financiare më të rëndësishme në botë. Kriza shpërtheu pak ditë pasi në SHBA kishte falimentuar Silicon Valley Bank, një ngjarje që rriti ndjeshëm frikën në tregjet financiare.

Brenda pak ditësh, klientët e Credit Suisse nisën të tërhiqnin me shpejtësi depozitat, ndërsa investitorët humbën besimin te banka. Për të shmangur kolapsin, autoritetet zvicerane organizuan gjatë një fundjave një operacion emergjent shpëtimi që i hapi rrugën blerjes së Credit Suisse nga rivali i saj UBS.

Sipas Politico, paketa e mbështetjes arriti në rreth 260 miliardë franga zvicerane, një shumë që në atë kohë përfaqësonte afërsisht një të tretën e prodhimit ekonomik vjetor të Zvicrës. Për Bashkimin Europian, ky rast tregoi se sa e madhe mund të jetë fatura financiare kur humbet besimi te një bankë e madhe.

Megjithatë, modeli zviceran nuk mund të kopjohet lehtësisht në BE. Ndryshe nga Zvicra, Bashkimi Europian nuk ka një thesar të vetëm apo një ministri të përbashkët financash që mund të ndërhyjë menjëherë me para publike.

Për këtë arsye, Komisioni Europian po shqyrton një sistem të ndërtuar në disa nivele. Sipas dokumentit, në rast krize, ndihma e parë do të vinte nga Banka Qendrore Europiane, e cila do t’i siguronte likuiditet bankës në vështirësi. Kjo mbështetje do të garantohej nga Bordi i Vetëm i Zgjidhjes së Krizave Bankare (SRB).

Nëse situata përkeqësohet dhe garancitë humbasin vlerën, SRB do të përdorte fondin e vet prej 81 miliardë eurosh, i financuar nga vetë sektori bankar europian.

Nëse edhe kjo nuk mjafton, do të aktivizohej Mekanizmi Europian i Stabilitetit, fondi i shpëtimit i eurozonës. Vetëm në fund të këtij zinxhiri do të hynin në lojë qeveritë kombëtare. Ideja kryesore është që barra financiare të kalojë sa më shumë te sektori bankar dhe sa më pak te taksapaguesit.

Diskutimet aktualisht ndodhen në nivel teknik dhe nuk pritet që ministrat e Financave të vendeve të BE-së të marrin vendime gjatë këtij viti. Megjithatë, tema po fiton rëndësi në qarqet europiane, veçanërisht në një kohë kur autoritetet po kërkojnë mënyra për ta bërë sistemin bankar europian më të fortë dhe më konkurrues në arenën globale.

Komisioni Europian pritet të paraqesë pozicionin e tij zyrtar për këtë çështje në muajin korrik, në kuadër të raportit për konkurrueshmërinë e sektorit bankar europian.