Po ashtu, ai ka takuar sot Komisionerin për Zgjerimin Stefan Fyle, që e ka inkurajuar duke konfirmuar se "statusi kandidat për Shqipërinë është plotësisht i mundur" Lexo: Takimi me Fyle
Takimi i fundit që Rama ka zhvilluar ka qënë ai me Presidentin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, i cili ka deklaruar para mediave se "statusi kandidat për Shqipërinë po vjen gjithnjë e më afër e po bëhet edhe më realist." Lexo: Takimi me Rompuy
Një tjetèr takim Rama e ka pasur edhe me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schultz, shefen e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton dhe e ka mbyllur vizitën me një intervistë për rrjetin e famshëm, Euronews, ku ka theksuar se "dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE brenda 10 vitesh".
Në diskutimin që Kryeministri Rama ka pasur në veçanti me Presidentin e Komisionit Europian, Barroso janë vendosur hapat që Shqipëria duhet të ndërmarrë pa humbur kohë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE në muajin dhjetor të këtij viti.
Dakordësitë e tyre ata i prezantuan në një konferencë të përbashkët shtypi. Nëse zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund të konsiderohen tashmë si një objektiv i përmbushur, mbeten edhe tri objektiva të tjera parësore: Respektimi i të drejtave të e njeriut; Reforma në administratën publike; Reforma parlamentare.
Por, kushti që Shqipëria t'i realizojë reformat, përveç dialogut me qytetarët e shoqërinë civile, është domosdoshmëria e përfshirjes së opozitës. E pikërisht në kë pikë, kreu i Qeverisë së re të Shqipërisë deklaroi qartë se "procesi i integrimit për Shqipërinë nuk ka nisur nga kjo qeveri, ka nisur nga qeveria parardhëse, ndërsa ne duhet të bëjmë punën tonë për një objektiv që mund të arrihet."
BARROSO: SHQIPERIA DUHET TA KAPE KETE MUNDESI HISTORIKE TE ARTE
"Jam i lumtur që dëgjova nga Rama se është prioritet i Shqipërisë, integrimi në BE dhe qytetarët shqiptarë e mbështesin fort këtë proces. Një realitet konstruktiv do të ndikojë në suksesin e Shqipërisë dhe BE do jetë një mbështetje e madhe për shqiptarët në këtë rrugë të gjatë.
Natyrisht që ka këndvështrime të ndryshme, por në disa prioritete të vendit duhet të ketë dialog ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë e opozitës. E inkurajoj qeverinë e re dhe opozitën e re.
Ka dhe një moment të lidhur me vendosjen e shtetit të së drejtës; nuk ka kohë për të humbur, reformat duhen shpejtuar, jo për t’i bërë nder KE-së, por shqiptarëve, duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Reforma të rëndësishme janë edhe ato që duhen bërë në ekonomi; investimet po ashtu dhe së fundi BE-ja mendon që kjo është mundësi historike e artë për Shqipërinë, që duhet ta kapë. Unë do t’i drejtohem edhe Komitetit Europian që të punojë për integrimin e Shqipërisë. Ju mund të mbështeteni tek partnerët për integrimin,"- theksoi Barroso.
RAMA: NE PROCESIN E INTEGRIMIT DO PERFSHIHET DHE OPOZITA
"Zgjedhjet e 23 qershorit ishin ato që ishin, të lira dhe të ndershme, për shkakun se i gjithë trupi diplomatik na ndihmoi që t’i zhvillonim. Pra, njerëzit në Shqipëri votuan, vendosën t’ia japin drejtimin Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ne kemi marrë përgjegjësi të mëdha, sepse votimi nga 1 milionë shqiptarë na ngarkon me shumë përgjegjësi; ishte një votë jo për të ndryshuar një Kryeministër me një tjetër, por një votë për të ndryshuar vendin më së miri.
Në procesin e integrimit do të përfshihet edhe opozita. Integrimi do të shndrrohet në një reformë pothuajse dhe ne do ndryshojmë jetën e qytetarëve shqiptarë gjatë kësaj periudhe lidhur me këtë ambicie që ne besojmë se do ta prekim.
Theksoj edhe njeherë se të gjitha ato që kemi premtuar dëshirojmë t'i bëjmë, si hapjen e negociatave për statusin kandidat. Kjo është vendimtare për ne se shqiptarët e dëshirojnë dhe jemi të bindur se ju do vendosni në favorin tonë."
PYETJE
Z.Barroso, cilat janë shanset që Shqipëria të marrë statusin në BE?
BARROSO: Mendoj se Shqipëria mund të marrë statusin e vendit kandidat në princip këtë vit; ne e kemi bërë të qartë ta rekomandojmë, po kjo është e mundur nëse bëhet progres në disa reforma, si në të drejtat e njeriut, administrata publike dhe reforma parlamentare.
Theksoj se duhet dhe bashkëpunimi me opozitën. Zgjedhjet janë cilësuar tani si të lira e të ndershme dhe ky është një hap. Por për ne është i rëndësishsëm konsolidimi i institucioneve demokratike.
Ne do të rekomandojmë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe e kam inkurajuar qeverinë e re të investojë shumë në këtë drejtim, sepse vendet anëtare po ju vëzhgojnë.
Hapat që duhet të ndërmerren nga ky moment janë vendimtarë; nuk ka kohë për të humbur. Shpresoj në fakt që të më kuptoni në lidhje me këtë.
Nuk mund të them se Shqipëria mund të marrë statusin brenda këtij viti, por janë të rëndësishëm hapat që Shqipëria do marrë tani e më pas. Ne besojmë se do ketë një mobilizim të të gjithë shqiptarëve dhe ata do punojnë për vendin e tyre."
RAMA: Procesi i integrimit për Shqipërinë nuk ka nisur nga kjo qeveri, ka nisur nga qeveria parardhëse. Ne duhet të bëjmë punën tonë. Është një objektiv që mund të arrihet dhe besojmë fort se duhet të punojmë shumë për arritjen e objektit për hapjen e negociatave. Jam shumë i bindur se me mbështetjen e BE dhe të opozitës në Shqipëri do jemi gati të kemi lajme të mira."
RAMA NË EURONEWS: DUA TA SHOH SHQIPËRINË NË BE BRENDA 10 VJETËSH
"Dua ta shoh Shqipërinë në BE brenda 10 vites si anëtare me të drejta të plota", ka qenë dëshira dhe thelbi i intervistës që kryeministri Edi Rama ka thënë në Bruksel në një intervistë për Euronews.
AXHENDA E KRYEMINISTRIT EDI RAMA
Sot në axhendë është parashikuar takimi me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, Komisionerin Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme në BE, Catherine Ashton dhe Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuy.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)