Investimet e huaja direkte në ekonominë shqiptare janë në rënie. Sipas Direktoratit Ekonomiko-Financiar të Komisionit Evropian, ato kanë shënuar një ulje të ndjeshme, në masën 14.2 për qind, në fund të qershorit 2017, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Në raportin tremujor kushtuar ekonomive të vendeve kandidate apo që synojnë kandidimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ekspertët e Brukselit konstatojnë se ky mund të konsiderohet si i vetmi tregues negativ, pasi, në përgjithësi, pjesa tjetër e treguesve të rëndësishëm kanë shënuar rritje. KE ve në dukje se janë gjithnjë investimet e kryera për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), si dhe ato për ndërtimin e hidrocentralit të dytë mbi lumin Devoll (Moglicë) që po mbajnë ende ritmin e investimeve madhore në përgjithësi. Por këto investime vitin e ardhshëm pritet të përfundojnë.

Politika
Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, kryeministri Edi Rama siguroi një shumicë absolute në Kuvend dhe bashkoi disa ministri për qeverinë e re, duke përfshirë Ekonominë e Financat. Por, sikurse e konstatoi këtë edhe ekipi i FMN-së që vizitoi Tiranën së fundmi, ritmi i reformave u ngadalësua si pasojë e një tranzicioni të zgjatur qeveritar, thuhet në raport. 

Rritja
Sipas KE, në tremujorin e dytë rritja ekonomikë shënoi 4.1 për qind ndaj një viti më parë, ndërkohë që të gjithë përbërësit e kërkesës së brendshme kontribuan në këtë rritje: +2.3 për qind për shpenzimet e familjeve dhe +5.8% sa u përket shpenzimeve qeveritare. Një performancë shumë të mirë ka shënuar, më në fund, eksporti, me 22 për qind rritje në sektorin e eksportit të shërbimeve, ku përfshihen të ardhurat nga turizmi dhe transporti. Sa u përket mallrave, edhe eksporti i tyre u rrit në masën 4.4%, pas tre vitesh që shënuan rënie. Edhe ndërtimi, sipas raportit, kapi shifrën e 22.7 përqindëve si rritje ndaj një viti më parë, duke pasqyruar punimet në fushën e energjisë.

Punësimi
Për grupin e moshave 15-64 vjeç, punësimi është rritur në tremujorin e dytë në masën 3.5 për qind në shkallë vjetore, ndërkohë që papunësia është ulur 1.6%, për të arritur në nivelin 14.3 për qind. Edhe shkalla e papunësisë tek të rinjtë rezulton të jetë ulur në masën 3.4 për qind, por ende është e lartë: 26.4%. Rritje e ndjeshme është shënuar në punësimin në sektorin privat jo-bujqësor: 14.6% në shkallë vjetore. Ndërkohë, pagat shënuan 11 për qind rritje, si pasojë e rritjes në sektorin publik, të vendosur nga qeveria. 

Sektori i jashtëm
Pasi ishte ulur me 1.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto vitin e kaluar, në gjashtëmujorin e dytë 2017 deficiti i llogarisë korrente është ulur edhe më tej, në masën 19.7 për qind në shkallë vjetore. Prurjet e emigracionit, ndërkohë, kanë mbetur pak a shumë të njejta me një vit më parë. Borxhi i përgjithshëm i vendit me jashtë aktualisht, sipas ekspertëve te KE, llogaritet në rreth 7.85 miliardë euro, sa 69% e PBB-së, gjithsesi duke shënuar një ulje, pasi vjet ishte sa 73% e tij.  

Sektori fiskal
Të ardhurat buxhetore në total u rritën 6.7 për qind në tetë muajt e parë të këtij viti, ndërkohë që parashikimi ishte për vetëm 4 për qind. Në mënyrë të veçantë, kanë patur ecuri të mirë tatim fitimi, taksat vendore dhe kontributet për sigurimet shoqërore. Nga ana tjetër, shpenzimet në përgjithësi nga buxheti i shtetit u rritën në masën 12.4 për qind, pas një periudhe disavjeçare me shpenzime të ulta publike. Kjo, dukshëm në kuadër të “shpenzimeve elektorale”. 
Sa i përket borxhit publik, ai, sipas Brukselit, rezulton i ulur tashmë sa 68.4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (qershor 2017), ndërkohë që vetëm tre muaj më parë ishte në nivelin 66.9%. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com