Bualoti letër të hapur Ramës:
Të shpëtohet Festivali i Butrintit

Bualoti letër të hapur Ramës:<br />Të shpëtohet Festivali i Butrintit
TIRANE- Drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Butrinti 2000” Alfred Bualoti i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, të cilit i kujton të kthejë vëmendjen nga festivali, i cili vitet e fundit po shkon drejt degradimit. Letra ka si objekt financimin jo të kënaqshëm të projektit nga Ministria e Kulturës për edicionin e 13-të, sipas Bualotit, i cili i ka kërkuar një mbështetje shtetërore prej 60.000 Eurosh shtetit, ndërkohë që MK i akordon atij 9.000 Euro. Festivali pritet të mbahet në datat 17-23 korrik 2014.
 
JA PËRMBAJTJA E LETRËS:
“Si do mund të shpëtohet Festivali i BUTRINTIT “(në dijeni të Kryeministrit Z. Edi RAMA dhe kryetarit të kuvendit z. Ilir META)
 
Të nderuar kolegë, dashamirës të teatrit, shtetarë e biznesmenë.
Më lejoni të ndaj me ju shqetësimin tonë të thellë, në lidhje me mbarëvajtjen e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “BUTRINTI 2000”.
 
Shpresoj të kenë mbetur në kujtesën tuaj shfaqjet e mrekullueshme të këtij eventi ndërkombëtar unik, si dhe angazhimi i vazhdueshëm i stafit organizativ për mbarëvajtjen e tij.
 
Ja nisëm që në vitin 2000 me plot ëndrra, shpresë e besim, pasi donim ti kthenim pas 2500 vjetësh nusen e rrëmbyer këtij tempulli të shenjtë dhe ja arritëm. Pas 2500 vjetësh Festivali Ndërkombëtar i Teatrit u rikthye në shtëpinë e tij. Ishte pikërisht ai vit që z. Edi RAMA në cilësinë e Ministrit të Kulturës mbështeti pa rezerva festivalin e parë ndërkombëtar të teatrit në historinë e vendit dhe falë kësaj mbështetje ky event i madh nisi rrugëtimin e tij nën emblemën Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “BUTRINTI 2000”. Organizuar nga Qëndra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar, në një nga perlat e Mesdheut dhe në sezonin turistik, Festivali në këto 14 vite nën mbështetjen e M.K dhe të donatorëve të tjerë si dhe me përkushtimin maksimal të stafit organizativ është kthyer në një mjedis integrues me përmasa Evropjane. Në 12 të. edicionet e tij kanë marrë pjesë trupa teatrore nga: Italia, Franca, USA, Anglia, Greqia, Rusia, Kosova, Zvicra, Republika Çeke, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania, Spanja, Bullgaria, Ukraina, Hollanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia e Shqipëria. Në skenën magjike të Butrintit kanë patur fatin të luajnë rreth 2500 artistë të huaj duke u ndjekur nga rreth 50.000 spektatorë. Njëherësh, ky festival me Web-site dhe promocionin e tij prej vitesh, ka një reputacion mjaft dinjitoz në axhendat europiane të teatrit.
 
Të dashur miq;
Sivjet, Festivali ka edicionin e tij të 13 të. i paracaktuar prej një viti për tu zhvilluar në dt.17-23 korrik 2014. Pas dy vjet ndërprerje nga qeveria e mëparëshme, ky event ndërkombëtar natyrshëm priste me pa durim, siç edhe ishte deklaruar, rilindjen e tij. Por fatkeqësisht, nuk po duket se do të ndodhe ashtu. M.K. e barasvlen atë me cilindo projekt të fituar pranë saj,duke i akorduar atij një shumë prej 1.300.000L ose 11% e shumës së akorduar për festivalin që në vitin 2000 nga z. Rama, apo 13% e buxhetit të kërkuar nga festivali për këtë vit në M.K. Eshtë krejt e pa kuptimtë kjo qasje e M.K. në 2014 ndaj eventit më të madh ndërkombëtar në fushën e teatrit në vend. Keq informimet apo keq interpretimet se Festivali na qënkej subvencionuar 100% nga kjo ministri nuk janë aspak të vërteta, bile është një fantazi mjaft dashakeqe. Realisht ndër vite, shteti nëpërmjet MK i ka akorduar Festivalit, 20-25% e buxhetit të tij të përgjithshëm. Ndërsa në 2014 ai merr nga MK vetëm 5% e buxhetit të tij të përgjithshëm.

Absurditeti i mos mbështetjes për dy vjet nga ministri Bumçi në qeverisjen e kaluar me pretekstin se “ky na qënkej festivali i Edi Ramës” pa pritur zëvendësohet me një tjetër paradoks, me atë të indiferencës e mos angazhimit nga M.K. i cila duket se jep mesazhin; “në daç e bëni në daç mos e bëni....”
 
Po kujt i intereson të mos zhvillohet kjo ngjarje e madhe e artit e kulturës dhe e turizmit kulturor? Kush dëmtohet nga ndërprerja e Festivalit të Butrintit? Mos vallë organizatorët? Jo të dashur miq, reputacioni i vendit, shkalla e emancipimit të tij, arti dhe kultura,brezi i ri dhe ata që do të vijnë. Një shtet i përgjegjshëm me një qeveri sado pak të zgjuar duhet ti kishin dhënë me kohë një status të vëçantë Festivalit duke e garantuar ,mbrojtur e pasuruar këtë vlerë të çmuar të tij. Zhvilluar në një vend të rrallë, në një nga perlat natyrore të Mesdheut, në vend që të kontribuonim për t’u rritur, fuqizuar e perfeksionuar kjo risi ndërkombëtare kjo pasuri e jona e çmuar, duam ta shkatërrojmë. Nuk ja vlen që të përmendim lloj, lloj broçkullash të llomotitura poshtë e përpjetë nga hileqarë e ziliqarë për këtë event aq të bukur. Veç, artistët e vërtetë të rinj e të vjetër e sidomos të huajt, personalitete, artistë e spektatorë, gazetarë e kritikë të artit, nuk reshtin së foluri me superlativa për këtë ngjarje të madhe të artit e kulturës në Shqipëri. Festivali i Butrintit është i vetmi aktivitet teatror i integruar në axhendat e konventat Europiane. E ndërsa ne flasim çdo ditë për integrimin e vendit e aspiratat e tij integruese,çuditërisht marrim vendime izoluese apo çintegruese. Ndërsa para së gjithash, Festivali ka qenë edhe një mjet në funksjon të integrimeve mbarëshqiptare dhe të paraqitjes së artit e kulturës së shtetit të ri të Kosovës në botën e madhe perëndimore. Në fund të fundit, në këtë pasuri të përbashkët e të çmuar, a nuk do të ishte e udhës që edhe Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Butrintit të mbështetej nga të dy qeveritë Tirana e Prishtina, ashtu si edhe mbështetja për projektin e Fest.Dokut. të Prizrenit?
 
A mendoni se çfarë do të ndodhte po të sillej shteti ne këto vende “alla shqiptarçe” me evente të tilla si; Festivali i Ohrit, në edicionin e tij 44, me subvencion shtetëror prej 420.000 Euro, Festivali i Budvës në edicionin e tij të 18 të me subvencion shtetëror prej 230.000 Euro, Festivali i Dubrovnikut në edicionin e tij të 36 të, me mbështetje e shtetit në shumën 520.000Euro, Mess Festival i Sarajevos në edicionin e tij të 47 me shumën 380.000 Euro, Bitef i Beogradit në edicionin e tij të 48 të. me shumën e 490.000 Euro. Dhe së fundmi, po përmendim edhe një festival nga bota e madhe perëndimore, atë të Avinjonit në Francë,në edicionin e tij të 68. Për vitin 2013 rezulton për të, një buxhet prej 12.000.000 Euro, ku 56% e të cilave janë të subvensionuara nga shteti.
 
Sigurisht që nuk po përmendim të tjerë festivale apo vende, pasi që jo vetëm janë me dhjetëra por se së pari, prej më shumë se gjysmë shekulli janë mbështetur fuqimisht nga shteti. Festivali i Butrintit nuk pretendon aspak shuma të tilla, e ndërsa në edicionin e tij të 13 të ai ka kërkuar një mbështetje shtetërore prej vetëm 60.000 Euro, shteti nëpërmjet MK i akordon atij 9.000 Euro.
Në këto kushte, ne po bëjmë çdo përpjekje për të mos e humbur këtë event ndërkombëtar kaq të rëndësishëm për vendin por po gjendemi në rrethana mjaft të pafavorshme dhe dëshpëruese.
 
Sidoqoftë, të dashur miq;
Tashmë 17 korriku është tek pragu i derës, kur ky festival do të startonte edicionin e tij të 13 të. Vetëm mbështetja e të gjithë dashamirësve dhe një vendimmarrje e shpejtë do të mund ta rilindë atë e ndoshta, për të mos reshtur më. Duke përmendur Fjalët e personalitetit të shquar,regjisorit bullgar Grigori Hazarjan në edicionin e parë të Festivalit në vitin 2000; “Festivali i Buitrintit të jetojë sa vetë gurët e tij” dua t’ju përshëndes miqësisht;

ideatori dhe drejtori i Festivalit
Alfred Bualoti

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç