“Flasim zgjuar për paranë! 100 vjet monedhë kombëtare!”. Ky është slogani i këtij viti për ‘Javën Globale të Parasë’ që është çelur në ambientet e Bankës së Shqipërisë.
Digjitalizimi është kryefjala e këtij viti, me avantazhet dhe disavantazhet që sjell.
“Edukimi financiar është një element shumë i rëndësishëm i cili i shërben të rinjve për të marrë informacionin e duhur, për të kuptuar se si duhet vepruar me të ardhurat, kursimet dhe investimet. Kuptojnë se si duhet vepruar me paranë, për përfitueshmëri sa më të mirë”, tha guvernatori Gent Sejko.
Në një botë kur mashtruesit janë vetëm ‘një klikim larg’, Shoqata e Bankave bën apel për kujdes në dhënien e informacioneve të llogarive bankare tek të panjohurit.
“Ne me metodat tradicionale jemi mësuar, që një portofol ku mbajmë paratë edhe mund të na humbasë apo të na e vjedhin por nëse në llogarinë tonë digjital e lëmë hapur në ambiente të sigurta, vendosim të ndajmë pasuordin, atëherë llogaria jonë fluturon. Nëse një pagesë është një klik larg, po ashtu edhe mashtruesit po një klik janë”, tha Spiro Brumbulli sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave.
Edukimi financiar, theksojnë institucionet duhet të jetë prioritet që në vegjëli, duke zhvilluar lëndë mësimore mbi kulturën e krijimit të parave, kursimit apo shpenzimit të tyre.
Një vrojtim i bankës së Shqipërisë i publikuar vjet tregonte se nuk jemi të ndërgjegjësuar për rrezikun që na vjen nga teknologjia, pas për blerjet online nuk merren fare këshilla.
Java e Parasë për këtë vit thotë Banka ka domethënie të veçantë pasi shënohet edhe 100-vjetori i emetimit të monedhës së parë kombëtare shqiptare.
Komente









