TIRANE - Sektori bankar ka vijuar të pengojë ecurinë e ekonomisë me ritmet e mëparshme pozitive. Standardet e kredisë dhënë bizneseve kanë vijuar të shtrëngohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013, konstatohet në materialin studimor, të hartuar nga Banka e Shqipërisë lidhur me aktivitetin e kreditimit gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Balanca neto e përgjigjeve të bankave që janë shprehur për shtrëngim të standardeve, shënoi vlerën 2.3%, vlerë kjo e barabartë me atë të shënuar një tremujor më parë. Shtrëngimi i standardeve për kreditë e dhëna në tremujorin e dytë të vitit 2013 rezultoi në një masë më të lartë se pritjet e shprehura në vrojtimin e kaluar.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, standardet e kredidhënies u shtrënguan  për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që mbetën të pandryshuara për ndërmarrjet e mëdha. Balancat përkatëse shënuan vlerat -2.3% dhe 0%.

Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u shtrënguan si për kreditë me qëllim financimin e kapitalit qarkullues, ashtu dhe për ato për qëllime investimi (balancat përkatëse rezultuan, -8% dhe -2.3%, shtrëngim).

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 16.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)