Sipas Sejkos, pritet madje që muaji i fundit të jetë ndikuar edhe më shumë edhe për shkak të problematikës energjetike të krijuara nga situata e thatësirës, që ka goditur vendin. Megjithatë, tremujori i parë i vitit, që ka tejkaluar parashikimet e Bankës së Shqipërisë lidhur me ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me +3.94%, ka ndikuar mjaft që edhe gjashtëmujori të ruajë tendenca pozitive. “Rritja ekonomike e tremujorit të parë ka rezultuar më e lartë sesa parashikimet tona, kurse inflacioni në maj dhe prill ishte më i ulët se ato”, tha Sejko.
Ecuria
“Rritja ekonomike shënoi vlerën 3.94 për qind në tremujorin e parë të vitit. Ndërkohë, të dhënat e disponuara sugjerojnë një ngadalësim të saj në tremujorin e dytë të vitit. Një nga faktorët kryesorë për këtë ngadalësim ka të bëjë me pasiguritë që shoqërojnë situatën zgjedhore”, tha Sejko.
Por përfundimi i zgjedhjeve nuk i ka shuar rreziqet për ekonominë. Banka e Shqipërisë tani ka një tjetër shqetësim. “Më tej në muajin e fundit, një pasiguri e shtuar buron nga kushtet e pafavorshme klimaterike, që lidhen me thatësirën, efektet e të cilave mund të shfaqen në sektorë të caktuar të prodhimit”, nënvizoi Sejko.
Paraja
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë iu përgjigj edhe interesit për arsyet e zhvlerësimit të euros në treg, duke argumentuar arsyet që kanë sjellë këtë situatë. Sejko pohoi se ka pasur një vlerësim të lekut gjatë kësaj kohe. “Nga të dhënat që disponojmë, kemi një rritje të shkëmbimeve me jashtë dhe rrjedhimisht një rritje të ofertës në euro. Po kështu, kemi pasur një rritje të fluksit të investimeve të huaja. Vetëm nga investimet e huaja direkte janë 174 milionë euro, kurse eksportet e mallrave dhe shërbimet janë 163 milionë euro më shumë se një vit më parë, pra 232 milionë euro ofertë”. “Ka një ofertë të madhe, që është vërtetuar nga të dhënat tona. Po kështu ndikim ka pasur edhe pjesa e turizmit. Këto nuk shmangin edhe qarkullimin nga informaliteti, por ne flasim mbi bazë të shifrave. Pritet që gjatë verës do të kemi një euro të dobët, por kjo s’mund të parashikohet gjithsesi, por po i referohemi ciklit historik”, tha guvernatori.
Monedha e përbashkët ka filluar një tendencë të fortë zhvlerësimi që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, duke rënë nga mesatarisht 139-140 lekë, ku kishte qëndruar për peroiudhën 2009-2015, në 134 lekë në fund të vitit të kaluar. Tendenca rënëse vijoi edhe gjatë pjesës së parë të këtij viti, euro arriti vazhdimisht rekorde të reja minimale të 9 viteve të fundit. Në 27 qershor, dy ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, euro zbriti menjëherë në 131.98 lekë, duke reflektuar sipas aktorëve të tregut ofertën e madhe për valutë në fundjavën e zgjedhjeve. Pas kësaj date euro ka shënuar rritje, duke u këmbyer gjatë ditës së djeshme me 132.47 lekë.
Inflacioni
Rënia e inflacionit në raport me tremujorin e parë duket se i referohet një kontributi më të ulët të inflacionit në ushqime për shkak të rritjes së prodhimit bujqësor por edhe një rënie tek inflacioni i importuar. “Presionet inflacioniste janë në rritje dhe mbështeten nga zgjerimi i aktivitetit ekonomik, rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve si dhe nga rritja e çmimeve në tregjet e huaja”, u shpreh Sejko.
dy.b/shqiptarja.com